Berisha: Kryengritje kundër taksave

Sali BERISHA

Nuk ka fatkeqësi më të madhe se ti përgjigjesh një njeriu (Ahmetaj), që në mënyrën më qesharake vajzat dhe gratë e Ministrisë e thërrasin “tigri” se përndryshe pësojnë shqetësime nga ai. Pra, ti flasësh këtij njeriu të shkon fjala dëm, por fatmirësisht këtu përpara flasim para publikut dhe kjo ndryshon pastaj se përndryshe ky meritonte vetëm injorimin e plotë dhe total. Del këtu dhe thotë se janë dy projekte të Berishës; ndihma ekonomike dhe “Rruga e Kombit”.
Po sqaroj shqiptarët:
Projekti i Sali Berishës për ndihmën ekonomike ka qenë ky dhe vetëm ky, dixhitalizim i plotë i ndihmës ekonomike, regjistri dixhital dhe kjo është realizuar. Shtimi me të paktën e 45 mijë familjeve të reja në ndihmë ekonomike, në mënyrë që të çrrënjosej mjerimi nga Shqipëria. Varfëria nuk çrrënjoset, luftohet, por mjerimin dhe varfërinë ekstreme duhet detyrimisht të çrrënjoset. Dhe ajo qeveri, e cila nuk merr masa për të çrrënjosur, ajo është një qeveri antipopullore.
Erdhëm në 2005 e gjetëm varfërinë ekstreme 3.4%. Me një seri masash e ulëm atë në 1.2%. Por prapë 1.2% do të thoshte 15 mijë familje, do të thoshte të paktën 45 mijë frymë. Ndaj dhe ne po përgatiteshim në mënyrë që të shpallnim se çrrënjosëm mjerimin, jo varfërinë. Dhe kjo që bëni ju o të papërgjegjshëm, që hiqni 20 mijë familje jashtë çdo kriteri, vetëm ata që janë të zhveshur nga çdo moral njerëzor mund të ndërmarrin një veprim të tillë.
Tani vijmë tek çështja e cila ka tronditur kombin mbas çlirimit të Kosovës e deri sot më shumë se çdo çështje tjetër.

Pas studimit vendosëm kundër taksës
Për herë të parë në këto vite lirie, pjesa e kombit që jeton në Kosovë proteston, ngrihet dhe bllokon rrugën e komunikimit me Shqipërinë. Unë i përgëzoj ata qindra kamionistë, të cilët ndërmorrën një protestë apel për ndërgjegjien shoqërore dhe kombëtare të çdo shqiptari, por këta apatridë s’kanë ndërgjegje.
Është e vërtetë që në vitin 2011, qeveria e kryesuar nga unë dhe ministrin e ndjerë Sokol Olldashi, bëmë të gjitha studimet. Asgjë të fshehtë nuk ka këtu. Por është po kaq e vërtetë se pas studimit, u vendos që taksa të mos vihet.
A jam unë kundër fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve?! Absolutisht jo! Përkundrazi, sado fonde të sillni në këtë Kuvend, unë do t’i votoj, se është jetike, por të caktosh 5 milionë USD për mirëmbajtjen e rrugëve, që janë 18 mijë km në mbarë vendin, do të thotë se nuk jeton në këtë vend dhe s’ke përgjegjësinë më minimale.
Kthehemi prap tek taksa.
Doli vlera, ishte e papranueshme. Atëherë u vendos jo ta mirëmbajë Drejtoria e Rrugëve, kurrë. Unë jam dhe kam qenë dhe mbetem që mirëmbajtja e rrugëve t’u jepet kompanive private, të cilat kanë fuqi shumë herë më të madhe se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Nuk kam pasur ndonjëherë ndërmend ta shndërroj Drejtorinë e Rrugëve…Përkundrazi, edhe atë e reformuam. Dhe ne do të bënim autosorcin njëlloj siç u bë, por cili ishte dallimi?!
Dallimi ishte thelbësor. Do t’i jepnim koncesionairit, siç i jepni ju ndrikull Nushit, siç i ndani ju me ndrikull Nushin, apo me atë muratorin e instrumentave, ne do të jepnim para për të mirëmbajtur “Rrugën e Kombit”, rrugën Tiranë-Durrës, rrigën Fier-Vlorë e me radhë! Ky ishte drejtimi i politikës sonë.
Ata që duan të fshihen pas shpatullave të mia si mi, se burri s’e bën atë kurrë – i pyes: Po pse s’e vura unë atë taksë? Ju më penguat? Unë aty e kisha studimin. Mora një orientim se ku rrihte mesatarja e mirëmbajtjes dhe nuk e vumë. Bashkë me ministrin ramë dakord që kjo nuk do të ishte me tarifë dhe nuk u vendos. Po janë të pafytyrë ata si puna këtij që flet nga vendi. As janë dhënë kurrë dhe sdo jepej kurrë. Po të ishte dhënë, do të ishte bërë. Nuk tërhiqem unë nga vendimet e mia, por u pa që nuk duhej bërë, duhej kaluar në variantin tjetër.
Se natyrisht që po të vësh një elif matrak në financa, ai ngatërron çdo gjë. Piktori dështak zotohet se do masi borxhin si përqindje të GDP dhe do merret Banka me këtë punë, zotime të tilla i kupton ti. Se ngatërrova një ditë Brisin me ty Elisa, se ti e kishe anulluar kompaninë që solli drogën (Rapiskan).

Si loboi Rama kundër “Rrugës së Kombit”
Taksa nuk u vu dhe nuk do vendosej. Tani marrim flasim pas se pse nuk u vu taksa. Taksa nuk u vu, sepse kjo është një arterie e kombit, nuk është vetëm e Shqipërisë. Kjo është dhe e Kosovës dhe ky është për çdo shqiptar investimi më strategjik që ka bërë ndonjëherë dhe ka bërë Shqipëria. Pse Edi Rama e quajti “rrugën e asgjësë”, pse Rama nisi disa prej deputetëve të shkojnë dhe të ngrejnë kampin e grevës së urisë tek kampi i tunelit të Kalimashit, deri sa i nxorrën hujtë mirditorët dhe i përzunë. Se shkuan me çadra e batanijë këta për të hyrë në grevë urie për të penguar tunelin. Pse ky qëndrim antishqiptar ndaj këtij projekti strategjik. Edi Rama s’ishte asgjë tjetër, veçse një shtrirje e atyre lobeve antishqiptare, të cilat donin me çdo kusht të pengonin ndërtimin e rrugës. Dhe në fund e thanë haptas se kjo rrugë ndryshon gjeostrategjinë e rajonit, ndryshon portet.
Shpërtheu një stuhi antikombëtare për rrugën e asgjësë, si asnjëherë tjetër në histori. Edhe këto ditë keni nxjerrë njerëzit tuaj në media duke thënë se, Kukësi u bë epiqendra e një investimi të verbër. Rruga ishte e kombit, rruga ishte e Sarandës, Durrësit, Vlorës. Nuk është vetëm Kukësi. Më shumë se kushdo tjetër nga rruga përfitoi Saranda, përfitoi Himara, Vlora, Durrësi, Velipoja, Shëngjini. Shkoni shihni si është bërë Shëngjini, qytet krejt tjetër. Rruga jep mbi 300 mln euro në vit, dhe ju shkoni nxisni një protestë që do të hyjë në histori si faqja më e zezë e Edi Ramës, si një figurë antikombëtare fund e krye, që ngre pjesët e kombit kundër njëra-tjetrës. Dhe pse? Sepse i urren shqiptarët, sepse ka urrejtjen atërore.

Kush ishte në qelizën ruse dhe cilat parti po financojnë
Ky që na flet për ndikim rus, në një kohë që i ati i tij me Ramiz Alinë ka qenë në një qelizë të KGB në Shqipëri. Hajdeni të bëjmë një komision hetimor të shohim se kush u financua në vitin 2013 me para ruse, kush mori financimet ruse në fushatë, cila parti. Partia që u themelua nga rusët në Tiranë. Thoni pak këtu sa para morët.
Në historinë e kryengritjeve, historia mëson se ato kanë pasur në tërësi rritjet e taksave. Ju punoni për destabilizimin e vendit. Ju nxisni qytetarët drejt rebelimeve, drejt mosbindjes civile, drejt protestave të atilla që Shqipëria si ka parë ndonjëherë. Nuk është çështje Veriu dhe Jugu. Eshtë çështje e shqiptarëve që çdo ditë po u vendosni taksat më të rënda, si një zgjedhë e fuqishme mbi fytin dhe qafën e njerëzve më të varfër, në një kohë kur vetë pasuroheni si mamuthët, duke vjedhur miliona çdo ditë.
Ku shkoi tigri prej letre (Ahmetaj). Shkoni pyesni në ministri, se ka qef ky ta thërrasin ashtu. Shkoni pyesni pak çfarë e lidh këtë me Zoton që ka marrë 178 milionë euro?
Sot ka një revansh të papërmbajtur të klikës në pushtet ndaj opozitës. Tre ditë më parë,Komisioni i Vettingut skualifikoi një gjykatës. Kam mbështetur dhe do mbështesë zbatimin rigoroz të ligjit në çdo rast dhe ndaj cilitdo. Por më thoni ju mua a është demokraci përdorimi i njëanshëm i ligjit? Eshtë diktaturë dhe vetëm diktaturë. Krahasoni ju pak pasurinë e gjykatësit me sarajet e Surrelit, që i kanë themelet e gjata 57 m, 46 i ka pallati im ku banoj me 70 familje, krahasojeni pak me “pallatin në pajë” të Linda Ramës, që nuk ka një faturë të vetme bankare?!

Artikulli paraprakBerisha- Alket Hysenajt: Zgjidhe vetë qelinë
Artikulli tjetërFondi rus 540 milionë euro tek banka e Linda Ramës