Berisha: Rama shumëfish më mëkatar se Tom Doshi, Nano, delegime për hatër të bixhozit

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, shkroi sot në Twitter se kishte marrë garanci nga kryeministri Edi Rama që deputeti Tom Doshi është përjashtuar nga Partia Socialiste dhe se nuk do të kishte asnjë rol në qeveri.

Por sipas ish kryeministrit Sali Berisha, kryeministri Edi Rama është shumëfish më mëkatar se deputeti i Shkodrës dhe do të mirëpriste një qëndrim të ambasadores amerikane për të.

“Me gjithë respektin që kam për zonjën Kim, por për Sali Berishën, Edvid Kristan Rama është shumëfishi i Tom Doshit. Pra, unë absolutisht jam i bindur se Tom Doshi është mëkatar. Por Edi Rama është në kub katror krahasuar me Tom Doshin. Le ta thotë Edi Rama ka qenë apo jo i arrestuar në Francë? Ka qenë apo jo i arrestuar në Paris? E kanë akuzuar në media publikisht. Dhe jo një herë. Me zë dhe me figurë. Ka qenë apo jo i arrestuar në Marsejë? Ka qenë apo jo i arrestuar në Itali? Ka treguar diçka por jo plotësisht.

Ky është vetëm një aspekt i ligjit ku siç e dëgjuat me veshët tuaj, jo unë por Fatos Nano e akuzonte për vjedhës ikonash. Si minimum. Për të mos thënë pastaj lidhjet me klanin e Xibrakës. Për të mos fol pastaj për kanabizimin e vendit. Nuk ka njeri që të ketë bërë vendin e tij, të ketë zbatuar në vendin e tij politikën e drogës, siç e ka zbatuar Edi Rama. Kështu që, në këtë kontekst, unë do mirëprisja një qëndrim ndaj Edi Ramës përsa thashë më sipër”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri sali Berisha tha mbrëmjen e sotme, gjatë një interviste për RTV Ora, se Prokuroria e Posaçme do ta ketë shumë të vështirë hetimin e lidhjeve të evidentuara nga përgjimet e anti-mafies italiane, lidhur me pastrimin e parave të Ndragheta në Shqipëri. Por, Berisha u shpreh optimist për faktin se dosja do të jetë në duart e një prej prokurorëve më të mirë italianë.

Sipas tij, sekseri që kishte lidhje të ngushta në kryeministri dhe bashkinë e Tiranës mund të jetë personi kyç që mund të zbërthejë të gjitha tentakulat e Ndranghetas në Shqipëri.

“Kreu i Meduzës së Shqipërisë e ka lëshuar direktivën sapo ka dalë dosja. Ai deklaroi se Ndrangheta u largua nga Shqipëria duke mbyll dyqanin në një kohë kur ministria e tij që ai drejtonte ishte klienti më i regullt i tentakulës së Gallos në Shqipëri, ministria e jashtme. Ndaj dhe me këtë direktivë, jam shumë i bindur se SPAK do të ketë vështirësi të mëdha. Ndoshta deri në pamundësi për hetimin e asaj dosjeje.

Por ajo çka më bën optimist është se, dosja është në duart e një prokurorëve më të shkëlqyer të Italisë, një heroi të vërtetë të antimafias dhe unë kam bindjen e plotë se ai do të insistojë që drejtësia të bëhet në të dy vendet, kundër Ndranghetas, në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe italianëve.

Lidhjet me Ramën dhe Veliajn janë tashmë të qarta si kristali. Janë njoftuar publikime të ardhshme por edhe ky sekseri me marrëdhënie të ngushta në kryeministri dhe me kryetarin e bashkisë është një aset i mirë për mafian për të zbuluar të gjitha tentakulat deri te kreu i Meduzës apo bosi i shqiptarëve, siç po quhet Edi Rama”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha komenton deklaratat e para pak ditëve të paraardhësit të tij socialist Fatos Nano, i cili do të shprehej se “Berisha përfundoi së qënuri politikan më 21 janar 2011”.

Berisha deklaroi se, Nano dhe Rama kanë të njëjtin koncept për opozitën njësoj si etërit e tyre mizorë.

“Nuk kam ndonjë koment. E vetmja gjë që mund të them se, u paraqitën si pinjollë të Bllokut, me mendësinë absolute staliniste se problemi i Shqipërisë është opozita. Mu rikujtuan të gjitha qëndrimet e Partisë së Punës së Shqipërisë në muajt e parë të opozitës shqiptare kur fatkeqësia kombëtare ishte opozita.

Këta të dy, nuk po i quaj siç e meritojnë, por po i quaj pinjollë, mbajnë të njëjtin koncept si etërit e tyre mizorë. Nuk kam asnjë koment tjetër për këtë.

E rëndësishme është të vazhdojë delegimi për hatër të bixhozit. Për të tjerat nuk kam gjë për të”, tha Berisha.

Exit mobile version