U finalizuan negociatat për nenin e fundit të Reformës së sistemit të Drejtësisë në vendin tonë!
Me këtë rast shpreh krenarinë dhe vlerësimin tim më të madh për rolin udhëheqës dhe përcaktues të opozitës shqiptare në tërësi dhe PD në veçanti, e cila me oponencën e saj në dy projektet që dërgoi në Komisionin e Venecias dhe projektin që u përdor për propozimin hibrid, negociata konstruktive të javës së fundit arriti:
– Garantimin e një projekti reformë që shpëtoi sistemin nga kapja qeveritare, nga kthetrat e njeriut që donte të bëhej me çdo kusht kryehetues, kryegjykatës, kryeprokuror i vendit, kujtoni vetëm projektin e tij për FBI personale të tij, përpjekjet e tjera absurde për të bllokuar për këtë shkak reformën në çdo moment.
– Garantimin për qytetarët shqiptarë të lirive dhe të drejtave që gëzojnë nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetuta e tyre duke hedhur në kosh përpjekjet për t’iu mohuar me Kushtetutë këto të drejta dhe zhvendosur ata në hapësira orwelliane apo të të shkuarës së tyre të zezë hoxhiste nga Old Mayer-i, Edvin Shullazi.
– Garantoi një proces vlerësimi transparent, ligjor, objektiv të bazuar në meritën dhe integritetin profesional dhe njerëzor të prokurorëve dhe gjykatësve tanë dhe jo në opinione, thashetheme dhe marrëzira që dëshironte i suksesshmi imagjinar!
– Garantoi që në të gjithë procesin e ndërtimit të piramidës së drejtësisë vendimmarrja të jetë ekskluzivisht si në çdo vend tjetër sovran në duart e shqiptarëve dhe jo të të huajve, siç iu deklaroi shqiptarëve me qindra herë Old Mayer-i, Edvin Kristaq Rama.
– Garantoi mbështetje të çmuar nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë në procesin e Vettingut, gjë që do ta bëjë më të besueshme dhe me transparent Reformën e sistemit të drejtësisë, de facto të udhëhequr nga opozita, të cilën Edi Rama bëri gjithçka që ta përjashtonte që në fillim nga procesi, por dështoi në mënyrë spektakolare.
Të dashur miq, le të falënderojmë nga zemra të gjithë ata që bënë përfundimin me sukses të këtij projekti që do të votojmë nesër në Parlament.
Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë miqve dhe partnerëve tanë, mbështetja e të cilëve ishte e një rëndësie thelbësore në përfundimin e hartimit të kësaj reforme të bazuar në parimet e larta të drejtësisë së pavarur, eficente, transparente, të përgjegjshme para ligjit. sb