Ish-Kryeministri Sali Berisha ka thënë mbrëmjen e sotme se, opozita ka përgjime për ministrat e qeverisë dhe për Olsi Ramën.
Duke folur përballë gazetarit Ilir Babaramo në ReportTv, ish-kryeministri Berisha është shprehur se ka fakte për të paktën 6 raste të përfshirjes së Olsi Ramës në trafik kokaine me grupin Xibraka.
‘Opozita ka një arkivë të mirë me përgjime që ia kanë sjellë partnerët ndërkombëtarë.
Opozita ka përgjime të plota për shumë ministra dhe për Olsi Ramën.
Ka fakte të plota për të paktën 6 kalime të Olsi Ramës me makinën e Xibrakës.
Janë të gjitha me prova të faktuara veprimet e organizatës kriminale që quhet Rilindje.
Opozita ndjek një strategji të sajën për të luftuar organizatën kriminale më të fortë në Europë që quhet Rilindje, kjo sepse ajo ka kapur shtetin’, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.
Berisha: Xhafaj nisi ‘të kafshojë’, mënyra e largimit tipike mafioze
Ish-Kryeministri Berisha ka komentuar sot në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo’ largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Sipas tij ministri i Brendshëm iku sipas një kodi mafioz pasi nisi ‘të kafshojë’ atje ku nuk duhet.
‘Xhafaj filloi ‘të kafshojë’ ndaj u largua. Për këtë shkak u bë i rrezikshëm për Ramën. Kë do kafshonte? Ai kërcënoi me ‘kafshim’ Gjiknurin, Ahmetajn. Këta janë të gjithë të lidhur me krimin. Edhe Klosi është i lidhur me krimin.
Ne e sulmonim sepse ai përdori metoda të sigurimit të shtetit me Ardi Veliun duke mbrojtur vëllain e tij. Ajo që bëri me çështjen Babale duke manipuluar provat e bën që të kalbet në burg.
Pse iku ai në një mënyrë krejt mafioze? Ai iku dhe nuk dha asnjë sqarim. Bëri edhe disa kërcënime dhe mbylli gojën. Shqiptarëve nuk u është thënë ende pse iku ministri i Brendshëm. Cili ishte mesazhi që dha Rama me largimin e Xhafës? Ky u arrestoi, por unë e qërova’, tha Berisha.