Ish-Kryeministri Berisha ka paralajmëruar dje kreun e qeverisë se çdo largim nga zgjidhja me mjete politike të krizës aktuale do të ofronte për Ramën një zgjidhje fatale. Berisha deklaroi prerë se deri tani është ofruar një zgjidhje mëshire për Ramën, por edhe kjo mëshirë ka një afat.
“Edvin, mos i rri larg zgjidhjes politike, se alternativë do të kesh vetëm zgjidhjen fatale. Zgjidhja politike është e vetmja zgjidhje për ty. Kryekriminel që e mbushe vendin, e shndërrove Shqipërinë në narko-Republikë. Zgjidhje mëshire, por edhe mëshira ka një kufi, edhe ajo po u tejkalua, pastaj të pret fataliteti, të cilin e meriton në çdo formë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri ka përforcuar tonet ndaj kreut të qeverisë vetëm tre ditë para protestës dhe revoltës së madhe popullore që është paralajmëruar më datën 7 maj në Kavajë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve fasadë dhe pa opozitën.
“Data 7 maj është një ditë historike në analet e demokracisë shqiptare. Pas 27 vitesh, Kavaja sërish bëhet kryeqyteti i demokracisë. Më 7 maj, Kavaja firmos fitoren e saj, fitoren e mbarë shqiptarëve, Kavaja hedh në kosh të plehrave, ia përplas në surrat, farsën e drogës, farsën elektorale të krimit, Noriegës së shqiptarëve, Edvin Kristaq Ramës”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri ka pasur një mesazh të veçantë për Kavajën, zonë eletorale në të cilën ai ka kandiduar për shumë vite dhe i ka përfaqësuar në Parlament. “Thirrja ime për qytetarët e Kavajës në lartësinë e idealeve të tyre është ta shndërrojnë 7 majin me guximin, trimërinë, zgjuarsinë e tyre në ditën e ngadhnjimit të revolucionit mbi farsën elektorale. Paqësisht dhe me dinjitet të refuzojmë këtë farsë me të cilën Edi Rama ka vetëm një qëllim: të konsolidojë narko-Republikën, të konsolidojë narko-policinë, të konsolidojë narko-gjykatat, të konsolidojnë të ardhmen narkotike të shqiptarëve”, tha Berisha duke shprehur siguri për fitoren e opozitës në këtë betejë.
Ish-Kryeministri Berisha ka përshëndetur dje në ditën e 76 të protestës të gjithë lëvizjen popullore. “Së pari, një përshëndetje të përzemërt për ju, qëndrestarë të votës së lirë, që shënuat në ditën e sotme një rekord historik të protestës së shqiptarëve për liri dhe për fitore”, tha Berisha.
Mesazhi i veçantë i Berishës për Hungarinë
Pakkush e di atë që Berisha deklaroi për mbështetjen e Hungarisë në rrëzimin e diktaturës në Shqipëri. Berisha kujtoi dje në çadrën e protestës në prezencë edhe të deputetëve dhe ambasadorit hungarez se, deputetët e këtij vendi ishin të parët që vizituan opozitën demokratike në vitin 1991, ndërsa evokoi rolin e Radio Hungarisë.
“Miku ynë i dashur Nemeth! Ne ndjehemi shumë krenarë me ty sot dhe vizitën tuaj këtu e konsideroj një lajmëtar, një ogur të mbarë të fitores sonë të sigurtë! Të rinjve këtu do t’u rikujtoj sot një moment: deputetët e parë që erdhën në ditët e para të themelimit të PD-së, ishin deputetët hungarezë. Ishte Radio Hungaria dhe ambasada hungareze, zëdhënëse të shkëlqyera të lëvizjes demokratike shqiptare”, tha Berisha duke iu drejtuar kryetarit të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit hungarez i pranishëm në çadrën e protestës së opozitës.
Berisha ka deklaruar se opozita po zhvillon një betejë jetike për vendin për të mos lejuar kthimin e Shqipërisë pas në kohën e partisë-shtet.
“Sot ne jemi prapë në një betejë jetike për vendin. Etërit e Edi Ramës e mbajtën 47 vite pushtetin vetëm e vetëm me krimin, me pushkatime. Ai që fliste burgojes, internohej, pushkatohej. Vendi kishte shkolla, kishte spitale, kishte veprimtari, por pushteti mbahej vetëm me krimin”, tha Berisha.
Ish-Kryeministi bëri një krahasim të fatit të Ramës me atë të Noriegës, i cili edhe pse ashtu si Rama pati një mbështetje ndërkombëtare për një kohë të shkurtër, fundi i tij ishte i tmerrshëm dhe burgim i përjetshëm në Shtetet e Bashkuara.
“Sot pasardhësi i tyre, biri shpirtëror i Enver Hoxhës dhe i një krimineli biologjik ka vendosur të mbajë pushtetin me krim. Pikërisht në këtë vendim e shndërroi Shqipërinë me një shpejtësi të rrufeshme në narko–Republikën e dytë në botë pas Panamasë së viteve ‘80 dhe vetë u dëshmua Noriega i Evropës.
Miqtë e mi, ju duhet ta dini se dhe Noriega kishte mbështetës dhe mbështetje, siç ka Rama sot. Por përsëri, ata që e mbështetën Noriegën, një ditë dërguan marinsat dhe i treguan vendin. Edi Rama përpiqet të mbijetojë politikisht me krimin dhe mbi krimin.
Ja ku duhet t’i themi këtu se, ne do të të shembim ty, perandorinë e krimit dhe të drogës dhe çdo ditë që kalon, laku në fyt po të ngushtohet”, tha Berisha.
Berisha ka denoncuar edhe injorimin dhe ofendimin që Rama i ka bërë përfaqësuesit të Bashkimit Europian që erdhi në Tiranë si negociator për krizën, duke sjellë një detaj nga takimi i Bashës me Ramën në Presidencë, ku ky i fundit ka hedhur poshtë ofertën e negociatorit të Bashkimit Europian.
“Mashtrues ordiner, Nastradin i vërtetë! Tre ditë më parë deklaronte se unë do të bëj çfarë të thotë PPE-ja, kurse dje i thoshte në takim Lulzim Bashës as që i njoh fare ato propozime”, tha Berisha.