Berisha-Lu takim për Reformën në Drejtësi dhe krimin

Ish-Kryeministri Prof. Dr. Sali Berisha priti në një takim ambasadorin amerikan Donald Lu, me të cilin diskutoi gjërësisht për problemin e Reformës në Drejtësi, perspektivën e kësaj reforme. Ambasadori Lu e njohu zotin Berisha me rëndësinë shumë të madhe që qeveria e tij i kushton kësaj reforme si dhe me punën që kanë bërë këto ditë ekspertët ndërkombëtarë.
Berisha theksoi se, opozita është forca politike më e interesuar për reformën, të cilën Rama bëri gjithçka ta përjashtonte nga procesi, ndonëse asnjëherë, nuk kishte ndodhur kurrë që Kushtetuta të amendohej pa opozitën. Kjo praktikë që ndoqi Rama bëri që të humbet një vit kohë dhe dy draftet të kthehen me vërejtje thelbësore nga Komisioni i Venezias, vërejtje që në tërësi ishin paraqitur nga opozita.
Berisha shprehu besimin se, nëse ekziston vullneti politik i sinqertë, kjo reformë mund të votohet me konsensus të plotë në Parlament.
Në takim u diskutua gjërësisht mbi gjendjen e kriminalitetit në vend. Berisha theksoi se, lidhjet e Ramës me  krimin, vrasësit dhe bandat, janë një problem tmerrësisht shqetësues për opozitën dhe vendin. Rasti i Arben Frrokut është një dëshmi tjetër e lidhjeve të fuqishme të Ramës dhe qeverisë së tij me krimin ndaj dhe ndihma e SHBA-ve në problemet e dekriminalizimit është e një rëndësie shumë të madhe, u shpreh Berisha.

Exit mobile version