Kryetari i Partisë Demokratike Librazhd, Bujar Vreto, ka dhënë një intervistë për Alfapress.al, me gazetarin Ersid Karaj, ku ka folur rreth situatës politike në vend, e veçanërisht për situatën politike në PD.
Vreto ka nënvizuar gjatë fjalës së tij se në Shqipëri nuk duhet të ketë të paprekshëm, përfshi edhe Berishën, Metën dhe Ramën, por të gjithë duhet të trajtohen të barabartë përpara ligjit, si të gjithë qytetarët e tjerë.
Më tej, kreu i degës së PD Librazh, shprehet se “Partia Demokratike është një pasuri kombëtare dhe të ardhmen e saj e shikoj si një alternativë angazhuese, mos të them e vetme që lufton për forcimin e institucioneve demokratike dhe për një shtet të së drejtës. PD e shikoj si të vetmen forcë që inkurajon një gjyqësor të pavarur, respektimin e lirive si vlerë monumentale e të drejtave të njeriut dhe luftën pa kompromis ndaj korrupsionit. PDSH është një forcë madhore që duhet të promovojë transparencë në proceset e vendimmarrjes, të jetë meritokratike në thelbin e saj, të jetë e hapur me intelektualet, prurjet e reja, të dëgjojë mendimin e bazës dhe të vlerësojë kontributorët”.
Intervista e plotë:
Gazetari: Zoti Bujar, fillimisht faleminderit për kohën tuaj për këtë intervistë.
Kryetari i PD, Librazhd: Së pari dua t’ju falenderoj shumë për përzgjedhjen time në këtë intervistë, ju garantoj se për çdo pyetje do jem i vërtetë!
Gazetari: Në qendër shohim që grupi i Rithemelimit dhe PD ende nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për ribashkim, si paraqitet kjo situatë në bazë, e keni gjetur ju këtë gjuhë me palët e tjera në Librazhd?
Kryetari i PD, Librazhd: Partia Demokratike ka dy vite e gjysmë që po “lëngon” e thënë në gjuhën popullore apo është e “atrofizuar” të themi në gjuhën mjekësore. Kjo ndarje nuk ka ardhur si shtysë nga anëtarësia, por si rezultat i udhëheqëses 34-vjeçare të kësaj partie.
Ne ngremë një tezë: A është problem Basha dhe Berisha në këtë rast? Por unë nuk e mendoj kaq bardhë e zi, sepse problemin e shikoj që në PD ekzistojnë dy filozofi të ndryshme: njëra që udhëhiqet nga z.Bershia që në përmbajtje nuk ka bosht ideologjik dhe përbëhet nga militantët idealistë, intelektualë të ndershëm që mendojnë se me z.Berisha vijnë më shpejt në pushtet edhe një pjesë e vogël, por me asete të mëdha janë ata që kanë shijuar pushtetin 13-vjeçar, (1992-1997 dhe 2005-2013), të cilët kanë krijuar probleme mjaft të mëdha dhe thelbësore në imazhin qeverisës të PD-së në popull, dhe kjo kategori e vogël, por mjaft e fuqishme sidomos me mjete monetare nuk kanë lejuar të depërtojnë askush jashtë rrethit të tyre në udhëheqësinë e kësaj partie, (vetë fakti tregon se ata që lëpinin dje Bashën sot thithin Berishën), janë të njëjtit aktorë që ndriçojnë me mediokritetin dhe shfaqet teatrale.
Filozofia tjetër që jetonte e shtypur deri në 9 shtator 2021 me një bosht të qartë ideologjik djathtas, tashmë ka marrë formë dhe në përbërje të saj ka militantë, njerëz me vizion që vijnë nga shtresa të oponencës, disidencës, pronarëve, të përndjekurve dhe intelektualë të fushave të ndryshme me vokacion Perëndimor.
Të kthehem tek pyetja juaj, dua të them se bashkimi ndodh mbi baza parimesh dhe jo individësh, sepse kjo nuk përbën asgjë si brenda të djathtës apo në opinionin publik, se u bashkuan 20 deputetë me Berishen apo jo, se u bë një konfederatë apo jo. Ata janë të njëjtit persona, të njëjtët fytyra që i kanë shkaktuar një dëm të pariparueshëm PD-së dhe të djathtës në tërësi.
Partia Demokratike ka një kosto të madhe për mos kthimin e pronave, për mos rehabilitimin moral dhe material të ish-të përndjekurve politikë, për mos rishkrimin mbi baza autentike të historisë dhe për mos ekuilibrimin e shtresave që janë margjinalizuar nga diktatura komuniste.
Partia Demokratike duhet të jetë e qartë në vizionin e saj për të ardhmen e Shqipërisë, për marrëdhënie me ndërkombëtarët, e sidomos me BE-në, Anglinë dhe SHBA-në, që të gjitha këto duhen trajtuar si një paketë për bashkimin e faktorëve, aktorëve dhe kontributorëve.
9 shtatori i vitit 2021, duhet parë si pikë-kthesë e ndarjes me sistemin oligarkik 34-vjeçar; korrupsionin dhe minimin e demokracisë. Vendimi i datës 18 dhjetor i vitit 2021, Kuvendi PDSH-së duhet ruajtur si thesarë për partneritetin tonë me SHBA-në, Perëndimin dhe ndarjen njëherë e përgjithmonë me personat e shpallur “non grata”, pra mbi bazën e këyre parimeve duhet të gjendet gjuha e përbashkët për bashkim me Rithemelimin në qendër.
Baza, siç e thashë edhe më lartë nuk është fajtore për situatën në të cilën ndodhet PD, madje anëtarësia ndihet e tradhtuar pasi nuk është pyetur asnjëherë për vendimet e rëndësishme, madje as për përfaqësuesit e tyre në Kuvend, të cilët sot sillen si të ishin të ardhur nga qielli; hiqen të mençur pa lexuar një libër në jetën e vet dhe ç’është më e keqja, po transmetojnë tek disa individë mënyrat e tyre tinëzare, shpifëse dhe injektojnë paratë e korrupsionit për të qenë sërish protagonistë në legjislaturën e ardhshme.
Baza e partisë është e traumatizuar, e zhgënjyer dhe e zemëruar, por në tërësinë e vet duke përjashtuar disa individë që e kanë të lidhur me interesin e të qenurit në parti e respektojnë njëri-tjetrin, duan bashkim dhe ta shikojnë PD-në në pushtet.
Gazetari: Ndryshe nga pozicionimet e tjera që ka prevaluar grupi i Rithemelimit me palët e tjera të opozitës, a ka premisa pozitive Partia Demokratike në zgjedhjet që do pasojnë në Librazhd?
Kryetari i PD, Librazhd: Drejtimin e Rithemelimit në qendër dhe bazë unë nuk e shikoj të ketë ndryshime thelbësore në mentalitet nga qeverisja e djeshme dhe kjo e sotme, gjithashtu edhe me palët e tjera që e mendojnë veten opozitë. Referuar pyetjes tuaj, Partia Demokratike në tërësi, por veçanërisht në Librazhd, ka qenë konsekuente dhe koherente për qëndrimet e saj në raport me anëtarësinë, faktorët, aktorët me institucionet dhe çdo intelektual apo njeri i lirë që dëshiron të jetë pjesë e sfidave.
Ne jemi të gatshëm për t’u përballur në zgjedhjet e radhës apo të parakohshme me gjithë fuqinë, kapacitetin infrastrukturor, programin e detajuar lokal dhe presim ta sinkronizojmë me atë qëndror.
Struktura jonë është solide dhe çdo ditë punojmë me militantët që janë të dyzuar të na bashkohen, me të rinj e të reja; me intelektualë të fushave të ndryshme që e duan progresin, ndryshimin dhe janë të devotshëm për të marrë përgjegjësi në shërbim të qytetarëve.
Gazetari: Nëse në qendër “Federata Opozitare” do të bashkohej një ditë me Partinë Demokratike, ju do ta pranonit këtë ftesë në qytetin tuaj?
Kryetari i PD, Librazhd: Ju thoni “Federate Opozitare” dhe në fakt më të drejtë sepse ashtu e quajnë veten ata, por e vërteta është se ata janë një bashkim mekanik për t’u imponuar ndërkombëtarëve, SPAK-ut dhe të polarizojnë sa më ekstremisht pozitat e opozitës.
Ata mendojnë se me këto veprime po manipulojnë qëndrestarët, po sfumojnë PD-në dhe po garantojnë ndonjë karrige deputeti në zgjedhjet e ardhshme.
Ky është misioni i tyre miopatik dhe miopik që nuk të çon asgjëkund, por mban në këmbë sistemin e kalbur oligarkik që sot drejtohet nga kryeoligarku Edvin Rama.
Ky sistem ka sot 34-vjet i ndërtuar me mjaft mjeshtëri nga zgjatimet e Ramiz Alisë që në zhargonin e përditshëm quhet “Trekëndëshi i Bermudës“.
Ne dëgjojmë analistë, intelektualë, por dhe opozitarë që thonë se tashmë jemi në një Republikë Kryeministriore, ndërsa unë jam i bindur se kjo nuk është as Republikë, Kryeministriore, as Parlamentare, as Presidenciale dhe as ndonjë formë tjetër regjimi, por është Republikë Oligarkike. Dhe debati është kush do drejtojë oligarkinë nga pjesët e “Trekëndëshit.” Prandaj si përfundim për pyetjen tuaj, mendoj se bashkimi duhet të jetë me gjithë opozitarët, njerëzit e lirë, të rinjtë e të rejat që nuk janë implikuar me afera dhe nuk e mendojnë karrigen si vend pasurimi, por si mundësi shërbimi ndaj popullit.
Gazetari: Si e komentoni protestën e 20 shkurtit dhe prezencën e qytetarëve në Tiranë?
Kryetari i PD, Librazhd: Protestat në një vend demokratik janë të shëndetshme dhe duhet të jenë më të shpeshta kur qeverisja kthehet në gangrenë për popullin e vet, kur zyrtarët përfshihen nga arroganca dhe zotërojnë pasuri marramendëse nga vjedhjet e taksave, pronave publike nën dhe mbi tokësore si dhe nga uzurpimi i institucioneve. Protestat duhet të drithërojnë qeverinë kur ngrihen arsimtarët, policët, mjekët, studentët pensionistët, opozitarët dhe të gjitha shtresat që janë ndjerë të tradhtuar nga mos mbajtja e premtimeve për rritje pagash, pensionesh apo përmbushje të detyrimeve.
Unë protestën e 20 shkurtit e vlerësoj për sinqeritetin e protestuesve të cilët besonin tek togfjalëshi “o sot o kurrë”, besonin se do rrëzonin Ramën, besonin se do qëndronin dhe nuk do tradhtoheshin nga drejtuesit, por neveris dhe përçmoj qëllimin manipulative të protestës se po shkojmë për Ramën, por në fakt jemi për të kërcënuar Gjykatën si për vulën ashtu edhe për zyrtarët që akuzohen për korrupsion. Vlerësoj demokratët që ju bashkuan protestës, por analizoj pse populli nuk u solidarizua me protestën, a mos vallë populli i shikon drejtuesit me “Versace” në protestë, me makina mbi 100 mijë euro; a mos vallë populli e ka të freskët 2013 kur i dha 1 milion vota kundër qeverisë, a mos vallë kupton se këta vjedhin bashkë dhe thotë me të drejtë do heqim Ramën si hajdut më të madh dhe vendosim Berishën si hajdut më të vogël apo po mendon t’i shkulë nga themelet këta zyrtare e ish-zyrtare më të korruptuarit në rajon?!
Gazetari: Si e komentuat vendimin e Lulzim Bashës dhe PD për të mos marrë pjesë në Kuvend për votimin e Amnistisë Penale? Çfarë rreziku sjell kjo për drejtësinë shqiptare në raport me zyrtarët e korruptuar?
Kryetari i PD, Librazhd: Amnistia Penale në vendet demokratike është e nevojshme për disa lloje të caktuara krimesh që janë dënuar apo janë në proces. Duke e konsideruar si problem social apo humanitar deputetët e Partisë Demokratike duhet të bëheshin pjesë ashtu si dhe u bënë në Komisionin e Ligjeve për të propozuar edhe ata amandamente me nene të caktuara që të përfshiheshin në paketën ligjore pa prekur thelbin e proporcionalitetit mbi marrëveshjen juridike. Unë mendoj se z.Basha, bashkë me deputetët e PD-së vepruan drejt që nuk morën pjesë në seancë për t’u votuar amnistia, sepse tinëzarisht nga mazhoranca bashkë me diabolizmin e theksuar të Bardhistëve u fut një amandament për të delegjitimuar SPAK-un në opinion publik dhe favorizuar zyrtarët e korruptuar të nivelit të lartë. Ky amandament nuk ishte proporcional për rrethanat e rastit, por as parimor për themelet e sundimit të ligjit që siguron drejtësi të barabartë për të gjithë.
Gazetari: Reforma Zgjedhore është një nga çështjet që tashmë po diskutohet online për shkak të flakadanëve të Rithemelimit në Kuvend. Pas gjithë këtyre trazirave që ndodhemi sot, a do të ndihmonte vota e shqiptarëve të diasporës vendin tonë në kushtet aktuale politike?
Kryetari i PD, Librazhd: Reforma zgjedhore duhet të jetë subjekt i një debati të gjerë publik dhe aktorët politik që kanë në dorë vendimmarrjen të përmirësojnë rregullat për regjistrimin e votuesve sidomos emigrantëve (Diasporës), në mënyrën e votimit duke aplikuar atë elektronik, listat e hapura sepse bie kryetarokracia dhe parlamenti ju kthehet qytetarëve. Komisioni për reformen duhet të shikojë me përparësi financimin e subjekteve zgjedhore si dhe çdo aspekt për një sistem të besueshëm dhe të drejtë, pra larg pazareve si kërkon një pjesë e Rithemelimit që “të na jepni nën/kryetarin e zgjedhores, t’ju japim votat për amnistinë” edhe pse lirohen zyrtarët e korruptuar për ta nuk përbën problem. Vota e diasporës konsiderohet nga ana jonë jetike për demokracinë jo vetëm se do përmbushte një detyrim kushtetues për të votuar çdo shtetas shqiptarë që ka mbushur moshën, por do rregullonte edhe balancat elektorale. Diaspora as shitet e as blihet.
Gazetari: Duke qenë se prekëm edhe temën e drejtësisë më lartë, çfarë mendoni për fatin e Berishës tashmë të kthyer me shpatulla pas murit nga drejtësia?
Kryetari i PD, Librazhd: Në fakt drejtësinë e re (SPAK) shqiptarët po e shikojnë me besim, se beteja me korrupsionin do fitohet. Ju po më pyesni për fatin e Berishës dhe shpatullat e tij pas murit, në fakt unë doja ta shikoja çështjen përtej personit të lartpërmendur sepse këtu është proplem sistemi korruptiv i ndërtuar prej 34-vjetësh. Korrupsioni në institucionet tona manifestohet në shumë forma, në shuma të majme valute, favorizime të paligjshme përmes postit ndaj të afërmve, të tretëve apo përfitimeve të fuqishme personale. Individët që drejtojnë kanë luftuar dhe luftojnë me të gjitha mënyrat për të mbajtur institucione të dobëta, të komandueshme dhe t’i përdorin selektivisht për të përfituar individë apo grupime të strukturuara. Në fakt kjo tipologji drejtimi është edhe minimi i demokracisë. Drejtësia e re duhet të sigurojë një qasje të barabartë për të gjithë para ligjit duke rritur besimin tek qytetarët, nuk duhet të ketë më të paprekshëm përfshirë Berishën, Metën, Ramën dhe gjithë zyrtarët e lartë që kanë abuzuar me ligjin në favor të përfitimeve. Sa për pyetjen konkrete, mendoj se Berisha para ligjit duhet të trajtohet si gjithë qytetarët e tjerë, të largohet me vullnet të lirë nga mburoja politike dhe të gjykohet drejt, brenda procedurave dhe në themel të çështjes, të jenë provat.
Të marrë pafajësinë nëqoftëse është i pafajshëm ose dënimin nëqoftëse vërtetohet fajësia. Personalisht, dëshiroja që z.Berisha të ishte larguar defakto në 2013 nga mbikqyrja e PDSH-së dhe sot mos mendonim dënohet apo jo, por të ishte në memorien e demokratëve apo çdo shqiptari si njeriu i dritëhijeve që historia do e zbardhte.
Gazetari: Si e shihni të ardhmen e Partisë Demokratike, duke patur parasysh këtu qytetin e Librazhdit por edhe më gjerë?
Kryetari i PD, Librazhd: Partia Demokratike është një pasuri kombëtare dhe të ardhmen e saj e shikoj si një alternativë angazhuese, mos të them e vetme që lufton për forcimin e institucioneve demokratike dhe për një shtet të së drejtës. PD e shikoj si të vetmen forcë që inkurajon një gjyqësor të pavarur, respektimin e lirive si vlerë monumentale e të drejtave të njeriut dhe luftën pa kompromis ndaj korrupsionit. PDSH është një forcë madhore që duhet të promovojë transparencë në proceset e vendimmarrjes, të jetë meritokratike në thelbin e saj, të jetë e hapur me intelektualet, prurjet e reja, të dëgjojë mendimin e bazës dhe të vlerësojë kontributorët. Qytetarët do na besojnë nëse ne kemi një program gjithëpërfshirës për zhvillimin ekonomik, investimet, krijimin e vendeve të punës, inovacionin dhe rregullimin e padrejtësive që janë bërë me shtresat e shoqërisë. PDSH, duhet të rrisë dhe shkëmbejë eksperienca me partitë si motra të djathta në BE, por dhe të forcojë marrëdhëniet me SHBA-të. Vokacioni Perëndimor i kësaj force politike do mundësojë integrimin e shpejtë të Shqipërisë, do përmirësojë standartet dhe respektimin e vlerave demokratike. PDSH-në e shikoj me një të ardhme premtuese si alternativë qeverisëse, por na duhet mjaft punë për të forcuar bashkëpunimin me faktorët, aktorët dhe kontributorët e pakorruptuar brenda vetes, por dhe me aleatë që na bashkon barazia para ligjit, mundësi të barabarta në start për zhvillimin ekonomik, ku në themel të jetë individi dhe shteti të ketë rolin e rregullatorit.
Lidershipi i partisë duhet të distancohet nga parazitët, intrigantët dhe njerëzit që i dalin parasyve 10 herë në ditë për të përfituar një vend në listat e deputetit, por të dëgjojë anëtarësinë dhe strukturat e bazës se vetëm atëherë do kthejë besimin, do rikuperojë listat fasade të vitit 2021, se ja ku jemi sot me deputetët një pjesë më e pakta mediokër, një pjesë tjetër ditën qajnë poshtë ballkonit dhe natën ndajnë ofiqet me Ramën dhe një pjesë tjetër që janë për t’u falenderuar me qëndrimet e tyre, por e pamjaftueshme për të bërë ndryshimin.
Bashkë me demokratët dhe qytetarët e mi të rrethit të Librazhdit do bëjmë të pamundurën të jemi një alternativë fituese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjej rastin të ftoj të gjithë ata burra, gra, të rinj e të reja që kanë qenë edhe 1 orë me Partinë Demokratike, por që nuk i kanë zhytur duart në malin e korrupsionit dhe duan ndryshimin, të na bashkohen, e njëjta thirrje shkon edhe për intelektualët, njerëzit e lirë dhe kush ka lidhje shpirtërore apo programore është i mirë se ardhur!/Alfapress.al