Ish-Kryeministri Berisha e ka konsideruar një akt antikombëtar përjashtimin e opozitës nga Këshilli i Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE
“Noriega mbyll dyert e integrimit për Shqipërinë. Ai përjashton nga procesi opozitën!” shprehet Berisha
Të dashur miq, mediat bëjnë të ditur sot se neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama, me sojin tjetër të bllokmenëve kanë përjashtuar fshehtas, si kulime të vërtetë, opozitën për të marrë pjesë në punimet e Këshillit të Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE, që mblidhet në Bruksel për të diskutuar për procedimin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Me këtë akt primitiv, pinjollët e bllokmenëve mizorë dëshmojnë se, me urrejtjen e tyre për opozitën, ata janë në gjendje të marrin çdo vendim antikombëtar. Ata dëshmojnë se kanë tmerr nga veprat e tyre të zeza, lidhjet me krimin, kanabizimin e Shqipërisë dhe korrupsionin galopant, dhe se ata nuk kanë kuptuar dhe nuk kuptojnë se Bashkimi Europian pranon vetëm vende që kanë opozitë të vërtetë. Përjashtimi i opozitës nga Këshilli i Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE është një akt tjetër, me të cilin neobllokmenët zhbëjnë një standard të vendosur para 6 viteve dhe që është i domosdoshëm në procesin e integrimit europian.
Me këtë akt ata tregojnë se jo integrimi i vendit, por lufta kundër opozitës është qëllimi i tyre më parësor. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë vendim të Edvin Kristaq Ramës, të përjashtimit të opozitës nga Këshilli i Stabilizim -Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, si një akt atavist dhe antikombëtar i neobllokmenit Edivin Kristaq Rama dhe pinjollëve të tjerë të bllokut hoxhist, i bëj thirrje opozitës të japë çdo kontribut për hapjen e negociatave dhe demaskimin e Noriegës dhe narkoshtetit të tij në Europë dhe në botë! sb