Ish-kryeministri, Sali Berisha, është skeptik mbi rolin që do të ketë kryeprokurorja e Përgjithshme në zbardhjen e supergrabitjes në Rinas.
Duke e akuzuar si të kapur nga Rama, Berisha tha se ky i fundit mund të bllokojë çdo hetim. Por lajmi i mirë në gjithë këtë situatë, tha ai në RTV Ora, është se për herë të parë Kryeministri fajësoi për një gjë kinezët dhe jo Saliun.
“Këtu nuk kemi Prokurore të Përgjithshme, këtu kemi krye krye krye kryeprokuror Edvin Kristaq Ramën.Këtu është gjithçka e paralizuar, sundim bandash. Krye krye kreu ka për borxh të bllokojë çdo hetim sepse deklaroi se faji është i kinezit. Kësaj here nuk tha faji është i Saliut. Papërgjegjësi në vendin e sigurisë më të lartë që është aeroporti. Sikur nuk është territor shqipar por territor kinez”, u shpreh Berisha.
Grabitja në Rinas skenar shtetëror
Berisha ka komentuar grabitjen e 10 milionë eurove në Rinas. Ish-kryeministri deklaroi se ajo ishte një grabitje e pastër shtetëror. Sipas tij, nëse nuk do të kishte mbështetje shtetërore, kjo grabitje do të ishte e pamundur të bëhej dy herë në të njëjtin vend.
“Kjo është një vjedhje shtetërore me të njëjtin skenar identik si në vitin 2016-të. Me një falimentim total të shtetit, me një precizion të jashtëzakonshëm, i cili mund të realizohet vetëm me një pjesëmarrje të elementëve të sigurisë së aeroportit, përveç kësaj edhe me pjesëmarrjen e qeverisë. Është gjithçka një skenar shtetëror, se ndryshe as Arsen Lypen dhe asnjë bandit në botë nuk mund të realizonte të njëjtin skenar në të njëjtin vend”, tha Berisha.
Sipas Berishës, përgjegjës kryesor është Autoriteti i Aviacionit Civil, kryetar bordi i të cilit ka qenë ministri aktual i brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Se përgjegjësia e kinezit dhe ata nuk njohin asnjë përgjegjësi. Ministër i brendshëm ka qenë kryetar bordi i Autoritet të Aviacionit Civil kur ka qenë gjeneral kanabisi pranë Noriegës së Shqipërisë. Xhepat i mbushte por nuk çau kokën në asnjë moment.
Del ndrikulla Belushka, e lidhur këmbë e krye me Eno Bushin, me Riformaton, se ata nuk kanë përgjegjësi,. Se këtu asnjë nuk ka përgjegjësim, përveç kinezit, që unë nuk mund të them që nuk kanë. Të hetohen. Por përgjegjësia është e Autoritet të Aviacionit Civil. Kemi një shtet të falimentuar”, u shpreh Berisha.