Nga Sebastian Zonja
Për herë të parë, këtë dekadë, pas thuajse 1 shekulli shtet shqiptar, përputhet aspirata jonë me rreshtimin gjeopolitik.
1. Shqipëria është e pozicionuar për integrim ekonomiko – politik në Bashkimin Evropian.
2. Vendi ynë është pjesë e aleancës së sigurisë së NATO-s.
3. Amerikanët janë aleatët më të shtrenjtë.
Dinamika e fortë e kësaj trajektoreje ka nisur pas anëtarësimit në NATO dhe liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Vetëm pak vite pasi u anëtarësuam në NATO, projekti i parë që vjen nga evropianët dhe amerikanët është Reforma në Drejtësi. Frytet e para i ka dhënë. Ish-kryeministri Sali Berisha është në penxhere. Gjysma e kabinetit Rama në burg. Pasuria nuk u është sekuestruar ende, ndaj pritet më shumë nga organet e reja të drejtësisë që superpaguhen dhe supermbështeten.
Është për të ardhur keq që fraksioni i Sali Berishës në PD e ka problemin parësor me prokurorinë, jo me abuzimet e qeverisë Rama dhe problemet ekonomike të shqiptarëve. Madje, gjuha e përdorur kundër saj është si ajo e Lukashenkos në Bjellorusi kundër BE-së – mafie ndërkombëtare, ambasadorë të blerë, pazare kundër sovranitetit e të tjerë.
Ndërkohë, pse, vallë, zgjodhën reformimin e drejtësisë aleatët dhe jo atë të administratës së mbushur me patronazhistë?
Për shembull, administrata publike në vitin 2013 kur mori pushtetin Partia Socialiste ishte rreth 100 mijë punonjës, sot është rreth 150 mijë.
Le ta llogarisim pak – 50 mijë punonjës më shumë, me një pagë mesatare 600 mijë lekë, i thonë 30 miliardë lekë nga buxheti (taksat tona) për pagesa patronazhistësh kryesisht.
Këtë 30 milion euro në muaj, e shumëzojmë me 12 muaj që ka viti, na del 360 milion euro shpenzime vjetore vetëm për rroga për të fryrë administratën. Nëse PD-ja e Berishës punësoi gjithë tarafin e vet në shtet dhe prap kishte 100 mijë punonjës, çfarë është duke bërë PS-ja e Edi Ramës?
Këto 360 milion euro taksa vjetore tonat mund t’i investonim për shkolla, rrugë, rend, drejtësi, çerdhe dhe kopështe, rroga më të mira mjekësh dhe mësuesish, policësh, prokurorësh dhe gjykatësish.
Shqiptarët sot vidhen nga Edi Rama me koncesione abuzive, fryrje e administratës publike me patronazhistë dhe monopole në ekonomi. Krahasuar me vendet e zhvilluara në Perëndim, ndërsa numri i popullsisë bie, Shqipëria vijon të ketë numrin më të lartë të administratës në raport me popullsinë, 26.5 %, duke lënë pas Finlandën (25%), Estoninë (23%) Lituaninë, Francën dhe Hungarinë (22%), Gjermaninë (10%), Luksemburgun (12%), Holandën (13%), Italinë (14%) dhe na e kalon vetëm Suedia me 29% dhe Danimarka (28%).
Teksa Reforma në Drejtësi ishte kërkesa e aleatëve për të përgatitur vendin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kur do ta reformojmë administratën publike mbushur me patronazhistë që sigurojnë votat për ata politikanë që sulmojnë çdo institucion që prek liderin e tyre dhe ruajnë këtë gjendje ekonomiko-sociale në vend?