Berisha-Ramës: Nuk të falim, as votën, as jetën!

Ish-Kryeministri Berisha i bëri thirrje dje Ramës të largohet për t’i hapur rrugën krijimit të qeverisë teknike, ndërsa paralajmëroi se opozita dhe populli shqiptar janë të gatshëm për të bërë çdo sakrificë për të mbrojtur me çdo mjet votën e lirë ashtu si më 22 marsin e 1992. “Po të falëm votën, të kemi fal jetën! S’të falim as votën, as jetën”, tha Berisha duke iu drejtuar Ramës nga sheshi i lirisë. Berisha ishte dje në sheshin e lirisë në bashkëbisedimin në lidhje me 25-vjetorin e 22 marsit të vitit ’92, datë që shënon dhe zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në vend. Në kujtim të kësaj dite, simbol i zgjedhjeve të lira, Berisha tha se sot 25 vite më pas, shqiptarët luftojnë për votën e lirë.
“Ky proces nuk ishte i lehtë për shqiptarët, por në përpjekje të mëdha arritën këtë 25-vjetor secili nga ne do të donte ta kremtonte ndryshe, ta kremtonte siç e meritonin shqiptarët, por përsëri sot ne kremtojmë më të ndjeshëm se asnjëherë ndaj mesazhit të kësaj date. Mesazhi i kësaj date është liria, për aq sa vota e lirë është edhe zemra e saj, mesazhi i kësaj date është dinjiteti për aq sa liria është thelbi i dinjitetit, ndaj dhe ne kemi mbi një muaj që jemi këtu në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për të kërkuar në mënyrën më të qytetaruar, lirinë tonë themelore të votës.
Ne, këtë vendim ekstrem, lidershipi i Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare e ka marrë po në kushtet e një imponimi ekstrem, kur klika në pushtet e bijve të atyre që përmbysëm me votë më 22 mars, ka rikthyer në Shqipëri me emra të tjerë, ka rikthyer absolutisht praktika të papajtueshme për një vend të lirë dhe mbi të gjitha ka zhdukur momentalisht për shqiptarët çdo shpresë për të votuar të lirë”, tha ai.
Ish-Kryeministri i ka kujtuar sërish Ramës fatin e ish-gjeneralit që drejtonte Panamanë, Manuel Noriega, i cili u gjykua në Shtetet e Bashkuara për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave dhe u dënua atje me 40 vite burg.
“Mendoni vetëm për një moment, Shqipëria sot për shkak të politikave elektorale dhe kriminale të Edi Ramës është mbushur me kanabis nga thellësitë e Alpeve deri në skajin më jugor të vendit. Edi Rama ka vendosur para shqiptarëve, para një mali të vërtetë eurosh droge, me qëllimin e vetëm që të shtypë votën e tyre. Në një bisedë me një interlokutor shtrova pyetjen çfarë dallimi ka ky nga narkodiktatori Noriega, ky ishte një diktator i Panamasë dhe fillimisht këtë e mbështetën miqtë tanë, por ky punën e parë që bëri mbushi Panamanë me drogë dhe pastaj George Erbert Bush, i dërgoi marinsat dhe e kapi, e gjeti atje ku ishte strukur në bunker në shkretëtirë dhe e sollën në SHBA dhe e dënuan mbi 40 vjet.
Tani unë do t’i them Edi Ramës, në mënyrë absolute ti s’ke asnjë dallim nga Noriega për ne dhe po të duash merre si betim, po të duash merre si paralajmërim, po të duash merre si kërcënim, merre si të të pëlqejë, por po të jap fjalën këtu në këtë ditë se: Nuk largohesh me marinsa, por do të largohesh nga këto vajza dhe djem në mënyrën më të mjeruar po nuk u largove!”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se shqiptarët janë të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë për të garantuar votën dhe e paralajmëroi atë se revolta qytetare do ta krrejë prej leckash nëse nuk i hap rrugën qeverisë teknike.
“Mos gabo! Përpiqu dhe gjej minimumin e realizmit, se do të të krrejmë jo me lecka, por ashtu sikundër nuk ta pret mendja. Edi Rama mësoje mirë: Po të falëm votën, të kemi fal jetën! S’të falim as votën, as jetën! Ne jemi njerëz paqësorë, jemi njerëz që besojmë në vlerat e paqes, në vlerat e lirisë, por jemi të gatshëm të mbrojmë me çdo çmim atë që është thelbi i lirisë sonë. Ne e përjetuam një herë diktaturën, harroje ti se ne mund të pranojmë për së dyti atë, ndaj dhe jep dorëheqjen, hapi rrugën qeverisë teknike”, tha Berisha.

Qeveri teknike që do të plotësojë të gjitha kushtet

Ish-Kryeministri kërkoi dje jo vetëm krijimin e qeverisë teknike, por edhe përmbushjen e të gjitha kushteve që garantojnë votën e lirë prej kësaj qeverie. Berisha e ka konsideruar Ramën një njeri me probleme të rënda psikike. Ai i është referuar krahasimit që i bëri një ditë më parë vetes me Kancelaren Merkel, në një intervistë televizive.
“Ti je njeri me procese psikike, je dhe është e sigurtë, mos lejo që sëmundja jote të shndërrohet në një dramë kombëtare sepse tek të dëgjoja ty mbrëmë të silleshe si një harbut më së paku ndaj gazetares ishte një moment ku paranoja jote doli jashtë çdo kontrolli. Çfarë do t’i thoshte gazetares ky paranojak, po pse tha edhe Angela Merkel ka zgjedhjet në shtator si do t’ia bëjë ajo, do të bëjë qeveri teknike tani.
Ja ku të çon paranoja Edi Rama! Angela Merkel nuk e ka mbush Gjermaninë me drogë, as me kanabis, Angela Merkel me qeverisjen e saj mbart standardet më të larta të demokracisë, Angela Merkel nuk e ka mbush Gjermaninë në të kartërt anët me banda vrasësish për të shtypur opozitën dhe për t’ia grabitur votat, Angela Merkel nuk ka emëruar bashkëshortin e saj drejtues banke, as edhe rrethin e saj në lojërat e fatit siç ke bërë ti. Duhet të jesh dhe je i sëmurë i pashpresë t’i lejosh vetes një krahasim të tillë, por një gjë ta dish mirë, nëse Gjermania do të bëjë zgjedhje dhe i ka të sigurta, zgjedhje që shërbejnë si shembull për mbarë Europën, Edi Rama mos mendo se do të bësh zgjedhje, po ta themi këtu ke djegur çdo shans dhe shansi yt i vetëm është të krijohet qeveri teknike dhe të bëhen zgjedhje, jo vetëm qeveri teknike, por një qeveri që do të përcaktojë të gjitha kushtet që këto vajza dhe këto djem dhe këta qytetarë i gjykojnë të domosdoshme për vullnetin e tyre të lirë.
Edi Rama duhet të dëgjosh mirë zërin e çadrës sepse çadra përfaqëson të ardhmen, përfaqëson atë që po lind, kurse ti përfaqëson të shkuarën më të zezë të shqiptarëve”, tha Berisha.

Nga xhelatët e regjimit komunist tek xhelatët e krimit të organizuar

Ish-Kryeministri deklaroi se Rama rrjedh nga një familje e persekutorëve të shqiptarëve, që nga babai i tij që dënoi me varje në litar poetin Havzi Nela, ndërsa më parë një tjetër simbol i persekutimit dhe gjenocidit komunist ka qenë daja i tij, Spiro Koleka. Berisha deklaroi se Rama ka bërë sot një kalim nga xhelatët e diktaturës tek xhelatët e krimit të organizuar që ai kontrollon. “Partinë Demokratike, çadrën dhe lëvizjen sot e udhëheq një udhëheqës i ri, as i gjeneratës sime, por as edhe i gjeneratës tënde, krejt tjetër, i cili kërkon të ndërtojë një vend me vlera të vërteta europiane, ndërsa ti përfaqëson xhelatët e shqiptarëve, përfaqëson skulptorin kriminel që firmoste për varjen e Havzi Nelës dhe pushkatimin e qytetarëve të pafajshëm shqiptarë dhe jo në vitet ‘70, ‘50 apo ’60, por në gushtin e vitit 1988. Edi Rama në çdo qëndrim tëndin ndaj vlerave, ndaj vendit ti përfaqëson ish-xhelatin e inteligjencës teknike shqiptare Spiro Kolekën, sepse je rritur në krahët e dajë Kolekës. Absolutisht je rritur me urrejtjen ndaj njerëzve të thjeshtë, je rritur me urrejtjen ndaj qytetarëve të ndershëm, je rritur me kultin ndaj kriminelëve, të cilët sot nuk janë më hetuesit dhe prokurorët xhelatë, por sot janë xhelatë dhe serial killerë, të cilët shëtisin njëlloj si më parë me makina të blinduara dhe bëjnë ligjin kudo. Unë po t’i numëroj këto, jo se dua të të ofendoj me to ndonëse e vërteta është se ti meriton çdo ofezë dhe ky je ti, por po t’i numëroj të gjitha këto me shpresën e vetme se ndonjëra prej tyre do të bëjë t’i thërrasësh arsyes. Sepse në mënyrë absolute votën e shqiptarëve nuk do të mund ta përvetësosh kurrë, ndaj dhe një minutë e më parë të bëjmë zgjidhjen, mos t’ia shtyjmë vendit tonë përpëlitjet. Është në detyrën e të gjithë politikanëve të kontribuojnë sot, asgjë opozita nuk ka shpikur, as shtuar, çdo pretekst dhe çdo gjë që thotë në këtë çadër është e vërtetë si drita e diellit, ndaj të këshilloj sepse e ke vetë parasysh e keqja s’ka fund. Duhet të mësosh edhe nga mençuria e popullit, duhet të ndalesh, të fillojmë menjëherë krijimin e qeverisë teknike me kushte të caktuara mirë, të cilat do të bindin çdo shqiptar se këtu do të votojnë të lirë. 22 marsi është pra dita e kushtrimit, dita e frymëzimit, dita e apelit, për të gjithë shqiptarët, të gatshëm për çdo sakrificë që të votojnë të lirë, të votojnë me dinjitet, të votojnë për të sotmen dhe të ardhmen që meritojnë”, u shpreh ish-kryeministri.

25 vite më parë në 22 marsin ‘92

Ish-Kryeministri ka kujtuar mbrëmë në çadrën e lirisë momentet historike të 22 marsit të vitit 1992, ditës së përmbysjes së diktaturës. Berisha u shpreh se situata në atë kohë ka qenë mjaft e vështirë dhe vendi konsiderohej i treti më i varfri në botë për nga të ardhurat personale.
“Përulem me nderimin më të madh, para këtyre mbi një milion e gjashtëqind mijë shqiptarëve që me votën e tyre të lirë më 22 mars të vitit 1992 do të përmbysnin në Shqipëri diktaturën më të shëmtuar, më çnjerëzore, më të egër, më të gjatë që kontinenti kishte njohur ndoshta në tërë historinë e tij. Do të përmbysnin një sistem të bazuar në antivlera, bazuar në shtypjen e egër të njeriut, bazuar në tradhtinë e madhe ndaj çështjes kombëtare, të bazuar në izolimin më të thellë dhe mjerimin më të tejskajshëm. 22 marsi është pra, dita në të cilën shqiptarët mbi shkrumbin e një sistemi të vjetër nisën rrugën e ndërtimit të sistemit të bazuar në vlerat e lirisë, të bazuar në interesin kombëtar, të bazuar në parimet njerëzore dhe hyjnore, të cilat zhvilluan qytetarin perëndimor, zhvilluan kombet e lira.
Më 22 mars në mbarë vendin vërshoi entuziazmi, shpresa dhe besimi i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për një të ardhme që meritonin, ndërkohë situata ishte më katastrofike sesa çdo njeri sot këtu dhe ata që e kanë përjetuar mund ta imagjinojë.
Historia në një aspekt është arkive dhe për këtë duhet të jemi të lumtur, por historia është edhe mesazh dhe për këtë ajo na duhet shumë, ndaj saj të gjithë duhet të kemi vëmendje, njohjen, vlerësimin, për asnjë qëllim tjetër veçse si të mund të projektojmë të ardhmen tonë, se si ne të mund të ecim në një rrugë pa përsëritur gabimet, pa përsëritur mundësisht vuajtjet, pa përsëritur edhe sakrificat e panevojshme të së shkuarës.
25 vite, Shqipëria me gjithë vështirësitë shumë të mëdha që ka njohur ka arritur më shumë se asnjë komb tjetër në një kohë kaq të shkurtër.
Kombe të ndara dhe të copëtuara ka dhe të tjera në Europë, por vetëm shqiptarët në rrugën e lirisë ia dolën të bëhen të lirë qoftë edhe me dy shtete dhe kjo përbën arritjen më të madhe historike, ndoshta në tërë historinë e tyre.
25 vjet më parë, të ardhurat për frymë të qytetarëve ishin të tretat më të ulëta në botë, ishin të barabarta me Ugandën dhe Angolën, sot megjithë problematikat shumë të mëdha që kanë shqiptarët, sot Shqipëria renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, me një rritje nga ajo kohë rreth 30 herë ose më shumë.
25 vite më parë, shqiptarët ishin qeniet më të izoluara të planetit, sot ata lëvizin të lirë në mbarë kontinentin e tyre. Në këto 25 vite, shqiptarët me përpjekje të mëdha, përpiqen të ndërtojnë një shoqëri të bazuar në vlera, mos harroni se para 25 vitesh individi dhe shoqëria shqiptare ishin jashtë çdo dyshimi më të deformuarat që mund të ekzistonin. Ato mbartnin pasojat e një mjerimi të tejskajshëm, pasojat e një kulti satanik që s’e kanë patur kurrë në historinë e tyre, mbartnin pasojat e një izolimi psikologjik dhe fizik që s’kishin përjetuar kurrë në histori”, tha Berisha.

Artikulli paraprakManjani: Rama kërcënoi gjyqtaren pse nuk burgosi një plak për dritat
Artikulli tjetërZyrtare, pranohet përgjimi i Trump nën presidencën e Obamës