Berisha: Rama do të largohet si çeço

Ish kryeministri Berisha deklaroi se largimi i Ramës është i padiskutueshëm ndërsa denoncoi prishjen e marrëveshjes me qeverinë kineze nga qeveria Rama për ndërtimin e rrugës së Arbrit.
Pas takimit  me kongresmenin, Eliot Engel, duke iu përgjigjur interesit të medias deklaroi se sot Edi Ramën po e mban në pushtet krimi dhe njerëzit e inkriminuar.

– Zoti Berisha, ishte një takim i gjatë me kongresmenin amerikan. Çfarë u diskutua me të?
Kongresmeni Eliot Engel është, besoj unë, kongresmeni që jetën e tij i ka përkushtuar më shumë se kushdo tjetër punë, kohë, dashuri këtij vendi dhe këtij kombi. Kështuqë isha dhe jam gjithmonë shumë i kënaqur sa herë që unë e takoj një mik të madh, të çmuar, i cili, e them me bindjen më të madhe se ka qenë fat për shqiptarët, dhe meritën e shqiptaro–amerikanëve, të cilët kanë krijuar këtë lidhje kaq të fuqishme dhe miqësore, kanë zgjuar këtë interes të madh, që nga fundi i viteve ‘80 deri sot të kongresmenit për Shqipërinë, shqiptarët e Kosovën.
– Çfarë kishte të rëndësishme për t’u diskutuar sot? Ndoshta Reforma Zgjedhore?
Sot diskutuam probleme të një spektri të gjerë, natyrisht u diskutua për zgjedhjet, u diskutua për Reformën në Drejtësi, për shndërrimin e vendit në Kanabistan, u diskutua për krimin, dominimin e tij dhe lidhjet e tmerrshme të kryeministrit dhe ministrave me krimin. Pra, me mikun diskutohen gjithmonë gjërat më të rëndësishme dhe në mënyrën më të hapur.
– Për Reformën në Drejtësi? Janë dy ligje që presin ndoshta edhe oponencën e opozitës…
Shkurt dhe vetëm dy fjalë. Para të gjithë shqiptarëve ne faktuam se qendruam të papërkulur e të pamposhtur për të mos lejuar kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Beteja dyvjeçare që u zhvillua, u bë vetëm për të parandaluar kapjen e drejtësisë nga Rama. Edi Rama, atë që nuk arriti ta realizojë me Kushtetutë se e bllokuam, tani mendon të nxjerrë ligjet mbi nenet e Kushtetutës. Ai tani kërkon që, atë që nuk arriti me Kushtetutën, do t’a zëvendësojë Kushtetutën me ligje, por kjo nuk mund të ndodhë. Kjo ndodh vetëm në diktatura, për të mos ju dhënë shembuj konkret nga e shkuara, por vetëm në diktatura mund të imagjinohen gjëra të tilla. Kështuqë ne qëndrojmë të palëkundur në mbrojtjen e parimeve që japin një drejtësi të pavarur.
– Sot ka një dorëheqje të ministrit të Transporteve dhe një emërim të një tjëtër ministri të LSI. A mendoni që këto ndryshime në qeveri do ta përmirësojnë qeverinë përballë atyre akuzave që ju ngrini vazhdimisht?
Me largimin e Haxhinastos, Edi Rama kërkon të lajë duart si Pilati, me dështimin e tij total me atë që është dhe promotor i zhvillimit të një vendi; ndërtimi i infrastrukturës. Pasi ka shpenzuar 210 miliardë lekë, pra mbi 2 miliardë dollarë për investime, nuk është në gjendje t’i tregojë shqiptarëve qoftë dhe një segment, qoftë dhe një kilometër rrugë të rëndësishme të ndërtuar në tre vjet. Ndërkohë i rikujtoj shqiptarëve se me 2.1 miliardë dollarë janë ndërtuar gjatë viteve të mëparëshme Rruga e “Kombit”, Autostrada Ibë-Elbasan dhe Tuneli i Krrabës, Autostrada Lushnjë-Fier dhe Levan-Vlorë dhe Autostrada Levan-Tepelenë përfshi këtu edhe Rrugën e Bregut. Le t’i marrin të gjithë faturat e t’i shohin, të pyesin shqiptarët atëherë. Po nuk e mbulon dot me largimin e Haxhinastos vjedhjen e tmerrshme që ka bërë Rama, sepse, ku shkuan 2.1 miliardë dollarë investime. Edhe një herë po them, me 2.1 miliardë dollarë u ndërtuan autostradat, u transformua Shqipëria dhe me 2.1 miliardë të Edi Ramës u frynë dhe pëllcitën xhepat dhe kontot e Edit, Olsit dhe anturazhit.
– Megjithatë Rruga e “Arbrit” është kthyer në një rrugë premtimesh elektorale…
Rruga e “Arbrit” u ndërtua në 32 km nga qeveria e mëparshme, përfshi një nga segmentet më të vështira të saj që është segmenti i Tujanit. Mbetën pa ndërtuar për arsye strikt teknike, sepse tuneli i Murrizit nuk mund të ndërtohej në kuotën e caktuar sipas një kompanie daneze. Atëherë u la që të bëhej riprojektimi i tunelit dhe u bë. Lamë gati marrëveshjen me kinezët, po Edi Rama e futi në qorsokaqe, donte para. Qeveria kineze ka nisur një hetim për këtë. Nëse ky hetim e përfshin apo nuk e përfshin kreun e qeverisë shqiptare, nuk kam informacion, por ka lidhje krejtësisht me problemin e rrugës së “Arbrit”. Ndaj dhe jam i bindur që Edi Rama nuk ndërton kurrë Rrugën e “Arbrit”. Ai nuk po përfundon dot rrugën Lushnjë- Berat, që në mënyrë absolute kishte vetëm maksimumi 6 muaj punë…
– Por ka deklaruar se nuk largohet nga qeveria pa ndërtuar Rrugën e “Arbrit”?
Ka marrë garanci nga Arben Noka, nga Ymer Lala, nga Emil Shullazi, dhe nga të gjithë këta bajlozët e krimit dhe të malavitës. Por, do largohet si çeço dhe me një këmbë!

Berisha me Engel: PD, nuk do lejojë kapjen e drejtësisë

Ish-kryeministri Berisha priti dje në një takim nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, z. Eliot Engel, i cili shoqërohet nga personaliteti i njohur i diasporës në SHBA, shqiptaro-amerikani, Harry Bajraktari dhe ambasadori amerikan, Donald Lu.  Berisha i shprehu kongresmenit Engel falenderimet dhe mirënjohjen për kontributin e çmuar që ai personalisht ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën si dhe angazhimin e përhershëm për demokracinë në Shqipëri. Berisha dhe zoti Engel gjatë bisedës diskutuan për probleme të një spektri të gjërë. Zoti Berisha u ndal në veçanti në zgjedhjet e ardhshme, por dhe ato lokale që po zhvillohen në Dibër, për Reformën në Drejtësi, për shndërrimin e vendit në Kanabistan, për krimin, dominimin e tij dhe lidhjet e tmerrshme të kryeministrit dhe ministrave me krimin. Lidhur me miratimin e paketës kushtetuese për Reformën në Drejtësi, Berisha theksoi se PD qëndroi e palëkundur dhe e pamposhtur për të mos lejuar kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Ai u shpreh se një betejë dy vjeçare u zhvillua vetëm për të parandaluar kapjen e drejtësisë nga Rama. Nga ana tjetër, zoti Brerisha shprehu shqetësimin se Edi Rama, atë që nuk arriti ta realizojë në Kushtetutë, pasi PD e bllokoi, tani kërkon t’a zëvendësojë Kushtetutën me ligje. Berisha u shpreh se kjo nuk mund të ndodhë kurrë dhe se PD qëndron dhe do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtjen e parimeve që japin një drejtësi të pavarur.

Artikulli paraprakAfera me Armon për naftën, pas Besos fshihet ortakëria me Ramën
Artikulli tjetër40 milionë euro ryshfet për Tunelin