Të dashur miq, sot (dje) një gjykatë franceze urdhëroi lirimin me kusht të ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj të arrestuar në mënyrë absurde nga policia franceze në aeroportin e Basel-Mulhouse mbi bazën e një urdhërarresti kryekëput politik të lëshuar vite më parë nga xhelatët e Beogradit.
Urdhërarresti i Beogradit për ndalimin e Ramush Haradinajt dhe paraqitja këto ditë e kërkesës për ekstradim, dëshmon edhe një herë se ora e udhëheqjes aktuale të Beogradit për Nikoliçin ka mbetur në kohën e Sheshelit, kurse Vuçiç në kohën e nismës së tij “një shtëpi për Ratkon”.
Ky akt konfirmon dhe një herë jo vetëm albanofobinë e verbër të Beogradit ndaj shqiptarëve, por dhe hipokrizinë e plotë të dyshes Nikoliç-Vuçiç në procesin e dialogut me Kosovën, përpjekjen e tyre për destabilizimin e rajonit duke besuar se nëpërmjet konfliktualitetit dhe destabilizimit do të mund të rigjallërojnë ëndrrën e tyre makabre të Serbisë së Madhe.
Unë i bëj thirrje autoriteteve gjyqësore franceze të heqin menjëherë kushtin e bazuar jo në të drejtën ndërkombëtare, por në mandat arrestin politik të xhelatëve të Beogradit.
Ju rikujtoj me këtë rast atyre, se taksapaguesit francezë paguajnë një gjykatë të veçantë ndërkombëtare për verifikimin e akuzave për krime lufte në Kosovë, por edhe se, ata që kanë firmosur mandatin e arrestit politik për ish-kryeministrin e Kosovës kanë bërë të njëjtin akt në verbërinë e tyre ndaj udhëheqësve politikë të vendeve anëtare të BE.
Madje nuk kanë ngurruar të dënojnë me dekada burg në mungesë udhëheqësit kryesorë të këtyre vendeve, përfshirë këtu dhe ish-presidentin e Francës, Zhak Shirak.
Unë i bëj thirrje Bashkimit Europian të dënojë me ashpërsi mandatin e arrestit dhe kërkesën për ekstradim për ish-kryeministrin e Kosovës dhe të rivlerësojë qëndrimin e Serbisë në procesin e negociatave me Kosovën dhe me Bashkimin Europian, jashtë çdo impresioni të lojës kongentiale me dy porta të “Rusisë së vogël” në Ballkan! sb