Berisha: Ka vetëm një rrugë për bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë, ajo kalon përmes…

Ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka dëgjuar ‘live’ në Parlamentin e Kosovës Edi Ramën duke thënë se Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një President të përbashkët në të ardhmen. Rama i ka rënë pishman për këtë deklaratë, duke e shpjeguar si shëtitje nëpër imagjinatë, por sipas Berishës deklarata të tilla i bëjnë dëm Kosovës, tani që po bën negociata me Serbinë, e cila mund ta përdorë këtë si kartë në tryezën e bisedimeve.
Për më tepër, Berisha thotë se Rama ka deficit patriotik në Kosovë, të cilin ende po përpiqet ta mbulojë. Por, jo vetëm këtë. Sipas Berishës, ai po përpiqet t’i mbulojë edhe dështimet në Shqipëri.
Në intervistën për Express, Berisha flet edhe për idenë e ndarjes, për çka thotë se nuk ka fakte nëse Rama është i përfshirë në këtë, por thotë se nuk do të çuditej fare se ai do të mund ta ketë diskutuar me Vuçiqin.

Gazeta Express: Z.Berisha, Kosovën dhe Shqipërinë gjithmonë e kanë karakterizuar zërat se duhet ndodhur një bashkim kombëtar, për të cilën ju jeni deklaruar kundër. Por, meqenëse kjo është një ide e kahmotshme, tash u propozua edhe një President mbarëkombëtar. Kjo u tha pikërisht nga Edi Rama në festën e Pavarësisë. E prisnit ju këtë dhe a e shihni të realizueshëm këtë koncept?
Sali Berisha: Mendimi im është i pandryshueshëm, ideali suprem i shqiptarëve është ideali i bashkimit kombëtar. Por kjo në vlerësimin tim mund të ndodhë vetëm si një bashkim i dy vendeve demokratike, të pavarura, plotësisht të integruara në NATO dhe BE dhe natyrisht me një pëlqim të domosdoshëm të SHBA dhe BE, por duhet që edhe fqinjët të binden se një shtet i tillë nuk paraqet kërcënim për ta.
Nuk duhet harruar se dokumenti ndërkombëtar Ahtisari, mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, përcakton mosbashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe as me Serbinë. Mendoj se ideja e bashkimit apo deklarata për bashkimin në këtë fazë të negociatave ndihmon ndjeshëm në rrafshin ndërkombëtar palën serbe dhe dobëson qartë pozitën e palës shqiptare në negociata, u jep serbëve një kartë të fortë në dorë për mungesë serioziteti dhe sinqeriteti të palës shqiptare, e cila tjetër negocion, tjetër ka në mendje.

Exit mobile version