Berisha në Angli?

E ardhmja e Etrit Berishës vazhdon të mbetet në pikëpyetje. Dëshira e portierit të kombëtares shqiptare është të qëndrojë te Lacio, por me një kusht dhe ai është që 27-vjeçari nga Prishtina në sezonin e ri të jetë portieri titullar i skuadrës bardhekaltër. Presidenti Claudio Lotito pak kohë më parë ia ka premtuar diçka të tillë Berishës, por e ka bërë këtë gjë me idenë se Federiko Marketi, portieri i parë i Lacios do të largohet nga kryeqyteti italian, gjatë kësaj merkatoje. Megjithatë për momentin nuk ka asgjë konkrete për një lamtumirë të mundshme të Marketit dhe në këtë kontekst gjasat më të mëdha për t’u larguar i ka Berisha.
“Lalaziosiamonoi.it”, faqja e specializuar që qëndron shumë pranë klubit bardhekaltër raporton se për të ardhmen e gardianit shqiptar do të vendosë trajneri i ri Marcelo Bielsa, por ndërkohë bën gjithashtu me dije, për interesimin e disa klubeve angleze për Berishën. Te Lazio në këtë merkato është afruar një tjetër portier Ivan Vargiç dhe nëse qëndron edhe Marketi atëherë për kuqeziun nuk do të ketë më vend te skuadra italiane. Nga Anglia skuadrat që e pëlqejnë së tepërmi 27-vjeçarin janë Evertoni dhe Aston Villa, pa harruar këtu Watfordin, por edhe turqit e Beshiktashit. Mbetet për t’u zbuluar se cila do të jetë e ardhmja e Etrit Berishës, teksa fjalën e fundit do ta thotë trajneri i ri i Lazios, Marcelo Bielsa.
Portieri i kombëtares shqiptare të futbollit, Etrit Berisha është një hap larg ikjes nga klubi i Lacios në Serinë A. Mediat italiane shkruajnë për ndryshime të dukshme në portën e këtij ekipi.
Edhe Frederiko Marketi nuk e ka vendin e sigurt. Sipas “sport.leggol.it” konfirmimi për largimin erdhi dje nga Parisi. Lacio duket e interesuar për portierin e dytë të Francës dhe ka hyrë në tratativa për kartonin e tij.
Situata duket se komplikohet edhe për Berishën. Pak kohë më parë gardiani i kuqezinjve kërkoi më shumë hapësira me klubin italian, por me sa duket zhvillimet e fundit po marrin një tjetër drejtim.
Portali italian shkruan edhe për largimin e portierit që luan me të rinjtë e Lacios, Strakoshën. Ky i fundit u huazua te Salernitana, por mesa duket nuk është i përzgjedhur për klubin kryeqytetas.

Artikulli paraprakHysaj në garë për lojtarin e ri më të mirë
Artikulli tjetërNeymar deri më 2021 te Barça, 15 milionë euro në sezon