Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot, më zë dhe figurë, një nga premtimet më të forta të fushatës elektorale të Edi Ramës: Përfundimin e procesit të legalizimit dhe frazën e famshme të kryeministrit, “shtëpitë nuk prishen”.
“Dyfytyrësia është pafytyrësi! – e ka komentuar Berisha këtë video, ku dëgjohet qartësisht zëri i Ramës tek thotë, “shtëpitë nuk prishen” dhe shton: – Kur i duheshin votat, Kallam Dështakut, “shtëpitë nuk prishen”. Tani i duhen paratë e drogës, rrafshohen mbarë!” përfundon ai.
Në videon e mëposhtme, shfaqet Rama, duke folur me banorë të palegalizuar në Unazën e Re Tiranë, ku shprehimisht thotë: “Kjo çështje është njësoj si gjithë të tjerat. Ne e kemi marrë angazhimin, të bëjmë një proces serioz, ta mbyllim këtë histori, se nuk është vetëm puna e legalizimit në kuptimin që të mos prishen shtëpitë. Se shtëpitë nuk prishen, gjithsesi. Puna është se ato janë kapitale të vdekura, se janë investime të bëra me kursime me gjak!”