Etrit Berisha po shijon një sezon të shkëlqyer me Atalantën, duke bërë paraqitje spektakolare javë pas jave. Përveç notave të larta që merr nga mediat italiane, portieri i Kombëtares shqiptare është vlerësuar edhe nga “FIFA 17”, loja e njohur e futbollit në kompjuterë.
Çdo javë, “FIFA Ultimate Team” përzgjedh lojtarët më të mirë nga të gjitha kampionatet në botë bazuar në paraqitjet e tyre në fushë. Në edicionin e 24-t, pjesë e ekipit është edhe Berisha, një ndër pikat e forta të Atalantës në fitoren 0-2 ndaj Napolit. “Gardiani” kuqezi është pjesë e stolit rezervë, një vlerësim gjithsesi i rendësishëm, duke pasur parasysh që lista përzgjedh vetëm 24 lojtarë nga e gjithë bota.
Në 11-shin titullar, porta i takon argjentinasit Xheronimo Ruli (Real Sociedad), ndërsa në mbrojtje rreshtohen Aleks Sandro (Juventus), Nelson Semedo (Benfika) dhe Patrik van Anholt (Kristal Palas).
Në mesfushë janë Cesk Fabregas (Çelsi), Marko Verrati (PSG) dhe Memfis Depai (Lion), ndërsa në sulm dyshja Robert Lewandowski (Bajern Mynih) – Herri Kejn (Totenhem) me Raxha Naingolan (Roma) pas tyre.
Bankina rezervë, përveç Berishës, përbëhet nga: Xhejms Karter (Aston Vila), Nabi Keita (Lajpcig), Jens Tornstra (Fejnord), Adrian Gonzalez (Eibar), Markel Susaeta (Bilbao) dhe Serxh Gnabri (Verder Bremen).