Ish-Kryeministri Berisha ka pritur në një takim senatorin italian, Aldo di Biagio. Senatori Di Biagio i ka përcjellë Berishës përshëndetjet miqësore, si dhe vëmendjen e plotë të presidentit të Dhomës së Senatit italian, zotit Pier Ferdinando Casini. Ish-Kryeministri ka falënderuar senatorin Di Biagio për të gjithë ndihmën dhe interesin e madh që partitë e qendrës së djathtë në Itali kanë treguar ndaj PD dhe kauzës së saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai ka vlerësuar me keqardhje situatën e paprecedentë në të cilën ndodhet vendi ynë. “Sot Edi Rama ka mbyllur çdo hapësirë për garë elektorale, ai ka shkatërruar në mënyrë të plotë mundësinë e zgjedhjeve të lira në këtë vend”. Në këtë kontekst, ai e ka njohur senatorin Di Biagio me raportin e DASH të publikuar pak ditë më parë, në të cilin deklarohej se sipas fotografimeve ajrore janë gjetur 2000 plantacione kanabisi dhe kjo në një kohë kur Guardia di Finanza ka fotografuar nga ajri vetëm 18% të territorit të vendit, çka do të thotë që janë të paktën rreth 10 mijë plantacione kanabisi. Fatkeqësisht, ka theksuar Berisha, qeveria favorizon dhe mbështet trafikantët dhe bandat, dhe kanabizimi i vendit është një politikë zyrtare e pashpallur e qeverisë. Ai ka shprehur shqetësimin se e gjitha kjo ndodh nën heshtjen thuajse të plotë të komunitetit ndërkombëtar në vend për këtë problem madhor. E gjitha kjo sasi e jashtëzakonshme droge, si dhe paratë e pista në qarkullim nuk lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend. Në vitin 2005 Shqipëria dominohej nga bandat më të rrezikshme të rajonit e ndofta dhe të Evropës, por qeveria e PD shpalli zero tolerancë ndaj krimit dhe në 18 muaj u shkatërruan mbi 204 banda dhe organizata kriminale dhe u arrestuan mbi 1000 anëtarë dhe bosë të këtyre bandave, Shqipëria u bë një vend i sigurt, me shifra të kriminalitetit nën mesataren e BE. Sot Edi Rama po liron një nga një të gjitha këto banda dhe u ka ngarkuar atyre detyra elektorale. Ndaj Berisha ka shprehur shqetësimin se kjo është një tjetër arsye se në Shqipëri nuk mund të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Nga ana tjetër e tërë administrata – polici, gardë, ushtri, arsimtarë etj., është pajisur me formularin e patronazhistit për të rrëmbyer votat e qytetarëve. Berisha theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri që është peng e Eskobarit të Ballkanit, ku ministra dhe vetë Edi Rama janë të akuzuar si të filmuar në skena të papërshtatshme në hotelin e Eskobarit. Pra, është e qartë se shteti po përdor gjithçka për të varrosur votën e lirë të shqiptarëve ndaj dhe opozita po lufton paqësisht për votën. Ai u shpreh se kjo mund të arrihet me një qeveri teknike, një qeveri që njeh që vendi është kthyer në një kanabistan, një qeveri që lufton bandat dhe kriminalitetin, një qeveri administratën shtetërore nuk do e kthejë në një trup zgjedhor. Pa këto kushte nuk mund të ketë zgjedhje. Opozita shqiptare është e vendosur të bëjë çdo gjë që shqiptarët të votojnë të lirë. Ndërsa senatori Di Biagio e vlerësoi situatën si të dalë jashtë rregullave demokratike dhe theksoi se rruga që opozita shqiptare ka zgjedhur është e drejtë, e fortë dhe e pjekur. Ai shprehu mbështetje të plotë kauzës së opozitës dhe se do të bëjë çdo përpjekje që gjendja tejet e rëndë në Shqipëri të paraqitet me objektivitet edhe në Bruksel.