Berisha: Po afron pika e vlimit për Ramën, revolucionet vijnë papritur

– Doktor Berisha, përpos denoncimeve që bëni ka dhe një interes për çka po ndodh në PD. Keni një koment për të bërë?
Sot ju kam ftuar vetëm për këtë çështje dhe komenti im është që PD duhet të jetë dhe është një parti e hapur për debate përndryshe opozita bën suiçid. Opozita për definicion është forca e lirive dhe të drejtave të njeriut, në çdo moment që ajo devijon nga kjo shtyllë ajo devijon nga vetja e saj.
– A mendoni dhe ju që PD do të ishte më mirë me Berishën kryetar?
Asnjë koment. Sali Berisha është një ish-kryetar. Duke thënë atë që thashë absolutisht nuk do i lejoj vetes kurrë që unë të ndërhyj në debate të brendshme. Unë e kufizoj veten. Unë vërtet jam deputet aty, por unë e kufizoj veten ndaj çdo lloj interference që e gjykoj se qenia ime ish-kryetar mund të ndikojë.
– Pse nuk ndodhnin në kohën tuaj këto debate?
Absolutisht. Kush e tha këtë? Me tonelata ka patur.
– A mendoni se PD duhet të ndjekë një strategji të re sidomos pas asaj që ndodhi në Dibër?
Nuk doja të kaloja në tema të tjera veç asaj që ju kam thirrur, por them që në Dibër ka humbur çdo shqiptar. Unë mendoj se dhe e them këtë me bindjen më të madhe, se çdo shqiptar që i thotë vlerë vlerave ka humbur në Dibër. Dibra është kambana e fundit për ata, të cilët duan të votojnë të lirë dhe kambanat bien për të gjallët. Për të gjitha të tjerat pyetjet mund t’ja drejtoni kryetarit të opozitës. Sali Berisha këtu është për hajdutin me fytyrë njeriu.
– Zoti Berisha, a ka shanse që të enjten debati në Parlament të fokusohet te rendi i ditës dhe seanca të mos zgjasë pafund?
Nëse nuk dërrmohet një investitor që do të investonte minimumi 450 mln euro dhe faza e plotë deri në 1.5 miliardë euro, që e përzuri Kryeministri. Ju e morët vesh se si njoftimi i Prokurorisë konfirmoi pikë për pikë ato që i thashë në sy atij. Në sy i thashë se është ai që i ka hequr 4 hektarë pronë e pronarit që më datë 27 shtator 2013. Përsëri Prokuroria konfirmoi se më datën 22 shkurt 2014 ja hoqi të gjithë tokën e bëri nul kontratën. Çfarë ndodhi? Në mars bëhet një gjyq dhe ky pronari, që ja hoqi Rama kontratën investitorit dhe ja dha këtij, tani shkon në gjyq dhe palët që duhet të mbronin shtetin…A e dini që Alma Hicka, Avokatja e Shtetit, famoze njëlloj si Brisi, dy kryendrikullat e mafies në Shqipëri, që zbatojnë me fanatizëm në kundërshtim me çdo ligj porositë verbale të Ramës.  A e lexuat komunikatën e Prokurorisë se si u bë gjyqi? Gjyqi u bë pa palën. Pala e interesuar nuk shkoi fare. Vëreni veten gjykatëse se çfarë do të bënit ju nëse paditësi nuk vjen në seancë? Për një gjë e përgëzoj Prokurorinë, pasi tha se do të fusë në hetim kryendrikullën Hicka bashkë me Bashkinë e Durrësit. Pra, është Rama që e përzuri, është Rama që i nxori njerëzit për ta rrahur. Ai është rrahur nga ekspertë torture. Shkoni shihni të dhënat në spital. Ai ka me dhjetëra fraktura, por jo vdekjeprurëse. I bërë përshesh nga shkopi i bejzbollit. Rama ja çoi ato, Rama i mori tokën dhe tani do ta marrë me Besnik Sulën dhe Olsin sigurisht. Pra, a ka gjë më me interes për qytetarin dhe gazetarët se sa kjo? Nuk mund të ketë. A ka gjë më me interes se ajo që sapo denoncova për kaskadën? Marrin kaskadën dhe ja jep EFT-së. Po pse? Se do Rama të ndajë paratë dhe të ardhurat me të. Po nëse do ta bëjë shitjen le ta bëjë me Kosovën. Orët e pikut i kemi dhe të ndryshme me të. Jepi Kosovës një pikë dhe një marrëveshje me qeverinë e Kosovës. Po pse do të marrësh EFT? Dhe e merr me monopol sepse po ta marrësh me rregulla s’kam kundërshtim, por këtu vjen erë një gjë shumë e rëndë. Atëherë më thoni që kjo mos të jetë çështje e Parlamentit? Parlamenti është bërë sot lokusi i transparencës. Një gjë ju them. Cila nga gjërat e shtruara në Parlament s’ka dalë e vërtetë? Që të gjitha të vërteta ndaj ajo është ora e ferrit dhe e tmerrit e Ramës. Atë s’e merr gjumi përpara Parlamentit. Ne jemi të detyruar të bëjmë transparencë çdo akt monstruoz të tyre, gjithçka me dokumente. Ndaj, sa të jenë këta në pushtet me këto afera, Parlamenti do të jetë gjyqi publik për megaaferat e qeverisë.
– Ju folët për një aferë serbo-shqiptare. Mendoni se pala shqiptare po favorizon palën serbe dhe a e lidhni këtë me vizitën e Ramës në Serbi?
Që kjo është një aferë e mirëfilltë shqiptaro–serbe dhe asgjë tjetër është e qartë dhe e pastër. Sepse siç thotë ERE dhe jo unë, janë përjashtuar në kundërshtim me ligjet kompanitë që kanë paraqitur ofertat, të cilat KESH s’i ka shqyrtuar fare. Ndaj unë bëj thirrje që edhe Prokuroria e vendit tjetër ta hetojë këtë aferë. Ku shkojnë këto fije? Është e paimagjinueshme. A imagjinoni sa e fortë është afera saqë hidhet poshtë vendimi i ERE nga ministri? Ai është për t’u arrestuar vetëm me këtë urdhër, në flagrancë madje. A e dini që ministri s’ka asnjë tagër të urdhërojë ERE-n, një institucion që varet nga Parlamenti shqiptar dhe jo nga ministria. ERE është institucion i pavarur i ngritur nga ligjvënësi i vendit. Komisionerët e ERE votohen në Parlament dhe kështu janë në gjithë botë.
– Në këto kushte do të ishte si zgjidhje krijimi i një qeverie teknike, një revolucion demokratik apo thjesht një slogan i PD “Shqipëria më e mirë pa Ramën”?
Pikëpamjen time unë e kam shprehur me kohë. Vetëm revolucioni demokratik është zgjidhja. Revolucionet kanë një tipar: fillojnë atëherë kur nuk ta pret mendja. Çekia kishte disidencë nga më të organizuarat, kishte shumë vite para se sa të ndodhte revolucioni. Ata, të cilët bënë gjithçka për vite e vite për revolucionin, nuk parashikuan dot atë që do të ndodhte me studentët. Revolucionet vijnë nga tipping poin-ett, pika e vlimit mund të përkthehet, kur një shumësi gjërash mblidhen dhe më pas shpërthejnë. Shumësia e gjërave po mblidhet për Edi Ramën dhe shpërthimi është i mundshëm në një kohë kur ne nuk e parashikojmë.
– A mund të ndikojnë në zgjedhjet e përgjithshme zgjedhjet e Dibrës?
Jo, ato do të kenë ndikim të kundërt. Edi Rama me ato zgjedhje në një shklallë më të madhe e përsëritën më 2003 dhe e pësuan siç e merituan më vonë. Rama faktoi se çfarë është, doli nudo, se e ka qejf nudizmin shumë dhe u tha shqiptarëve se s’do i lejojë të votojnë, por shqiptarët do të votojnë. Unë kam besim që shqiptarët të do të votojnë.

Artikulli paraprakDëshmia e vëllait në Prokurori: Kompania fshehu vrasjen e Arditit
Artikulli tjetërTërheqja e demokracisë