Berisha, Lotito kërkon qëndrimin e tij te Lazio

E ardhmja e Etrit Berishës te Lazio mbetet në pikëpyetje. Blerja e kroatit Vargic e largon edhe më shumë gardianin shqiptar nga skuadra bardhekaltër, por sipas mediave italiane, pavarësisht ofertave që Lazio ka marrë, nuk është e thënë që Berisha të largohet. Kontrata e tij skadon pas një viti, por afrimi i trajnerit Marcelo Bielsa mund të ndryshojë strategjinë e klubit. Sipas “Lalaziosiamonoi.it”, Berisha dhe presidenti Lotito u takuan përpara nisjes së portierit për në europian. Mendohet se numri 1 i klubit i ka ofruar garanci dhe i ka bërë me dije se beson te aftësitë e tij, pasi Marchetti mund të largohet me destinacion Juventusin dhe portieri i lindur në Prishtinë mund të zhvendoset titullar në formacionin e parë.
Një tjetër aleat i shqiptarit në Formello mund të jetë edhe trajneri argjentinas, i cili do ta nisë punën nga porta dhe me shumë mundësi, nuk planifikon t’ia besojë çelësat e katërkëndëshit Marchettit. Gjithsesi, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes as kroati Vargic, i cili u largua nga Rijeka për të nisur një eksperiencë të re në Serie A. Ai është zgjedhja e tretë e Kroacisë në Euro dhe me shumë mundësi, do të jetë pikërisht ai dhe Berisha që do të garojnë me njëri-tjetrin për të fituar besimin e Marcelo Bielsas, i cili do të mbërrijë në Itali gjatë ditëve të para të muajit korrik për të nisur aventurën e re në Serinë A.

Artikulli paraprakMaradona mesazh Argjentinës: Nëse nuk fitoni, mos u ktheni
Artikulli tjetër“Brexit” dhe futbolli