Berisha: Krimineli shkrehu këmbëzën, por vrasjen e bënë ata…

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër për vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, krimineli shkrehu këmbëzën e dorës së tij të zezë, por vrasjen e bënë ata që qëndruan në anën e vrasësit dhe nuk i dhanë gjykatëses mbrojtjen që meriton! Berisha u shpreh ngushëllimet fëmijëve dhe familjarëve të të ndjerës dhe dënon gjithashtu indiferencën kriminale të organeve të shtetit, të cilat me qëndrimin e tyre të papërgjegjshëm nuk bënë asgjë për parandalimin, përkundrazi lehtësuan veprën mizore!
“Ekzekutimi i gjykatëses Fildes Hafizi, një krim i shëmtuar, një vrasje e paralajmëruar!
Të dashur miq, sot një grua, nënë, gjykatëse Fildes Hafizi u vra në mes të ditës dhe në mes të rrugës nga ish- bashkëshorti i saj, i cili dy vjet më parë i kishte vendosur asaj revolen në ballë në mes të plazhit të Golemit dhe ishte liruar në mënyrën më të papërgjegjshme nga Parlamenti me amnisti, me gjithë tentativën për ekzekutim publik, armëmbajtje pa leje.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar dhe shprehur ngushëllimet më të sinqerta fëmijëve dhe familjarëve të të ndjerës, dënoj gjithashtu indiferencën kriminale të organeve të shtetit, të cilat me qëndrimin e tyre të papërgjegjshëm nuk bënë asgjë për parandalimin përkundrazi lehtësuan veprën mizore, vrasjen e saj të paralajmëruar!
Krimineli shkrehu këmbëzën me dorën e tij të zezë, por vrasjen e bënë ata që qendruan në anën e vrasësit dhe nuk i dhanë gjykatëses mbrojtjen që meritonte!”, shkruan Berisha.

Exit mobile version