Skandali i hedhjes së mbetjeve spitalore në ujërat e lumit të Erzenit dhe më pas edhe dhunimi i gazetarit investigues, Genci Angjellari, kanë sjellë reagime të shumta ditën e djeshme. Me një shënim në faqen e tij në Facebook, në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe ish-Kryeministri Sali Berisha shkruan se ky është rezultati i koncesioneve të Edi Ramës. “Ky është shteti i koncesioneve të Noriegës! Mbetjet spitalore janë mbetjet më të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Asgjësimi i tyre në impiante të veçanta sipas protokolleve rigoroze, të cilat kanë ekzistuar më parë në Shqipëri, është i domosdoshëm. Por koncesionet e Ramës kanë sjellë këtë katastrofë të vërtetë mjedisore tejet të rrezikshme për jetën e njerëzve.
Kompania koncesionare e Ramës, në vend të djegies së tyre në furra të veçanta, helmon me to ujërat e pellgut Tiranë-Durrës.
Ajo, në vend se të përballet me ligjin godet gazetarin investigativ, gjen strehim në shtetin e Noriegës.
Duke i shprehur gazetarit solidaritetin e plotë dhe mirënjohjen për hetimin e tij të guximshëm, denoncoj krimin mjedisor dhe sulmin ndaj gazetarit si një krim të vërtetë shtetëror!” shkruan Berisha.