Berisha, i “pathyeshmi” i Serisë A

Luan në Itali prej 4 sezonesh, por ky i këtij viti është sezoni i shpërthimit të madh të Etrit Berishës. U largua nga Lazio për të luajtur në vazhdimësi dhe për t’u treguar të gjithëve vlerat e tij dhe deri tani e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer misionin që i kishte vënë vetes. Te Atalanta ka rigjetur shkëlqimin, teksa falë edhe pritjeve të tij, skuadra bergamaske mund të ëndërrojë Europën, sepse aktualisht pozicionohet në vendin e 5-të të klasifikimit në Serinë A, duke lënë pas në renditje edhe dy skuadrat e Milanos, Interin dhe Milanin.
Ndaj Fiorentinës fundjavën e kaluar Etrit Berisha ruajti portën të paprekur për të 3-ën ndeshje radhazi, duke e çuar në 319 numrin e minutave pa pësuar gol. Në Serinë A, aktivizohen edhe portierë të tjerë shumë të rëndësishëm si Buffon, Handanoviç, Donarumma, Reina e Sczezny, por për momentin Berisha i mund të gjithë këta emra. Portieri i Kombëtares Shqiptare është numri 1 që ka përqindjen më të lartë përsa i përket ndeshjeve pa pësuar gol. 27-vjeçari nga Prishtina, i cili për shkak të një dëmtimi ka luajtur në total 19 ndeshje deri tani në Serinë A me Atalantën, domethënë më pak se rivalët e tij, ka arritur ta ruajë portën të paprekur në plotë 10 takime, duke pësuar gol vetëm në 9 prej tyre.
Në fakt, ai që kryeson këtë klasifikim special është Sczezny, pasi portieri polak i Romës nuk ka pësuar gol në 11 ndeshje, por ndryshe nga Berisha, ai është aktivizuar në 27 takime. Përqindja e pathyeshmërisë së Berishës, krahasuar me ndeshjet që ka luajtur në këtë sezon është 52,6, me kuqeziun që ka një diferencë të madhe me të gjithë rivalët e tij. Perin është i dyti me 43,8%, Buffon vjen pas tij me 43%, ndërsa Sczezny që kryeson këtë klasfikim special për numrin e ndeshjeve pa pësuar, është i 4-ti me 40,7%. Skorupski i Empolit është një tjetër surprizë e bukur e këtij sezoni, ndërkohë që diferenca e Berishës në përqindje me emra të tillë si Handanoviç apo Donarumma e Reina është shumë e madhe, tregues ky se, kuqeziu po zhvillon një sezon fantastik. Sa keq që Etrit Berisha do të mungojë për çështje skualifikimi në sfidën e 24 marsit, që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Italisë në Palermo.

Artikulli paraprakBajerni shkatërron Arsenalin
Artikulli tjetërLlullaku e nis keq në Kazakistan