Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si akt të shëmtuar kriminal, tentativën e Policisë, për të arrestuar aktivistët e Shoqërisë Civile që denoncuan shkarkimin e një sasie ndihmash në Ministrinë e Brendshme dje. Berisha e ka vlerësuar reagimin e Policisë ndaj atij denoncimi, si “kapje me presh me dorë”.
“Narkobanditë me uniformë, shkruan Berisha në Facebook, kërkojnë të arrestojnë aktivisten e njohur të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, znj. Adriana Kalaja, sepse ajo filmoi shkarkimin e ndihmave të vjedhura nga një makinë jo e narko policisë, në Ministrinë e Brendshme. Narkopolicia deklaroi se ato ishin ndihma të vjedhura, por ishin sjellë aty për ekspertizë.
Mirëpo duke mos përjashtuar këtë, shumë gjëra flasin kundër këtij varianti. Së pari, pse ndihmat e vjedhura të mos transportoheshin me makina të narkopolicisë; së dyti, hetimi i vjedhjes së tyre është çështje e prokurorisë dhe jo e Shërbimit të Brendshëm; së treti, përpjekja për arrestimin e aktivistes që regjistroi videon është si reagimi i atij që kapet me presh në dorë.
Së fundi, reagimi i gjeneral Hashashit me gjuhë ordineri pas përgënjeshtrimit zyrtar të SHÇMB, flet në favor të kapjes me presh në dorë.
Duke dënuar këtë akt të shëmtuar kriminal të narkopolicisë, le të falenderojmë, përzemërsisht znj. Adriana Kalaja per videon perlë që ka regjistruar”.