Berisha: Ka vetëm komb shqiptar, tezat për komb kosovar janë titiste

– Si e konsideroni rrugëtimin e Kosovës këto 10 vite?
Rrugëtimin e Kosovës këto 10 vite unë e konsideroj një rrugëtim të suksesshëm. Natyrisht pritshmëritë mund të kenë qenë dhe më të mëdha po arritjet dhe sukseset e saj janë të pamohueshme. Në këto 10 vjet, Kosova, nga hiri dhe shkrumbi i luftës, është sot një vend që ecën drejt horizonteve të zhvillimit. Ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare, ka fituar Gjykatën e Hagës për problemet ligjore, një numër i madh, 95% e vendeve të botës së lirë e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur, ka ndërtuar një infrastrukturë moderne dhe po e ndërton atë, ka një ekonomi vibrante me rritjen më të madhe në rajon. Unë nuk them se nuk ka vështirësi dhe se nuk mund të bënte më shumë, por prap nuk duhet të harrojmë se këto janë 10 vitet e para në liri të shqiptarëve të Kosovës dhe kanë patur në rrugën e tyre një seri pengesash të diktuara në një shkallë të caktuar nga Beogradi, por dhe faktorë të brendshëm. Sidoqoftë ky 10-vjetor është një 10-vjetor që na bën krenar me arritjet e Kosovës.

– Cilat mendon që janë sfidat kryesore të Kosovës dhe cilat kanë qenë problemet më të mëdha me të cilat është hasur ajo këto 10 vjet?
Sfida më kryesore e Kosovës dhe rajonit me efekte imediate janë marrëveshjet e Kosovës me Beogradin dhe zbatimi i këtyre marrëveshjeve, të cilat i çelin rrugën Kosovës drejt integrimit europian dhe euroatlantik, por njëkohësisht marrëveshjet e zbatuara midis Kosovës dhe Beogradit shndërrohen në marrëveshje paqe dhe bashkëpunimi, një rëndësi e madhe kjo për Kosovën dhe rajonin.
Mendoj se një sfidë tjetër madhore është bashkëpunimi ndërshqiptar. Për fat të keq konstatoj se këto katër vitet e fundit, qeveria shqiptare nuk ka investuar as dhe një grosh në drejtim të kapërcimit të dasive që janë trashëguar nga e kaluara midis dy vendeve. Nuk është bërë progres dhe ky progres është jetik për shqiptarët. Dogma se shqiptarët do të bashkohen në Bruksel është një justifikim bajat. Në Bruksel shqiptarët do të bashkohen dhe me të gjithë kombet e tjera, ata nuk kanë kohë për të humbur, duhet të njësojnë me qindra e qindra procedura, duhet të adaptojnë standardin e dyshtetësisë, duhet të ndërtojnë infrastrukturën më moderne midis dy vendeve, natyrisht, duke ruajtur dhe respektuar kufijtë ndërshtetërorë, pasi statusi i Kosovës është i fiksuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe Shqipëria është e zotuar në respektimin e saj të plotë. Eshtë një mal pune për t’u bërë që shqiptarët në të dy vendet të ndjehen si në një vend të vetëm, i cili të jetë krejtësisht simbolik dhe kjo jo vetëm që nuk kërcënon por përkundrazi, i bën këto vende më stabile, më të prosperta, më të begata. Për fat të keq, përveç fasadës dhe fotografive të bukura nuk kemi parë hapa konkrete këto katër vitet e fundit.

– Zoti Berisha, një çështje tjetër është pikërisht çështja e flamurit. Eshtë çuar shumë pluhur në Prishtinë ku është i vendosur një nga flamujt më të mëdhenj që është vendosur në Kosovë. Dhe me rastin e 10-vjetorit qeveria e Kosovës ka vendosur që të hiqet flamuri kombëtar dhe të vendoset ai i Kosovës me rastin e shënimit të përvjetorit të 10 të pavarësisë.
Protokolli i Kosovës është përgjegjës për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Nuk më përket mua të diskutoj çështje të protokollit të Republikës së Kosovës. Janë Bashkia e Prishtinës dhe qeveria e Kosovës ato që vendosin për dekorin e Prishtinës dhe Kosovës dhe nuk kam ndërmend të komentoj këtë. Besoj se shpallësit e pavarësisë së Kosovës treguan një mençuri kur paraqitën flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës dhe sigurisht mbajtën dhe flamurin kombëtar kuq e zi që është dhe flamuri i Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërësi.

– Janë të shumtë zërat që identifikojnë lindjen e një kombi të ri nën flamurin e Kosovës
Këta që çojnë këto zëra, këta janë një vazhdimësi e jugosllavizmit të dikurshëm, përpjekjeve qesharake të Titos dhe klikës së tij që të krijojnë kombin kosovar. Kombi është një dhe i pandarë, dhe 100 vija po ti heqësh në trup shpirti i tij mbetet i njëjtë. Ndaj dhe ata të cilët flasin për komb kosovar, përsërisin si papagaj tezat e dikurshme të Beogradit dhe asgjë tjetër. Flamuri nuk është i kombit, flamuri është shtetëror dhe Kosova pa një flamur shtetëror nuk mund të pretendonte të ishte shtet i pavarur as dhe të regjistrohej në ndonjë vend si i tillë.

– Megjithatë aspiratat janë përulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, po e theksoj të kombeve jo të Shteteve të Bashkuara.
Ajo është një problem semantik që ka ngelur kur është themeluar lidhja e kombeve, por faktikisht ajo është organizata e shteteve të pavarura dhe kjo është e vërtëta dhe thelbi i saj. Kështuqë nuk ka përpjekje më don kishoteske dhe më qesharake se sa të pretendohet krijimi i dy kombeve shqiptare. Kombi është i vjetër, ky është një komb i lashtë, nuk është ndarë kurrë, nuk e ndau as linja e Teodosit, i cili i ra përsëgjati trupit të tij dhe ai mbeti përsëri shqiptar.

– Zoti Berisha, ju falenderoj që gjetët kohën për të bërë këtë prononcim dhe këtë urim në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës?
Shfrytëzoj rastin të bëj një urim shumë të përzemërt dëgjuesve tuaj, stafit të radios dhe televizionit tuaj, dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës kudo që janë në këtë 10-vjetor të pavarësisë së Kosovës, datës më të rëndësishme për shqiptarët pas pavarësisë së Shqipërisë.

Intervista radiofonike dhënë për gazetarin Ermal Panduri për Radio “Dukagjini”!

Exit mobile version