Berisha kandidat për portierin e vitit

Etrit Berisha ndër të destinuarit për të qenë zbulimi mes shtyllave në edicionin e ardhshëm të Europa League. Kandidimi nuk është një shprehje tipike e optimizmit shqiptar nisur nga subjektivizmi i tifos për lojtarët tanë, por një sugjerim i vetë UEFA-s. Në faqen e saj zyrtare në Faceboook dedikuar ekskluzivisht Europa League, UEFA ka hapur një sondazh ku pyet fansat e shumtë se cili do të jetë portieri më i mirë i kompeticionit të dytë madhor europian në nivel klubesh për edicionin 2017-2018, dhe një ndër kandidatët është pikërisht Etrit Berisha.
Në garë me gardianin e Kombëtares Shqiptare janë portierë me reputacion apo mjaft të talentuar si Petr Chech. i Arsenal, Anthony Lopez. i Olimpikut të Lionit dhe Sergio Asenjo. i Villareal. Një ogur i mirë ky për Berishën që merr një tjetër vlerësim pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Atalantën. ku spikati si një ndër portierët më të mirë të Serisë A, duke dhënë kontribut të çmuar në kualifikimin e klubit bergamask në zonën e lartë të renditjes që garanton përfaqësimin në Europa League, sezon pas të cilit Atalanta vendosi të blejë përfundimisht nga Lazio për kartonin e 28-vjeçarit nga Prishtina.
Në pritje që Berisha të konfirmojë vlerat e tij edhe në një vitrinë të rëndësishme si ajo e Europa League, tifozët shqiptarë, ndërkohë mund të kontribuojnë edhe në garën virtuale të hapur për portierin e Kombëtares në faqen UEFA Europa League në Facebook.

Artikulli paraprakGinter i dhuron 20 milionë euro Dortmund
Artikulli tjetërGarancitë statutore e gara e barabartë nuk janë pazar