Berisha kthehet në stërvitje

Etrit Berisha është rikthyer të stërvitet me Lazion, vetë portieri i Kombëtares Kuqezi ka postuar në faqen e tij në Facebook lajmin, duke u shprehur se është i lumtur që rikthehet në fushë, ndërkohë që mediat italiane pranë Lazios bëjnë të ditur se pas dy javësh jashtë fushe për shkak të një problemi fizik që e kishte shoqëruar që pas grumbullimit me përfaqësuesen shqiptare, Berisha është rikthyer të stërvitet me shokët. Një lajm i mirë ky padyshim edhe për De Biasin dhe Kombëtaren, pasi konfirmon se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me gardianin e shtyllave kuqezi pak javë para nisjes së grumbullimit në Austri për dorën e fundit të përgatitjeve para europianit.
Gjithsesi edhe pse është rikthyer në stërvitje të paktën, duke iu referuar informacioneve të mediave italiane, janë të pakta shanset që portieri shqiptar të rikthehet në formacion në sfidën e kësaj të mërkure me Juventusin, kjo pasi trajneri i ri Simone Inzaghi preferon të ketë Marchettin mes shtyllave, një opsion më i sigurt ky me Berishën që është stërvitur vetëm në dy ditët e fundit para ndeshjes me kampionët e Italisë. Mbetet për t’u parë, ndërkohë nëse Inzaghi, ashtu si dhe parardhësi i tij Pioli do t’i rezervojë minuta me pikatore Berishës, duke forcuar në këtë mënyrë bindjen e një largimi të portierit shqiptar nga Lazio në merkaton e verës.

Artikulli paraprakHiddink akuzon lojtarët: Mendojnë për Europianin
Artikulli tjetërFitore me çdo kusht