Berisha: Pakti Thaçi-Vuçiç, synohet zhbërja e pavarësisë së Kosovës

Hashim Thaçi i ka tërhequr fjalët e rënda që i kishte thënë në muajin gusht pasi Sali Berisha e kishte kundërshtuar ashpër çështjen e ndryshimit të kufijve. Thaçi po e mohon kategorikisht se Berishës i ka thënë “strehues i Bin Ladenit”, “i dëbuar politik” e “furnizues me naftë i makinerisë së Millosheviqit”, duke thënë se këto janë shpifje. Por, Berisha nuk është zmbrapsur. Ai, në një përgjigje për Gazetën Express, duke aluduar në Thaçin, ka thënë se Beogradi ua ka vënë kumonat në qafë argatëve në Prishtinë në përpjekje për ta krijuar Serbinë e Madhe.
Thaçi e Berisha kishin zhvilluar polemika të ashpra nëpër rrjete sociale e studio televizive pa u ballafaquar ballë për ballë me njëri-tjetrin. Berisha i kishte pritur në zyrën e tij liderët e Luginës së Preshevës, duke e kundërshtuar fort lëvizjen e kufijve si një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë duke thënë se një ide e tillë është ide serbe.
Kjo kishte nxitur reagimin e Thaçit kundër Berishës, me të cilin viteve të fundit kishte kultivuar raporte shumë të mira.
“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit.

Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës”, kishte shkruar Thaçi.
Por, tani presidenti i Kosovës në mënyrë amatoreske po e mohon që ky postim ka pasur të bëjë me Sali Berishën për faktin që aty nuk është përmendur emri i tij.
Ai me gjasë e ka dëshiruar me çdo kusht paqen me Sali Berishën, i cili pas deklaratave të Thaçit nisi një luftë frontale, duke thënë se presidenti i Kosovës me idenë e ndryshimit të kufijve, ndër të tjera është bërë argat i Beogradit.
Duke e komentuar për Express paqen e shpallur nga Thaçi, Berisha nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje.
Ai ka thënë se qëndrimet e tij janë denoncime ndaj projektit të Serbisë së Madhe, që ka për qëllim ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës.
“Ideja e ndarjes, copëtimit, shkëmbimit të territoreve apo quaje si të duash, korrigjimit të kufijve është ide e Beogradit, e servirur publikisht dhe jopubliksht, me dhjetëra e dhjetëra herë, që nga fillimi i viteve ’90 dhe gjer në vizitën e fundit të Aleksandër Vuçiqit në Gazivodë, Liposaviq, veri të Mitrovicës”, ka thënë ish-presidenti shqiptar.
Berisha nuk ka dhënë asnjë shenjë zmbrapsjeje. Ai ka thënë se Thaçi po e mban kumonën e Beogradit në qafë.
“Unë e kam kundërshtuar dhe e kundërshtoj këtë ide si antishqiptare, pavarësisht se tani Beogradi kumboret e saja ua ka varë në qafë, flamurin e saj ua ka besuar kësaj radhe argatëve të tij albanofobë në Prishtinë.

Këta të fundit në dhunim flagrant të Kushtetutës së Kosovës, pa asnjë mandat kushtetues servirin, tregtojnë për llogari të serbomadhisë këtë ide si origjinale të tyre”, ka thënë Berisha.
Berisha ka refuzuar të përgjigjet direkt rreth tërheqjes së Thaçit nga beteja, duke thënë se nuk ka asgjë personale me askënd.
“Ne rast se ndiqni kronologjinë e reagimeve të mia lidhur me ndarjen, shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve të Republikës së Kosovës, ju do të gjeni se ato nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me fjalë të rënda, sulme personale të ndokujt ndaj meje as dhe nuk janë polemike me ndokënd”, ka thënë ai.
“Qëndrimet e mia janë denoncime të hapëta, të prera, të projektit të Serbisë së Madhe dhe zhbërjes së Republikës së Kosovës, integritetit të saj territorial, sovranitetit në të gjithë territorin e saj, zhbërjes së pavarësisë, Kushtetutës, njohjeve, dhe dokumenteve ndërkombëtare mbi bazën e të cilave qëndron Kosova shtet i lirë i pavarur”, ka shtuar Berisha.
Ish-kreu i shtetit shqiptar nuk ka kursyer fjalët e mira për skenën politike, e cila po u reziston përpjekjeve të Thaçit për ndryshim kufijsh.
“Me këtë rast përshëndes forcat politike të Kosovës për qëndrimin e tyre ndaj kësaj ideje tejet të rrezikshme në radhë të parë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Duke dalë përsëri te pyetja e juaj, mendoj se Beogradi për momentin i përballur me qëndrimin e prerë të forcave politike të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar kundër kësaj ideje mund të bëjë një tërheqje, por do t’i duhen dekada dhe ndoshta nuk do të ndahet ndonjëherë prej saj”, ka theksuar Berisha.

Exit mobile version