Besart Berisha ka mbajtur një konferencë për shtyp pas mbërritjes së tij në Kosovë, ku ka udhëtuar për t’u bërë pjesë e përfaqësueses së këtij vendi. Ish-sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, do të veshë fanellën verdheblu, të cilën e ka vlerësuar si objektivin që i kishte vënë vetes prej shumë kohësh.
“Nuk do ia kisha falur asnjëherë vetes nëse nuk do të luaja për Kosovën. Kam ardhur se dua të ndihmoj Kosovën, e dua vendin tim”, tha ai para gazetarëve.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Kam kërkuar gjithmonë të luaj për Kosovën dhe më në fund po më plotësohet dëshira. Kjo është gjëja më e rëndësishme për momentin. Unë do jap maksimumin për të shënuar, pasi si sulmues që jam, kam dëshirë të shënoj sa më shumë.
Por e rëndësishme për mua si fillim është të njihem sa me parë me shokët e skuadrës dhe të integrohem në grup. Pastaj do të shohim se si do të luajmë në takimet e radhës. Islanda? Është e fortë. Edhe pse duam fitore e kemi parë se sa të fortë janë në Europian”, deklaroi Berisha.