Berisha: PD arriti objektivin e saj për mos kapjen e Drejtësisë

“Partia Demokratike arriti objektivat e përcaktuara që në fillim të bazuar në parimin e moskapjes së sistemit, në parimin e respektimit të lirive dhe të drejtave njerëzore, në parimin e përgjegjshmërisë para ligjit, në parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor”. Pas arritjes së kompromisit mes palëve pasditen e djeshme, e cila konkludoi me pranimin e propozimit të PD për Reformën në Drejtësi, ish kryeministri Sali Berisha vlerësoi se demokratët arritën që të mos lejonin përpjekjet e Ramës për kapjen e Drejtësisë. Berisha zbardhi edhe njëherë skemën e Ramës për të kapur sistemin e drejtësisë. “Çdo betejë që është zhvilluar, PD ka qenë në këto pozicione. Ndërkohë që Edi Rama e shihte veten se si do të jetë kryegjykatës, kryehetues, kryeprokuror, ndërsa Xhafaj i drogës e shihte veten se si duhet të ishte superministër, anëtar i tribunalit disiplinor, anëtar i KLGJ, anëtar i KKP, anëtar i të gjitha forumeve, saqë ai ishte bërë si klloçka që i fuste nën sqetull të gjitha institucionet e drejtësisë përveç Edi Ramës. Sokol Sadushi, që duhet ta them prapë, është civilist, padiskutim i zoti, por donte një Gjykatë Administrative ku të ishte kryetar. Pra, duhet t’i ndërtonim Sadushit një Gjykatë të Lartë Administrative në mënyrë që shkëlqesia e tij të shkëlqente në majë të saj, por këtë shteti nuk ia kishte borxh. Ai kunatolli, Berberi, më i vjetri në detyrë në Gjykatën Kushtetuese duhet të kapte një nga institucionet me 6 milionë lekë në muaj, kunati i Fatmir Xhafës. Dvorani, famoz se përvetësoi rrogën e gjykatësit në kundërshtim me të gjitha ligjet e shtetit, dhe një herë thirrje prokurorit të Përgjithshëm të hetojë. Pra, kur t’i zgjedh një lukuni të tillë për të hartuar reformën, ndaj dhe atë ta rrëzoi Venezia nen për nen, por opozita qëndroi e vendosur ndaj çdo presioni, duke mos mbrojtur asgjë tjetër veçse parimet themelore të një sistemi drejtësie të standardeve europiane” tha Berisha. Ish kryeministri hodhi poshtë pretendimet për gjoja përpjekjet e opozitës për bllokimin e Reformës në Drejtësi.  “Një makineri shpifëse, e cila në mënyrë absolute s’më shqetësonte aspak, përkundrazi më bënte që të qëndroja me gjithë vendosmërinë time në atë që unë besoja dhe ta shumëzoja me zero, sepse isha i vendosur që çdo gjë që përputhej me rekomandimet e Venecias ta mbështesja me të gjithë mundësitë, të refuzoja gjithçka tjetër që binte ndeshas me këto parime, pavarësisht nga çdo lloj shpifjeje e trillimi ndaj të cilave Sali Berisha ka një imunitet të përjetshëm” u shpreh Berisha.
– Cila ishte formula e rënë dakord?
Formula e rënë dakord ishte absolutisht formula e diskutuar dhe që mund të pranohej për 5 min. Po pse nuk u pranua? Sepse duhej që të kushtëzoheshin kanalet nga do të vinin personat. Sadushi duhet të emëronte dy për të ardhur për të aplikuar, dy të tjerë duhet t’i emëronte dekani i sapozgjedhur i drejtësisë, një majtist i thekur, Max Haxhia i njohur për lidhjet e tij dhe të studios së tij me të majtën. Pra, këta duhet të ishin të deleguarit e tyre. E kuptoni? T’i jepej mafies dhe kronizmit fluksi i njerëzve. U bë që ata të vijnë të aplikojnë vetë, kaq ishte e gjitha.
– Kush e ka propozuar rolin e operacionit ndërkombëtar në Vetting-un e KLGJ dhe KLP? Është propozim i PD?
Plotësisht. Nuk e mohojmë këtë ne, por jo në fuqi vendimmarrëse. Në negociata gjërat kanë dinamizmin e tyre, por amendamenti i fundit përbën një arritje tjetër historike, sepse Rama gjeti si mekanizëm të fundit për ta penguar reformën, ngaqë e dinte se ne nuk do ta pranonim kurrë dhënien e sovranitetit, që të huajt do të emërojnë edhe gjykatësit dhe prokurorët, pra mbretërit.
– Pse u krijua përshtypja sikur ishit ju që donit të pengonit reformën?
Një makineri shpifëse, e cila në mënyrë absolute s’më shqetësonte aspak, përkundrazi më bënte që të qëndroja me gjithë vendosmërinë time në atë që unë besoja dhe ta shumëzoja me zero, sepse isha i vendosur që çdo gjë që përputhej me rekomandimet e Venecias ta mbështesja me të gjithë mundësitë, të refuzoja gjithçka tjetër që binte ndeshas me këto parime, pavarësisht nga çdo lloj shpifjeje e trillimi ndaj të cilave Sali Berisha ka një imunitet të përjetshëm.

– Qëllimi ka qenë që të fitojnë qytetarët apo politikanët?
Absolutisht ka qenë një nga qëllimet më kryesore dhe ju s’keni dëgjuar dot kurrë në gjithë këtë betejë të PD, në gjithë këto deklarata që janë bërë, të gjitha ato shpifje dhe trillime që janë bërë, të dëgjoni një rast të vetëm të thonë PD po interesohet të kapë këtë apo atë. Përkundrazi PD ka punuar për një drejtësi të pavarur.
– A është momenti final?
Mos i kthehet mendja Ramës, ky është final, por atë historinë e lepurit në bark e ka ai atë.

Skandali, Xhafa cilësoi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Hahn si copë letre

“Dje më ka ardhur vetëm një copë letër, e përkthyer. Letra e Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn, por ajo nuk është normë juridike dhe Komisioni nuk mund të mblidhet për një letër, ajo është një copë letër” u shpreh në mënyrë skandaloze, Fatmir Xhafa, kryetar i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. “Prisja qe kjo të perkthehej në një normë juridike e pasqyruar në emailin e negociatorëve dhe atëherë të më vinte mua” u shpreh Fatmir Xhafa, duke ia lënë të gjithë fajin negociatorëve, që nuk arritën të binin dakort për reformën në drejtësi. Me këtë deklaratë, Fatmir Xhafa u arsyetua për faktin se nuk mblodhi Komisionin për Reformën në Drejtësi, pasi nuk kishte një dokument juridik mbi të cilin të diskutonte. Në lidhje me këtë skandal reagoi ashpër edhe ish kryeministri Berisha. “Për Edvin Shullazin e Xhafën e tij të drogës, marrëveshja e djeshme është thjesht një copë letër!! Të dashur miq, socialisti i Reformës në Drejtësi dhe njeriu më intim për këtë reformë, Xhafa i drogës deklaroi dje se ai nuk do të sjellë në Parlament marrëveshjen e arritur dje me komisionerin Hahn dhe zëvendëssekretaren e Shtetit, zonjën Nuland. Kurse sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, pyetjes se përse ai nuk ka sjellë sot në Parlament amendamentin kushtetues të bazuar në marrëveshjen e djeshme, Fatmir Droga iu përgjigj: “nuk e solla sepse për ne ajo marrëveshje është thjesht një copë letër”. Kjo është fytyra proeuropiane dhe proamerikane e neobllokmenit Edvin Shullazi dhe lejtnantit të tij Fatmir Droga” shprehet Berisha në reagimin e tij.

Rama shkeli marrëveshjen e ‘xhentëlmenëve’

“Asnjë deputet i PD nuk është për bllokimin e reformës, presim negociatat! Mosprania e Ramës në tryezë tregon që ai është i dëshpëruar thellësisht dhe nuk ka nerva për negociata”. Kështu u shpreh Berisha mesditën e djeshme ndërsa pala socialiste po tregonte mungesë vullneti në gjetjen e kompromisit në lidhje me Reformën në Drejtësi.
-Kush po e bllokon reformën zoti Berisha?
Mendoj se, kush po e bllokon reformën edhe veshgjatët në Shëngjergj e kanë marrë vesh kush po e bllokon pale pastaj njerëzit e qytetarët që s’ka ngelur njeri pa e marrë vesh. Sigurisht kam keqardhje që bllokohet sepse mendoj se është bërë një punë e jashtëzakonshme, e them me bindjen më të madhe këtë. Mendoj se nuk ka, në mënyrë absolute, asnjë shkak për të mos e votuar. Nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati sepse ka negociata në vazhdim dhe unë nuk dua të paragjykoj.
– A janë të zgjidhshme?
Janë 100% të zgjidhshme. Sepse në historinë e njerëzimit e botës së qytetëruar, “gentelmen agreement”, pra marrëveshja xhentëllmen është respektuar dhe është bërë pa shënime, prandaj dhe quhet kështu. Çdo negociatë konfidenciale është jo në linjën e negociatave me proceverbal, por në linjën e negociatave në mirëbesim. Tani pala tjetër thotë jo. Pala tjetër mohon marrëveshjen xhentëlmen. Për fat të mirë ministri  i Drejtësisë pohon atë që ka pohuar përfaqësuesi i marrëveshjes konfidenciale të Edi Ramës. Dëshmitar 100% i besueshëm është Ylli Manjani, i cili nuk do i lejonte vetes kurrë që të dilte në krah të Oerd Bylykbashit dhe të pohonte se përfaqësuesi i Ramës e pohoi faktin që do të jetë e njëjta skemë për të katër institucionet. Është një keqardhje e madhe që marrëveshja xhentëllmen po shkelmohet. Tani po luftojnë për të gjetur zgjidhje të tjera që do të kenë vetëm një kusht, moskapjen. Kaq!
– Zoti Berisha, bllokimi i reformës a është një formë për të rrëzuar qeverinë Rama? A është një skenar i mundshëm?
E vërteta është që një rilindas më ka dërguar mbrëmë një sms, i cili thotë se Rama po përpiqet për të bërë 71 vota. Ai thotë që qëllimi është ky. Unë nuk i rri mbrapa atij që t’i numëroj votat se kush do të votojë e kush s’do të votojë, s’është puna ime ajo. Unë po them çfarë thotë deputeti socialist dixhital. Ai thotë që Rama po lufton për këtë. Fakti që ai, Rama, aktualisht se më vonë nuk mund ta paragjykoj, po sillet dhe po bën gjithçka për të mos u votuar kjo reformë tregon se ai ka një skemë tjetër.
– Si e komentoni mungesën e Ramës në tryezë?
Mosprania e Ramës në tryezë tregon që ai është i dëshpëruar thellësisht dhe nuk ka nerva për negociata.
– Ekspertët ndërkombëtarë në takimin e xhentëlmenëve siç e cilësoni ju, a do të jenë ata të besueshëm?
Marrëveshja xhentëlmen është vendosur në katër sy, se kështu bëhen ato, pra jo me shumë sy. Ato bëhen tete a tete dhe katër sy dhe kaq. Po a mund të mendoj kush në botë që kjo forcë politike, dy javë rresht po luftonte për këtë model, i cili është në dokumentin që ju e quani Nuland, por që në të vërtetë është e dy ambasadorëve, dokument që thotë se në KLGJ do të zgjidhen në këtë mënyrë. Atëherë cila mendje njerëzore mund të imagjinojë që për të tjerat do të pranojë skemë tjetër. Përsa i përket votave të transferueshme, është modeli më korruptiv i kundërshtuar absolutisht në çdo rast me shkrim dhe me gojë që kur është përmendur e deri sot.
– A janë KLGJ dhe KLP kushte të reja të opozitës?
Kusht i ri i opozitës është vetëm moskapja. Moskapjen e ka patur, e ka dhe do ta ketë. Ju siç e shihni koha po vjen për të dalë e vërteta. Ne jemi pro reformës, ne jemi të gatshëm të votojmë edhe sot mbasdite reformën e dakordësuar.
– Si i shpjegoni mesazhet e ambasadorit amerikan në emër të SHBA-ve që zhgënjehet nga Lulzim Basha?
E vërteta është që s’ka për të gjetur ndonjëherë kurrë një interlokutor më fiabël, më perëndimor se Lulzim Basha në këtë vend. Një gjë duhet të them këtu, negociatat janë negociata dhe në to, si një proces dinamik kompleks, në varësi nga zhvillimet secili detyrohet të rregullojë qëndrimet. Unë mund të them se jo një herë, por disa herë i ka ndodhur vetë ambasadorit, më ka ndodhur mua, etj., etj. Kjo është një gjë e pashmangshme, por në gjërat e dakordësuara përfundimisht Lulzim Basha nuk ka lëvizur kurrë asnjë presje. Kjo është e vërteta. Nuk mund të gjejë ambasadori një interlokutor më të hapur se Basha.
– Pse foli ambasada amerikane dje për një kusht të papranueshëm?
A mendon ti që unë përfaqësoj ambasadën amerikane? Ata kanë një zyrë shtypi, merreni në tel dhe flisni. Unë po them këto që po them. Është një proces, i cili, uroj dhe dëshiroj atë që duan 90% e shqiptarëve sot, që të votohet. Por nëse kërkohet të imponohen gjëra të panegociuara pastaj kjo do të thotë që do ta bllokosh me çdo kusht dhe kjo është përgjegjësia jote.
– Zoti Berisha pse besoi PD në një marrëveshje xhentëlmenësh?
Sepse marrëveshje xhentëlmenësh me Ramën kemi përmbysur gjysmën e Kushtetutës në vitin 2008 dhe marrëveshja xhentëlmen nuk është një shpifje e PD, por është një praktikë universale që përdoret dhe sugjerohet për të dhënë rezultat.
– Çfarë komenti do të kishit për ata deputetë të PD, të cilët në rast se nuk arrihet konsensusi gjithsesi kanë deklaruar se do ta votojnë reformën?
Unë mendoj se asnjë deputet i PD nuk do ta votojë. Unë kam qenë dje në mbledhje të grupit dhe asnjëri nuk ka thënë që do ta votojë. Unë marr qëndrimet zyrtare që shprehen aty. PD ka qëndrimet e veta zyrtare të qarta, atij që s’i pëlqejnë, s’i pëlqejnë. Vendimet i vendosin vetë njerëzit, nuk i vendosin nga unë, por unë besoj që asnjë deputet i PD të jetë për bllokimin e reformës.
– Çfarë mendoni për tezën e hedhur nga zoti Meta për qeveri teknike?
Tezë është paraqitur shumë herët nga Basha dhe tani nga Meta. Do të ishte një zgjidhje e dobishme për të qetësuar gjakrat për zgjedhje, një fazë që të përgatisë dhe të dihej që kjo është një qeveri e paanshme për zgjedhje.

Exit mobile version