Berisha: Mision për të shkatërruar Parlamentin!

Ish-Kryeministri Berisha ka akuzuar direkt ministrin e fundit të policisë kriminale të diktaturës se ka marrë si mision shkatërrimin e Parlamentit. Reagimi i Berishës erdhi menjëherë pasi Ruçi mori vendimin për të përjashtuar deputetin Noka, i cili kërkoi fjalën për procedurë dhe pasi iu mohua fjala kërkoi të flasë nga podiumi i Parlamentit.
Berisha ka kujtuar se rregullorja është e qartë se deputetit i jepet fjala për procedurë sa herë ta kërkojë.
“Siç e shihni, ministri i fundit i policisë kriminale terroriste të diktaturës hoxhiste ka marrë përsipër një mision, shkatërrimin përfundimtar të institucionit qendror të demokracisë që është Parlamenti. Ju konstatoni se ai, për herë të dytë ju mohon të drejtën e fjalës për procedurë, e cila është e drejta më bazike, jo vetëm në Parlamentin shqiptar, por në të gjithë parlamentet e botës dhe asambletë parlamentare ndërkombëtare, përfshi këtu edhe samitin botëror të OKB. E drejta e procedurës është një e drejtë që nuk mund të shkelet kurrë. E shkel vetëm një njeri që do të shkatërrojë Parlamentin shqiptar.
Këta kanë frikë dhe nga Parlamenti, por të jenë të sigurtë që çmimin më të madh do ta paguajnë ata vetë. Nuk ka ndodhur kurrë në histori që në mënyrë kaq të vendosur të mos respektohet e drejta e fjalës për procedurë si sot”, tha Berisha.

-Është e vërtetë që ju ka ofenduar Kryeministri?
Nuk kanë asnjë rëndësi ato të tjerat, sigurisht ato kanë procedurën e vetë, por kapitale është. Si ta thotë mendja që mund të më ofendojë mua Edi Rama?! Po ai të nderon çdo fjalë që të thotë. Edvin Shullazi! Problemi themelor është se kemi të bëjmë me mohimin e të drejtës së fjalës për procedurë. Ju e patë çfarë kanë bërë këta. Kanë bërë ligjin për minoritete, me të cilin jam plotësisht dakort, me të cilin plotësohet nga ana ligjore për minoritetet Kushtetuta e Shqipërisë. Kush e paraqet këtu atë ligj? E paraqet Ministria e Jashtme, a thua se minoritetet të jenë shtete të jashtme brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Pse e bën këtë ai? Ai e bën këtë për ta patur si trofe personale në kuadrin e dështimit total, apo të diplomacisë më të dështuar që nga koha e diktaturës deri sot. Megjithatë fjalët u thanë. Problemi themelor është mohimi i të drejtës për procedurë. E drejtë që në çdo samit ndërkombëtar, në çdo asamble ndërkombëtare kurrë nuk mohohet.

-A ka skenar opozita për të bllokuar Kuvendin?
Mazhoranca ka një skenar për të mashturar qytetarët, por ju jeni këtu, dhe konstatoni se gjithçka filloi me mohimin e të drejtës së fjalës për procedurë të deputetit Flamur Noka. Lexoni nenin përkatës të rregullores se çfarë thotë. Ajo thotë se “deputeti që kërkon fjalën për procedurë i jepet menjëherë fjala. Nëse e kërkon gjatë kohës që tjetri flet, atëherë e merr fjalën, pasi të mbarojë ai që po flet. Nëse e kërkon pas fjalës, përpara diskutimit tjetër, ai që kërkon fjalën për procedurë ka përparësi absolute”. Por këta nuk kanë përparësi funksionimin e Parlamentit, përparësi këta kanë shkatërrimin. Këta janë shumicë e drogës, e krimit, shumicë e krimit dhe ndjehen të tmerruar në në çdo moment, çdo sekondë aty ku janë.

 

Artikulli paraprakShqiptarët të mbajnë shtetësinë që duan, qeveritë të mos bëhen pengesë
Artikulli tjetërNoka: Në Parlament po i bëhet atentat demokracisë