Berisha paralajmëron Ramën nga Fushë-Kruja: Përmbysje narko-shtetit!

Lideri historik i PD, Sali Berisha, duke folur dje në “Foltoren” e Fushë-Krujës, tha se, kryetari i degës së PD në këtë qytet, Agron Loka ka qenë ndër përkrahësit e parë të nismës.

“Kjo lëvizje përfaqëson revolucionin paqësor të një rëndësie historike të shqiptarëve në përballjen e tyre të dytë të madhe në këto tre dekada, përballjen e tyre me narkoshtetin, apo me diktaturën e krimit dhe të drogës.

Kam kënaqësinë t’ju informoj se kryetari juaj, Agron Loka ka qenë ndër më të parët që ka mbështetur këtë nismë dhe në një bisedë të zhvilluar me të, mbeta i inkurajuar për lëvizjen që nisëm dhe që sot ka pushtuar mendjen dhe zemra te qindra-mijëra demokratëve në Shqipëri, emigracion dhe diasporë.

Më lejoni t’ju informoj dhe siguroj se, “Foltorja” apo revolucioni ynë paqësor ka bërë miq në mbarë Europën dhe mbarë botën. Ata e shohin këtë si të vetmin zhvillim pozitiv të tetë viteve të fundit në Shqipëri.

“Foltorja”, e cila së pari ndezi shpresat në zemrat e demokratëve dhe demokrateve, është shndërruar sot në dritë shprese në tunelin e zi në të cilin kishte ngujuar narkoshteti shqiptar, qytetarët e këtij vendi.

Foltorja u thirr nga ndërgjegjia, nga idealet e demokratëve dhe demokrateve shqiptarë në një moment shumë kritik për vendin dhe kombin. Në vitin 2013, në Shqipëri u ndërrua pushteti me votën e qytetarëve shqiptarë u zgjodh një kryeministër tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha njohu përgjegjësinë e tij për humbjen e zgjedhjeve dhe dha dorëheqje të parevokueshme. Hapi krahun për një gjeneratë të re, me besimin e madh që kjo gjeneratë mund të çonte në horizonte të reja opozitën dhe më pas Shqipërinë. Por tetë vitet ishin vitet ku si në asnjë vend tjetër të Europës, u regjistruan rekordet më të zeza”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se, Kuvendi Kombëtar i PD do të mbahet më 11 dhjetor, ndërsa data e caktuar nga peng Kryetari më 18 dhjetor është një anti-Kuvend, që nuk pati kurajo ta bëjë as Ramiz Alia, 30 vjet më parë.

Ai tha më tej se, 4200 firmat e mbledhura janë të depozituara në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa statuti i depozituar në Gjykatë nga peng-kryetari në asnjë gërmë të tij nuk thotë që firmat duhet të depozitohen se Kryetari apo Sekretari i Përgjithshëm.

“Ato firma u mblodhën për shkak të atij që e quante Foltoren llum, që e shndërroi PD në një ministri të Edi Ramës. Kjo kohë që na ka mbetur të angazhohemi në një dialog me ata që vijojnë të kenë një simpati për peng kryetarin, por ato s´mund të mbeten peng të një pengu, sepse keni ndenjur 8 vite në opozitë, jo për fajin tuaj, por për fajin e kryetarit.

Me bashkimin tonë, me rikthimin e votës së lirë në të gjitha institucionet e PD, do përmbysim narko-shtetin”, u shpreh Berisha.

Berisha ka parapaljmëruar Ramën që të mos guxojë të marrë peng selinë e Partinë Demokratike.

“I them Ramës që mos guxo të marësh peng selinë e Partinë Demokratike sepse do të keshë probleme shumë të rënda”, tha Berisha.

1 18

Exit mobile version