Nga Redi Shehu
Para më shumë se tri dekadave, në kohën kur ne sapo kishim filluar të nuhasnim shijen e lirisë, më kujtohet asokohe, si i ri që isha, padurimin për të mos humbur mbërritjen e Berishës në mitingjet madhështore të asaj kohe. Ardhja e tij në shesh jo vetëm që elektrizonte turmat sikur një kabllo i tensionit të lartë të kish rënë mbi ta, por edhe e vishte të gjithë ngjarjen me një aureolë që dukej sikur transhendohej nga diku përtej realitetit. Për ne, njerëzit e dalë nga gropa e errët e komunizmit, Berisha konsiderohej si dhuratë.
Mitizimi i tij kishte arritur majat dhe shpresa ishte njësuar me personin e tij. Sot, pas tri dekadave, do të doja ta takoja siluetën time si i ri dhe të përballesha me entuziazmin naiv të tij, e t’i tregoja se Berisha është prapë aty, tashmë pa mitingjet madhështore dhe pa kimizmin e aureolën, në krye të një grushti njerëzish të avashtë e të vakët ashtu si dhe mosha e tij. Në këto duele të pafundme brenda Colosseumit të politikës shqiptare, shpesh gishti poshtë i turmave shënonte lejen e posaçme për Berishën me të cilin ai eliminonte kundërshtarët e tij.
Shumë duele dhe beteja pati fituar, me të gjithë llojet e kundërshtarëve, por ama vetëm ndaj një personi Berisha nuk arriti kurrë të fitonte, vetëm kundra Sali Berishës. Sot, ai duket sfidanti më i egër i tij, i cili i qëndron përballë duke e kërrusur dhe mpakur totalisht. Sot, Berisha duket se e ka humbur betejën përballë egos së tij. Pas tri dekadash, parlamenti shqiptar është plot tymuese, karrige të përmbysura, flakadanë dhe mbi të gjitha me një fjalor në rastin më të mirë mediokër. Përballë opozitës ndodhet një super maxhorancë, e cila si një masiv prej betoni i ofron kundërshtarëve shanse të herëpashershme thyerje koke.
Një super maxhorancë e cila në këmbët e saj ka të skalitur datën 2019 dhe poshtë saj një foto e Bashës me firmë të Sali Berishës. E tani, pas eksperimenteve politike me braktisje mandatesh dhe zgjedhjesh, flaka dhe tymi në Kuvend duket se nuk po karbonizon kënd tjetër përveç opozitës. Për të mos përmendur pastaj ata deputetë, të cilët pësuan një evolucion politik nga brava dhe blindi drejt tymit e flakës në parlament. Rama i kishte të gjitha mundësitë që t’ia jepte komisioniet hetimore opozitës, duke e ditur se ato nuk kanë prodhuar kurrë një rrezik për maxhorancat. Por, ai me dinakëri duke qenë i sigurt politikisht, dëshironte ta ekspozonte Berishën drejt të vetmes gjë që ai di të bëjë shumë mirë, drejt reagimit të dhunshëm, drejt emulacionit të egos së tij. Kjo, në kohën më të papërshtatshme gjeopolitike për radikalizim si kjo e jona.
Kështu, e gjendur në kufijtë e improvizimit, opozita nuk kishte se si të tejkalonte veten pasi kulmin e radikalizimit ajo e konsumoi në vitin 2019, dhe ajo që i ngelej të bënte ishte një teatër i dështuar e mbi të gjitha i shëmtuar. Sot, Berisha e gjen fajin gjithkund dhe tek secili përveç se tek egoja e tij. Kjo e fundit jo vetëm që e kërrusi kryeopozitarin, por deformoi, përçau atrofizoi, sterilizoi dhe ekstremizoi gjithë frontin opozitar deri aty sa spektaklin e arrestimit të tij, ta kundërshtojnë vetëm një grusht njerëzish. Egoja e tij e bindi se opozita shqiptare është vetëm Sali Berisha dhe jo ato qindra-mijëra të djathtë në të gjithë Shqipërinë që shikonin Berishën si amanetqarin e bindjeve dhe vullneteve të tyre politike. Ai nuk formoi liderë të së ardhmes brenda së djathtës, por kukulla të cilat kishin vetëm dy rrugë ose bindje ose shpallje armik.
Tani, pas tri dekadash habitemi se përse e djathta është e kaq e pafuqishme të luftojë prepotencën, autoritarizmin dhe korrupsionin e maxhorancës. Pas tri dekadave, ajo që ndodh me partinë më të madhe opozitare, është se e gjitha narrativa e saj, veprimi dhe deri gjestikulacioni janë pasuese të egos së kryetarit të tyre. Është krejt ekzemplare se si e gjithë ideologjia, aksioni si dhe metoda politike e një force të kësaj përmase të reduktohet brenda një trysnie individuale, pa vizion dhe pa rrugëdalje. Foltorja si një kopje e zbehtë e entuziazmit të tre dekadave më parë, arriti të prodhonte energji politike në fillimet e saj, por për shkak të dekontekstualizmit dhe mbi të gjitha egos së Berishës, u transformua në ripaketimin e veseve të vjetra nën logon e Rithemelimit. Berisha humbi dy herë shansin që ta rithemelonte vërtet politikën shqiptare kur ishte në pushtet. Kur këtë nuk arrin ta bësh vetë si burim i kapaciteteve të brendshme të tua, atëherë rithemelimin e kësaj politike do të ta bëjnë të huajt. Vetëm se ky lloj rithemelimi nuk është i butë, gradual dhe i natyrshëm ashtu siç ndodh me proceset e brendshme, rithemelimi nga të huaj është i shpejtë, i ashpër dhe traumatik.
E në këtë rast, është e kotë të fajësosh të tjerët për paaftësitë e tua. Edhe pse egoja e tij nuk e pranon, Sali Berisha është në antikohën e tij, ka qenë që kur humbi zgjedhjet e 2013–ës. Mospranimi i këtij fakti nga vetë ai, e shtyu Partinë Demokratike në një agoni njëdekadëshe, e cila ia humbi fuqinë për t’u përballur me kundërshtarët, duke e mpirë dhe fragmentarizuar. Sot, trashëgimia e tij e pasur politike, mbyllet me fundin e padëshiruar që një lider mund të ketë. Ky fund nuk është arresti, as akuzat, as SPAK-u, fundi i pakëndshëm është vetmia.
Braktisja e të djathtëve pas tri dekadash trashëgimi politike është dëshmia se në duelin me egon e tij, Berisha doli i humbur. Në entuziazmin elektrizues të viteve ‘90, ne nuk kuptonim se rruga për të ndërtuar të ardhmen në liri, duhej të kalonte në fitoren e secilit ndaj egos së vet. Ne menduam se një person, sado i mire dhe i aftë të ishte, do të na zgjidhte gjërat, ashtu të gatshme të paketuara si një dhuratë e bukur martese. Ne pranuam të martohemi me individin fizik dhe jo me cilësitë e mira të tij. Ne gabuam kur shpresuam në të pagabueshmen dhe e mitizuam bustin ani pse cilësitë degradonin vazhdimisht. Sot, pas tri dekadave ne nuk mund të vazhdojmë me naivitetin e së shkuarës. Sot, mes të djathtës, duhen kërkuar cilësitë e mira të individëve pa mahnitje dhe befasime imazhi.