Ndrec Deda i Ramës dhe Kastrioti i Zef Brozit tek droga

Akciza për 30 mijë ton naftë në xhepat e Ramës dhe Besos

Sali BERISHA

Sot, më shumë se kurrë, duke ndjekur betejën nacionaliste të Edvin Kristaq Ramës ndaj armikut të rrezikshëm dhe të madh Vangjel Dule, paçka se ka qenë aleat i të dy krahëve sa herë kanë patur nevojë për këtë “armik të rrezikshëm”, duke ndjekur këtë betejë, më janë dukur reale dhe profetike, fjalët e Nitzches që thotë “nacionalizmi është strofulla e fundit e horrave”!
Të vish këtu duhet të jesh i papërgjegjshëm, siç është, duhet të jesh i pashpresë, siç është, duhet të jesh i marrë fund, siç është. Të mbash Parlamentin me një orë fjalim për të na mbushur mendjen se Dule qenka autori dhe shkaktari i ligjit të luftës me Greqinë, se qenka Dule armiku kryesor apo për të na thënë këtu se qenka Dule problemi i të gjitha problemeve të Shqipërisë, jo vetëm që është një diskur i neveritshëm, por folklorik dhe diletantesk deri në vjellje, tejkalon dhe nausen e Sartrit.
E vërteta është se prapa këtij qëndrimi qëndrojnë interesa strikt mafioze për Himarën. Nuk dua të ndalem, pasi nuk ka asnjë diskutim që Himara është dhe mbetet në shekuj një bastion i shqiptarizmit. Kjo është jashtë çdo diskutimi. Nuk po shkoj në historirat e moçme, por do të ndalem pak në historinë e 15 viteve më parë, atëherë kur u krijua aleanca mafioze për fitoren e kandidatit socialist dhe kandidati i PDI-së u shpall kandidati i Greqisë, kandidati socialist u shpall kandidati i shqiptarizmës paçka se ishte e tëra interesa trojesh dhe mafiesh dhe asgjë tjetër. Çfarë tha ambasadori grek i pranishëm aty? Këtë që na dhuruan socialistët shqiptarë nuk e kemi arritur dot 300 vite me radhë. Pse? Sepse dokumentet e 300 viteve faktonin se Himara ishte ajo që thashë, bastion i shqiptarizmës. Dokumentet nga studiues e shkrimtarë nga e gjithë bota e faktonin këtë.
Në vitin 1992 kur u bëra President, kishte këtu një punonjës të ambasadës amerikane, i cili bëri 150 vizita në Himarë dhe unë habitesha se ç’bënte ky në Himarë. Dhe pas këtij rezultati del që Himara ishte ajo që themi. Pas hulumtimit që bëri më dhuroi një dokument të viteve ‘30 që konsulli i SHBA i dërgonte Departamentit të Shtetit. Nuk kam ndërmend të hyj në këto debate tani, pasi unë e shpreha qëndrimin tim, por kam ndërmend t’i them zotërisë, se për pallatet e Koço Kokëdhimës nuk mund të shesësh këtu nacionalizëm. Se po të jetë puna, i heq të mbathurat sa herë ta lyp ty nevoja. Kaq nacionalist je ti. Dhe ata që besojnë nacionalizmin e Edi Ramës dhe që e duartrokitën, ata janë të verbër se s’ka gjë të përbashkët fare me të. Ka interesa mafioze strikt dhe interesa karrigeje, pushteti.

Asnjë bos droge nuk arrestohet

Natyrisht sot ngjarja e madhe duhet të ishin fabrika e madhe e drogës në Rrëshen me 7 tonelata, e mbrojtur fuqishëm nga Policia e Mirditës, e drejtuar nga banda e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda, ish-ndihmës i Edi Ramës për ndërtimet pa leje në Inspektorat dhe e drejtuar nga mbështetësi i fuqishëm i Ramës, pronar i fabrikës, njëfarë Kastriot Reci, por saktësoj këtu se ka tre Kastriot Reci, por ky është nipi, djali i motrës së Zef Brozit. Pra, çfarë ndodhi? U arrestuan 20 gra e fëmijë kurse Kastrioti, si të gjithë banditët kryesorë të tjerë nuk i hyri ferra në këmbë, por u largua, paçka se në dosjet e tij palë-palë, vetëm me njerëzit e tij në Itali e ku i ka, merret me të gjitha llojet e trafiqeve. Paçka se vendin e ka mbuluar kanabisi, nga thellësitë e Alpeve, Stani i poshtëm e deri në Pogon po njeri përgjegjës, bos trafiku nuk arrestohet dhe nuk vihet para ligjit, por kapen vetëm disa fëmijë e gra të mjera, sot dëgjova se ka edhe gra shtatzëna që shkojnë punojnë për të fituar pesë lekë për fëmijën që presin, pasi ky është i vetmi front pune që ofron njeriu që, vesin e tij, përdorimin e drogës po e rrezaton në mbarë kombin shqiptar. Dhe ja doli.
Dëgjoja sot me dhembje të madhe, një pjesëmarrëse në një shou të rëndësishëm në Gjermani, tek thoshte para mediave se vendi i saj është bërë i njohur për drogën dhe prostitucionin. Mos ia kini për të rëndë asaj, sepse ajo e ka thënë me dhembje dhe jo me krenari atë gjë. Por nëse themi që s’jemi bërë, hajde të themi për qindra artikuj ku shkruajnë se, Shqipëria është bërë Kolumbi e Europës, hajde të themi Shqipëria kanabistan, hajde të themi që Kryeministri shqiptar mohon e mohon pastaj detyrohet të ftojë të gjithë ambasadorët në zyrë pasi ka plasur kanabisi e ka marrë dheun. Kreu i vendit thotë ç’më duhet mua Këshilli i Sigurimit Kombëtar, paçka se në territorin e tij, të Republikës ku ai është shef ekzekutiv ndërtohen aeroporte pa leje, ilegale, me të cilat transportohen armë, drogë dhe të gjitha trafiqet e tjera kriminale.
Sigurisht Këshilli i Sigurimit Kombëtar për këtë bandë që trajton territorin e vendit në këtë mënyrë, që trajton Shqipërinë dhe shtetin në këtë mënyrë nuk mund të ekzistojë. Nuk ka këtu siguri kombëtare dhe institucion të tillë kur asnjë pëllëmbë e territorit nuk kontrollohet nga askush tjetër vetëm nga banditët, trafikantët, njerëz të qeverisë të implikuar me krimin. Kjo është e vërteta.
Një herë thotë se për kanabisin fajin e ka opozita. Po tregoheni të trashë, injorantë. Po kush e pyet opozitën nëse kjo nuk do të ishte realitet? Ju jeni qeveri, por keni frikë nga vetja juaj. Ju duhet ta dini një gjë, që për të dëgjuar opozitën, e cila gjithnjë është kundërshtare, çdo qeveri tjetër dhe çdo institucion tjetër nuk i thotë plaç, por matet dy herë për ta marrë për të vërtetë. Si do të fshihni ju kanabisin që ka shpërthyer në të katër anët e vendit? A mund të na thoni ju? Po kush në botë përveç një mendjeje të sëmurë si ajo e Edi Ramës nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.
Edhe një herë shtroj pyetjen se, cili bos droge është arrestuar deri tani? Ligji arreston të gjitha kryetarët e komunave që s’kanë njoftuar policinë. Cili prej tyre është arrestuar? Asnjë prej tyre. Po sepse po ndahen paratë me ta. Pra, kjo është situata me kanabisin dhe i keni bërë vendit shërbimin më të keq në historinë e tij.

Rama në refleksione: PS të dalë jashtë ligjit

Ne kemi dalë nga një labirint pasi kemi patur emrin më të keq në histori dhe tani i shtojmë këtë. Del këtu zotëria, njeriu që quante Luftën Nacional Çlirimtare një luftë civile. A doni t’ja u lexoj shkrimin e tij tek “Refleksionet”? A doni t’ju lexoj se ç’thotë ky për gjeneral Enver Hoxhën të udhëhequr nga jugosllavët? I keni tek libri. Dhe tani del e bëhet avokat i krimeve kundër njerëzimit, i gjenocideve, veprave monstruoze, ku edhe ata që i kanë kryer janë detyruar në njëfarë mënyre të njohin aktin e tyre çnjerëzor. Dhe ju lejoni në këtë Parlament të dalë dhe të thotë se ne jemi pasardhës të partizanëve kurse ju të ballistëve. A e dini çka thënë ky për partizanët? Ja u lexoj unë: “Edi Rama kërkon denoncimin pa kompromis të veprimtarisë kriminale të PPSH deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit”. Kurrë nuk kam thënë të dalin jashtë ligji subjektet politike, përkundrazi kam thënë të reformohet, dhe kam vlerësuar çdo hap që kanë bërë….
(Hyn Rama në sallë) …Erdhi ky? E di si është puna me ty zotëri, tre orë më parë të lashë përshesh, tani të gjej qull. Ky njeri ka marrë fund dhe unë ju them se i ka përpëlitjet e fundit në pushtet. Njeri që s’ka kurajo, i mban dekretet e Presidentit në sirtar. Shkon i lutet Ilir Metës me orë të tëra që mos t’i sjellë për votim se përndryshe bie. Po s’ka burrëri ai, ndaj është bërë pelte, qull është bërë.
Ti lexoj këtu unë ty: “Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncim të plotë të origjinës së historisë së saj, ajo s’mund të ketë të drejtën për të qenë parti e ligjshme”. Janë të miat apo të këtij zotërisë (Ramës) këto?
Vazhdojmë: “U ulëm për zbërthimin e mitologjisë së 28 mijë dëshmorëve. Gjaku i rremë, në themel të kolltuqeve nisi tërmetin. Pra, ata mund të kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur çështja e shtetit kurse …”.
…Unë po t’i lexoj me korrektesën më të madhe dhe nëse deformoj një fjalë të vetme hajde thuaje.
“Kongresi i Përmetit quhet si legalizimi fitores së komunistëve në luftën civile dhe që i mohoi të drejtat kombit shqiptar”. Ja ku e keni.
S’më kuptove drejt kur të thashë qëparë se kur i vjen ngordhja qenit, vjen dhe urinon në derë të selisë. Se ky (Rama) do të ikë nga selia, s’ka punë me ju ky, ja ç’ka thënë për ju ky. Ja o socialistë ç’ka thënë për ju ky që ju udhëheq sot.
“Kongresi i Përmetit, me fillimin e luftës civile nga komunistët ju mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike”. Janë që të gjitha këto, dil dhe lexoji nëse i ke thënë ndryshe, kam këtu dhe “gjeneral Enver Hoxha nën drejtimin e jugosllavëve i dha Luftës Nacional Çlirimtare drejtësisë karakter të luftës civile”.
Meqë e hapa temën do të them dhe vetëm dy fjalë. E kam thënë dhe e them prapë se është një faqe e ndritur Lufta Çlirimtare. E kam thënë, e them dhe do ta them gjithë jetën time. Duke thënë këto, e them dhe do ta them se që në momentin e themelimit të saj nga Mugosha dhe Begoviçi, si reparte të Partisë Komuniste të Serbisë, me porosi të komitetit. Organizoi luftën nën udhëheqjen e Mugoshës. A e di ti që nuk u emërua sekretar i parë ai? A e di ti që i dhanë çelësat e financës dhe sekretar i parë u mbajt Dushani për kohë të tërë derisa e rekrutuan? Lexoni historinë. Pasi e rekrutuan e vunë në krye, natyrish Dushani urdhëronte. Erdhi një moment brilant në historinë tonë me ndihmën e qeverisë britanike, dhe ky moment i jashtëzakonshëm ishte Konferenca e Mukjes, e cila bashkoi forcat e shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet ideologjike, në luftë kundër pushtuesit, por mbi të gjitha, përcaktoi si zgjidhje të çështjes kombëtare Shqipërinë etnike. Zgjodhi Komitetin e Shpëtimit Kombëtar me në krye një eksponent kryesor të Ballit, intelektual i shquar Hasan Dosti dhe zgjodhi komandant të njësive partizane të Shqipërisë, njeriun që në Konferencën e Pezës ishte krah për krah me partizanët, komandantin legjendar Abaz Kupin. Brenda një jave, ndërhyrja e serbëve ishte violente, ishte shkelmim dhe këtë e detyruan dhe Enver Hoxhën duke kryer dhe aktin e madh të tradhtisë kombëtare.

4 herë më shumë të vrarë në ’45-‘47 nga komunistët se serbët në Kosovë

U bë debat këtu këtë javë për ata që dekoroi Presidenti i Republikës. Ore të mjerë, krimet e luftës nuk parashkruhen kurrë, nuk do të thotë se pse je në luftë të kryesh krime monstruoze. Gjenocidi nuk parashkruhet kurrë. Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen kurrë.
… Dhe këtu del një avokat i xhelatëve serbo-shqiptarë dhe përmend origjina. Në vend se të dënonte me ashpërsinë më të madhe. Po, pas abrogimit të Mukjes është shumë e vërtetë që një pjesë e konsiderueshme e Ballit filloi rrugën e bashkëpunimit, dhe ajo është tradhti e mirëfilltë kombëtare. Por një pjesë e madhe e tyre nuk bashkëpunon kurrë, u vranë dhe nuk bashkëpunuan, por qëndruan besnikë ndaj flamurit kombëtar dhe çështjes kombëtare. Këto janë të vërtetat. Dhe Enver Hoxha, pas tradhtisë së shtatorit, do të bënte më 1944 tradhtinë e 12 janarit, Marrëveshjen e Bujanit, e cila përsëri bëri që shqiptarët, edhe serbët në atë konferencë, të firmosin që çështja e Kosovës të vihet në plebishit, të zgjidhet me referendum, me vetëvendosje. Vetëvendosja ishte parim i shpallur nga karta e Atlantikut. Enver Hoxha përsëri fill shkelmoi dhe dërgoi brigadat partizane në Kosovë, në një kohë kur aty s’kishte këmbë gjermani. Disa prej tyre shkuan në Bosnjë luftuan, të tjerat iu kthyen së bashku me brigadat serbo-malazeze, shqiptarëve të Kosovës dhe kryen një gjenocid të shëmtuar dhe krime kundër njerëzimit, organizuan masakrën e Tivarit.
Këtyre u dilni zot ju?
A e dini ju që në vitet ‘45-‘47 janë vrarë shqiptarë 4 herë më shumë se sa në vitet ‘98-‘99 në Kosovë? Dhe të gjitha këto me ndihmën e shqiptarëve, të Ramiz Alisë, Manush Myftiut, Shefqet Peçit, dhe kriminelëve të tjerë. Pra, kjo është historia. Do t’i thoni gjërat siç janë a jo.
Ju na thoni se Tito deshi të fuste divizionet dhe Enver Hoxha ja refuzoi. Enver Hoxha pranoi divizionet, pranoi bashkimin. Nuk ishte burrë i zgjuar ai. Ai ishte një tradhtar i ndyrë, i pashembullt në historinë tonë kombëtare, i cili bëri gjithçka për të bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë. Të njëjtën gjë mbajti ai më ‘68, më ‘82, ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe e vërteta është se në njëfarë mënyre po vazhdon dhe ti kështu.

Skllav i mjerë i Beogradit

Skllav i mjerë i Beogradit që vazhdon traditën e baballarëve të tu, me një servilizëm të pështirë, ekstrem. Ti që shkon pllaq e plluq, hap ekspozita dhe shet libra dhe thua s’jam as hero e as tradhtar. Ti je një batakçi i vërtetë.
Ju vërtet vini nga bllokmenët, por juve ju takonte që ndaj luftës të mbani qëndrim. Unë nuk jam dakord me atë që ke thënë. Nuk e pranoj unë për luftë civile atë. Kishte aspekte të luftës civile, por nuk ishte luftë civile. Ishte luftë, e cila vlerësohet sepse rreshtoi Shqipërinë dhe shqiptarët nga ana e drejtë e historisë, ishte luftë në të cilën u derdh gjak dhe u vranë mijëra shqiptarë për liri dhe dinjitet, për bashkim kombëtar. Por ishte luftë, e cila u tradhtua, ishin ideale që u tradhtuan nga një klikë banditësh në krye, injorantësh, agjentësh që nëpërkëmbin këtë luftë. Në vend se të përshëndesësh gjestin e Presidentit të Republikës, në vend se të shkosh të vendosësh një tufë me lule tek ata fshatarë që u ekzekutuan vetëm se urdhëroi Dushani, i cili donte me çdo kusht të mbillte farën e luftës vëllavrasëse në Shqipëri dhe ndizesh me anën e Enver Hoxhës dhe pastaj mendon se do i mbulosh këto me Vangjelin, duke çuar në hell Vangjelin. Vangjeli aty ka qenë dhe aty do të mbetet. Si bën dot gjë Vangjelit ti. E vërteta është se Vangjeli do të nxjerrë ty nga politika. Ti do ikësh, i ke kohërat e numëruara, je kot në politikë tani.

Berisha-Metës për Ramën: Jepini një uturak

Në vitin ‘90 ka me qindra artikuj. Asnjë prej tyre nuk ka thënë që PS-në ta nxjerrin jashtë ligjit. Asnjë prej tyre përveç teje, pasi je i vetmi, je një ekstremist. E di pse e ke thënë këtë? Pasi e nisi Nexhmija me çdo kusht të merrte PD-në dhe mori atë që meritonte, u kthye ta merrte ky PS-në. U bë copa të merrte PS-në. Dhe pasi nuk mori dot PS-në, shkroi mbrapa në librin “Refleksione”, se këtë parti duhet ta nxjerrin jashtë ligjit. Unë të kam ty libër të lexuar, nuk ka libër më të mërzitshëm, por prapëseprapë unë t’i them gjërat.
Shqiptarët nuk kanë hallet e Vangjelit. Janë 45% e fermerëve shqiptarë që po jetojnë e po zhyten çdo ditë e më thellë në mjerim. Fshati shqiptar para 10 vitesh kishte absolutisht infrastrukturë reale mesjetare. Në fshatin shqiptar kudo që shkoje gjeje rrugë të qerreve, të cilat janë hapur që kur ka filluar rrota të funksionojë. S’e harroj kurrë kur kam shkuar në Peqin dhe shkova inaugurova një copë rrugë, e cila për hir të së vërtetës ishte e shkurtër, të çonte në fshatin Pajovë, dhe kur më thonë ata se kjo është rruga e parë që asfaltohet në të gjithë rrethin përveç aksit kombëtar, u them sinqerisht se 90% e të gjitha rretheve ishin në atë gjendje.
Gjatë 8 viteve, ne investimin më kryesor e kemi bërë në fshatrat shqiptarë. Ne kemi invetuar dhe ndërtuar e rindërtuar në fshatrat shqiptare mbi 8 mijë km rrugë, mbi 1000 shkolla, qindra ujësjellës e kanalizime, qendra shëndetësore. E kemi bërë këtë me një parim, se pavarësisht se ku banojnë, fëmijët e këtyre njerëzve të kenë kushte të përafërta infrastrukturore me qytetet. Të mos kenë vuajtjet e baballarëve dhe gjyshërve të tyre. Ky ka qenë parimi nga i cili u udhëhoqëm. A i përfunduam? Jo. Këtu në këtë Parlament kam deklaruar se kur erdhëm në pushtet ishin 2430 km rrugë të asfaltuara prej 18.300 km rrugë në Shqipëri. Pra, mbetën disa mijëra. Ky zotëria, Nastradini u thoshte shqiptarëve se s’janë rrugë këto, se do u bëj rrugë midis parcelave.
….(Rama largohet). Iku? Zoti Kryetar, nëse ai bën kështu më mirë të marrë një uturak nëse s’rri dot pa shkuar në banjo dhe të rrijë aty…
Pra, u ndërtuan dhe rindërtuan mbi 8 mijë km, u bë diçka për infrastrukturën. Nuk u përfunduan, por absolutisht fshati meritonte përsëri. Unë e kuptoj bllokmenin që e ka kompleksin vetëm tek Blloku dhe qendra, por unë kuptoj atë fshatarin në Gurakuq etj., pa rrugë, se nuk ja çuam dot, ja çuam deri në Labinot. Harroni se ky do të mendojë për fëmijët e tyre. Se ky vërtet mund ta ketë rrugën me gropa këtu, por prapë e ka shkollën gjysmë ore apo çerek ore, kurse atij i duhet të bëjë dy rrugë për të shkuar në shkollë. Ai po të sëmuret vdes natën, s’ka asnjë lloj ndihme. Ndaj dhe nga 2.3 miliardë euro që keni investuar, ju nuk dilni dot këtu për të treguar se keni investuar në infrastrukturën e fshatit as 10 milionë euro. Sepse ju keni një urrejtje, një përçmim, një neveri, një mosvlerësim, për punëtorët e tokës, për njerëzit, të cilët shkrihen me punën e tyre në tokë për fëmijët, gratë, për familjet, por dhe vendin e tyre. Mendoni ju për ta? Akti i parë që bëtë i hoqët grantet. Nuk hiqen grantet more. Merr dhe lexo nëse gjen një vend europian që s’ka grante për bujqësinë. Po jepi një shtytje atij fshatarit. Dhe mbi këtë bazë edhe ne nuk është se bëmë ndonjë mrekulli, 45 projekte paguam, por u mbollën 11 mijë rrënjë ullinj. Edhe superprodhim mund të ketë, edhe dëm prodhimi mund të ketë, por ama 100 fabrika të vogla u ngritën. Shumica me kredinë tonë, një pjesë e mirë pa kredinë tonë. Dhe mos harro se investimi në ulli është investimi më afatgjatë dhe më i qëndrueshëm. Dhe mos harro se zona kodrinore e Shqipërisë e ka kulturë të artë ullirin. Harroni se Shqipëria është një nga vendet më të përshtatshme për arrorët. Kishte gjithsej 500 mijë rrënjë lajthi, arra, bajame, u bënë 1 milion rrënjë. Puna e parë që bëtë ju ishte shkelmimi tyre. I thoni fshatarëve të marrin kredi. Shumë mirë, plotësisht dakord t’i jepni kredi, por kredia nuk zëvendëson kurrë subvencionin.
Atëherë në vend të granteve u dhatë kanabis. Kryet krimin e shëmtuar, orientuat fshatarin shqiptar drejt kanabisit.
Pra, kjo është gjendja katastrofale e bujqësisë. Kudo që shkon, a e shihni me çfarë fisnikërie flasin dhe çfarë përgjigjesh marrin nga Rama. Në Troshan fshatari i kërkonte projekte ky i thoshte merrni NIPT-in.  Ju jeni bërë që s’keni pikën e ndjeshmërisë ndaj qytetarëve, ju duken miza ata.

600 studentë më shumë universiteti “Kristaq Rama”

Ky ishte viti zi në historinë e arsimit shqiptar. Do të kthehemi bashkë tre vjet më parë. A ju kujtohet ju beteja e tij kundër universiteteve private? A ju kujtohet që nuk la fjalë në botë për to? A e dini si është sot situata? Sot ka gjithsej 15 universitete dhe shkolla të larta publike, ndërsa private janë 24 shkolla të larta dhe private. E dini çfarë janë këto? Universitetet private i çuan trajstat me para zotërisë, e peshuan në kandar Ramën.
Që të gjitha universitetet paguan përveç dyve. Si shpëtuat ju, si nuk kaluat në gijotinë. Ja pretë gijotinën me trajstat me para. Ja u them unë ligjin tuaj. Çdo vit regjistroheshin në universitetet e vendit me kohë të plotë dhe të pjesshme 38.000 të rinj. Sot janë regjistruar në universitetet publike të vendit 16 mijë më pak. A e dini ju që në krye të marrjes së studentëve është universiteti privat “Kristaq Rama”? S’ke vetëm shkollën ti, ke dhe universitetin, të ka peshuar në kandar ty ai, që bën dhe ligjet e tua, mos më bëj të flas. Pra, a u betua ndrikulla e arsimit se po ngeli një le të vijnë të më thonë. Ja ku po ja them se vetëm nga këta janë 4.300, të cilët nuk u regjistruan dot dhe një pjesë e tyre shkoi tek privati, një pjesë e tyre mori rrugët e mëmëdheut, iku në emigracion, iku refugjat për të mbijetuar. Kjo është drama dhe tragjedia që krijuan këta në arsimin shqiptar. 600 e ca studentë më shumë ka marrë universiteti Kristaq Rama. 300 e ca studentë ka marrë universiteti Lindita Nikolla, e kështu me radhë të gjithë universitetet që mbajnë emrin e këtyre të korruptuarve, të cilët shkatërruan arsimin shqiptar.
Le të marrim masterat. Nëse ministri i Arsimit u thotë universiteteve të vendit se do të mbyllet regjistrimi për mastera më dt. 11 tetor, në një kohë kur provimi i shtetit është më dt. 13 tetor dhe për t’u regjistruar duhet çertifikata e provimit të shtetit, a nuk është kjo një cinizëm, një akt çnjerëzor për t’i përjashtuar nga masteri vetëm prej provimit.
A e dini çfarë afati u ka dhënë privatëve ndrikulla? 21 nëntorin u ka caktuar afat për regjistrimin e masterit, kurse për publiket ka caktuar 11 tetorin. Duke shpallur armik Vangjelin nuk i mbuloni dot këto. Ti je një korruptor, je një hajdut, ti vjedh natën e ditën edhe kur fle.

Shifra rekord e borxheve ndaj biznesit 178 miliardë lekë

A e di ti Ledi (Shamku) që akciza e naftës nga 45 mijë tonë që ka qenë ka zbritur në 6 mijë tonë, 39 mijë tonë i piu Edi Rama me Besnik Sulën. Ka qenë zhdoganuar 45 mijë tonë nafta, zhdoganohet 6 mijë tani, 39 mijë i piu Besniku me Ramën me kompaninë “ARMO” që kanë krijuar.
Tani dua të flas dhe një herë për borxhet. U fol këtu për 13-tën, për borxhin e madh dhe thoshte se 35 mld lekë TVSH pa rimbursim dhe detyrimet e shtetit ndaj biznesit ishin 78 miliardë. A e dini ju se sa janë sot detyrimet e biznesit ndaj shtetit? Janë 178 miliardë. A e dini ju ç’do të thotë 178 mld? 178 mld edhe për pak janë të gjitha investimet e bëra në Shqipëri. Ky pra, e ka 100 mld më shumë. Sikur të kishte ruajtur ky nivelin tonë, me 100 mld kishte ndërtuar çdo rrugë dhe rrugicë të fshatit, ja u kishte shtruar dhe ato rrugët mes parcelave që thoshte.
Së fundi, kam pas fatin të njoh një nga avoketërit më të mëdhenj të botës, rastisi që erdhi këtu me titull ambasadori. Dhe takoi njërin prej jush, një bos tuajin. Pasi u kthye më tha keq e ke punën ti. Se me eksperiencën time tha, kam pasur disa të njohur që kishin vjedhur nga një bilion dollarë, por asnjëri prej tyre nuk ishte që donte të vidhte bilionin tjetër, sepse ishin ngopur me vjedhjet.
Tani ky, pasi ka vjedhur me koncensionet. Me check up, me CEZ prapë nuk ngopet. E përgëzoj zonjën Vokshi, ja u bëri radiografinë. Por prapë çfarë ka dalë? Del që ndrikull Nushi, nga 430 mijë check up-e që duhet të bënte për të marrë paratë, ka bërë 310 mijë dhe ka mangut dhe 115 mijë. Beqaj ja ka dhënë paratë edhe për këto 100 e ca mijë që s’ka bërë. Po si nuk keni ndërgjegje që vidhni në këtë mënyrë? Ajo është një hajdute e pafytyrë që vjedh të sëmurët dhe merr para për punë të pabërë. Përfaqësuese e një klani gjakpirës, klanit Nushi, që ndan paratë me këtë hajdut këtu dhe me këtë tjetrit. Si mund të marrësh paratë për një gjë që s’ke bërë? Po të vret Zoti për paratë që u merr të sëmurëve.
Nga ata 200 e ca mijë, të dhëna të sigurta thonë se nuk janë as 105 mijë dhe 100 e ca mijë të tjerë janë falso ndaj dhe ka nxjerrë mekanizmin që nuk jep listën me të dhënat.
Zoti Kryetar, unë ju them këtu se ne nuk duhet ta lejojmë kurrë këtë gjë. Ose ju do të na garantoni ne kontrollin mbi këtë gjë, ose do të nxirrni listën e emrave dhe ta kontrollojmë një për një, emër me emër.
Çfarë ndodh tjetër? Nuk na ndahen këta familjarët ne. Tani marr një sms për zonjën e nderuar Albana Fico, ish-kunatën tënde, ku më thonë se i detyrojnë pacientët të shkojnë të bëjnë analizat në klinikën private të saj në Komunën e Parisit, pra në klinikën e shokut Xhemal, shokut Edi. Ndaj çohen të sëmurët nga spitali për të bërë analizat në klinikën e kunatës së shokut Xhemal.
“Përshëndetje zoti Berisha. Ju informoj se pacientët detyrohen të shkojnë të bëjnë analizat në klinikën e zonjës Albana Fico, nëndrejtoreshë e QSUT, që mbështetet nga ministri Beqaj, pasi është kunatë e zotit Bledi Çuçi”. Në fakt është dopio kunatë ajo, se ka qenë kunatë dhe e jotja (Ramës) se sa për Çuçin s’po pyet njeri.
Ndërsa për atë bixhozçiun, i cili është i dënuar nga gjykata për shpifës e trillues, i cili ka patur çështje të hapur nga gjykata për përdhunim të një të sëmure me AIDS, tani do të them dy gjëra për të. Ai thonë se merr 15% për çdo dru që pritet dhe rrënjë hashashi që mbillet. Por të jem i sinqertë që këto janë thërrime me ato të Taulantit të madh, Edvin Kristaq Ramës.
Pra, këto ishin të dashur miq probleme shumë më madhore për shqiptarët se sa shpallja armik apo shpallja grek e Vangjel Dules.

Exit mobile version