Berisha: Beteja me kusarët, një betejë për jetë a vdekje

“Beteja me kusarët është një betejë për jetë a vdekje”. Kështu deklaroi ish kryeministri Berisha në një prononcim për mediat pas daljes nga Parlamenti ndërsa bëri të ditur se denoncimet ndaj vjedhjeve, aferave dhe skandaleve të Ramës e pushtetit të tij nuk do ndalen.

– A ju duket normale që një deputeti t’i cenohet siguria? Ju e patë vrapin që bëri zoti Keta drejt foltores?
Cila siguri? Nuk kërcënoi njeri zoti Keta. Aty deputetët janë të mbrojtur. Normale nuk është që ai që akuzohet për këtë, para zgjedhësve të tij dhe para shqiptarëve t’u thotë se si ka mundësi kjo, kjo është më normale, edhe për ju është më normale kjo. Këtu janë 120 milionë lekë diferenca midis kompanisë që ka dhënë çmimin më të mirë dhe kësaj që ka dhënë çmimin më të shtrenjtë. Këtu normale është që ai të dalë dhe t’u thotë shqiptarëve se si ka mundësi, ku shkuan 1 milion e 200 mijë dollarë të tyre. Kush i vodhi, kush i mori? Kjo është gjëja më normale. Normale janë që këta kusarë s’duhet të kenë vend në Parlament, normale janë që paratë e shqiptarëve s’duhet të vidhen në këtë mënyrë, normale janë që veprimet e Kokoneshit, të cilin e kam denoncuar së bashku me këtë deputet që përdor gjuhë rrugaçi. A e dini ju që laguna paguante taksa 400 mln lekë në vit, në mos 600, s’paguajnë asnjë qindarkë se të gjitha ia paguajnë Kokoneshit dhe Braçeve të tjerë. Këto janë gjërat normale, të cilat duhet të zgjidhen. Pastaj natyrisht që gjëra të tilla të revoltojnë vërtet. Se duke lexuar këto mendoja se çfarë dua unë në këtë Parlament, çfarë duhet të bëjë njeriu në këtë Parlament dhe këto ishin vetëm disa, ato që më kapi dora, por janë dosje të tëra me këto.

– Do t’i çoni në Prokurori këto informacione?
I ka Prokuroria këto.

– Për kë nga deputetët do të mblidhet Byroja sot?
Nuk kam dijeni.

– Zonja Leskaj dhe zoti Suli shprehën vullnetin për t’iu drejtuar Kushtetueses, a do t’i rikthehet opozita tryezës së dialogut të Reformës në Drejtësi?
Problemi është a do të dalin nga vagoni këta deputetë apo jo. Ti bën një pyetje me shumë të drejtë dhe kërkon që shikuesit të marrin transparencë të plotë. Ju e patë, zoti Suli dhe zonja Leskaj e bënë punën e tyre, deklaruan që ata kërkojnë të shkojnë në Kushtetuese sepse nuk duan të personalizojnë dhe të bëhen si bllokatorë të Reformës në Drejtësi. S’duan ata, por do Edi Rama, në vagon do rrini u tha socialistëve dhe sado që shoferi i lokomotivës u largua, ata rrinë aty. Sa kohë do të rrinë? S’varet nga unë kjo. Ne natyrisht besojmë që reforma është e domosdoshme dhe do të bëhet. Këto janë përpëlitje për ta penguar. E kishin në dorë ta bënin që sot, s’kishte asnjë vështirësi që t’i votonin që sot, mund ta shtynin madje seancën në mënyrë që nesër të uleshin për reformën, fituan një javë kohë, por ajo do të bëhet.

– Zoti Berisha, a ka ndikim në qëndrimin e PD me Parlamentin?
Jo, qëndrimi i PD, çfarëdo që të bëjnë ata, këto dokumente, të paktën në atë platformë do të shkojnë pa asnjë lloj hezitimi. Por atyre as u nxihet as u skuqet fytyra prej tyre, por ne shqiptarëve do t’jua themi se janë avoketër të krimit. Është po ky eksponent që ka një gjuhë prej rrugaçi, që kur denoncoja avionët thoshte se aty nuk ka rrugë, pra maskonte dhe mohonte pistën e avionëve të drogës sepse është i pudrosur. Është po ky, që me Kokoneshin, pasi i dështoi flota ajrore u kthye tek Laguna dhe vjedhin paratë e Lagunës, kur ky që i shet tenderin për hesap të xhepit të vet me Kokoneshin për 1 mln e 200 mijë dollarë më shtrenjtë.

– Zoti Berisha, ju thatë që zoti Braçe përdori një fjalor fyes, por dhe ju u përgjigjët në të njëjtën mënyrë?
Deputeti që thoni ju, që u akuzua direkt nga unë për një seri tenderash të Bashkisë së Divjakës, njëri prej të cilëve është ky që thotë: Fondi limit për sistemim dhe asfaltim të rrugës Mërtish-Tre Ura 337 milionë. E fiton kompania “Salillari” me 317 milionë dhe përjashtohet pa asnjë motiv kompania “Alba Konstruksion” me ofertën 212 mln. Nëse këta në 3.3 milionë dollarë vjedhin 1.2 milionë, atëherë fatura ka shkuar në 40%. Ndaj dhe ai duhet të dilte të fliste për këtë akuzë, pasi unë e thashë që nuk është vetëm Kokoneshi, por është edhe deputeti i Kokoneshit dhe deputeti është ky (Braçe).

– Ju thatë se flisni me fakte, pse nuk treguat edhe dokumentet që implikojnë deputetin?
Fakt më të madh se ky nuk ka. Po të isha deputet i asaj zone unë, nuk do të bëja atë që bëri ky, por e denoncoja aty dhe zotohesha para zgjedhësve të mi se Kokoneshin do ta çoj në Prokurori. Po nuk i thotë dot këto asnjë prej tyre sepse kanë mbushur xhepat me para. Po të isha deputet i asaj zone nuk do të thoja që s’ka pistë avioni apo që fshati nuk ka rrugë, ndërkohë që rrugën e kisha shtruar unë dhe që është e shkëlqyer, jo për avionë droge, por për fshatarët, nuk do të thoja për Lagunën që paguan taksa në një kohë që nuk paguan asnjë qindarkë. Kur përdor mandatin për këto avokatira do të thotë që je në tavë.

– Panama Papers ka pushtuar opinionin….
Siç e dëgjove unë bëra një sqarim që besoj se duhet ta kishit kapur. Në mars të 2013, me një kompani kanadeze prestigjioze, të njohur për teknikën e markimit dhe shënjuesin sepse e ka patentë të vetën, firmosëm një kontratë, e cila parashikonte markimin e të gjithë naftës që prodhohej dhe shitej në Shqipëri. Sepse kishim konstatuar që kriminelët merrnin naftën nga pusi dhe vinin e ja u shisnin qytetarëve në benzinate. Krim më të shëmtuar se ky nuk ka. Sasia e squfurit në këtë naftë, në tërësi është shumë e lartë kurse në naftën shqiptare është stratosferike. Sa erdhën këta, thanë do e përjashtojmë naftën që nxirret. Kush do e përjashtojë? Koçoja, sepse donte t’u shiste shqiptarëve naftën bruto të puseve për naftë të rafinuar. Çfarë ndodhi? Kontrollet kapën 4 milionë litra naftë, të cilat janë sasi kolosale squfuri në ajër, janë sasi kanceri për njerëzit. E çuan në Gj. Kushtetuese, e cila e shqyrtoi këtë kontratë dhe e gjeti kushtetuese dhe ligjore në çdo aspekt. Më 2015 ndodhi që Edvin Rama, kundrejt xhepit, pranon që GFI të largohet në shtator dhe të vijë “Global Edvin International”, absolutisht në shkelje të kontratës dhe në mënyrë kategorike nuk bëhej pa një ryshfet shumë të madh. “Global” kishte kompani linje dhe kompania e linjës në kundërshtim me kontratën u la të ikte. Pse u la të ikte? Ajo gjeti e shiti, Kryeministri mori paratë, sepse pa para nuk bëhet kurrë ajo. Unë e kam mësuar këtë vetëm mbrëmë vonë, gjë e pabesueshme, se kur ma thanë një herë e verifikova nja tre herë. Dhe për të maskuar këtë operacion megakorruptiv kanë krijuar një kompani me emër të ngjashëm, mbrapa të cilit është Olsi, Ahmetaj, cili të doni mund të jetë, mund të jetë Rama, kryesisht ai.
Siç më thonë specialistët, të cilëve unë ju besoj, është bërë në kundërshtim me kontratën. Besoj se kjo flet vetë.
Panama Papers është një procedurë absolutisht ligjore. Çdo kompani ka të drejtë të shkojë të regjistrohet atje me dy kushte: të mos bëjë evazion fiskal dhe të mos bëjë transferim të çmimit, nëse do të operojë që andej mund ta bëjë. Një gjë është e sigurtë, që GFI, kanadezja, u bllokua dhe nuk ka patur aktivitet kështu që nuk besoj që të ketë arritur të transferojë kapitale nga Shqipëria në Panama për operacione. Në shtator të 2015 ajo paska ikur, këta e kanë përzënë atë. A e dini që dy javë më parë Arben Ahmetaj ka urdhëruar që të shenjohet dhe nafta e nxjerrë e puseve? A mund ta pyesni pak se pse e bllokoi tre vjet dhe e bën tani? Ja ai që tha se ka emra, ka emrin e vet me të Edi Ramës.

– Qeveria po bën një ligj që të deklarohen të gjithë aksionerët përsa i përket off shoreve. Jeni dakord?
Plotësisht dakord, çdo ligj dhe vendim që i shërben transparencës ka mbështetjen tonë. Por problemi është ky: Panama off shore është Surreli, Panama off shore është një pallat aty afër shtëpisë sime, Panama off shore është Beqaj, Panama off shore është Kokëdhima, këta kanë parajsën këtu s’kanë nevojë të shkojnë atje.

– Ata thonë se është edhe djali juaj…
Të shkojnë e të japin një fakt të vetëm, i kanë të gjitha pushtetet, të gjitha institucionet. Ata mbrohen me mashtrime, por mashtrimet nuk i shpëtojnë.

Artikulli paraprakBraçe-Kokoneshi shpallën fituese kompaninë me ofertën 1 milion USD më të lartë
Artikulli tjetërGarda merr në mbrojtje miun e haleve të Kuvendit