Berisha-Ramës: Të ka rënë hija e burgut në fytyrë

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi mbrëmë nga çadra e protestës se revolucioni demokratik ka hyrë në fazën finale që do të jetë ai i triumfit përfundimtar. “Ky është revolucioni demokratik i shkurtit 2017. Ky revolucion po ecën drejt fazës finale, triumfit përfundimtar. Përshëndes me shumë respekt të gjithë ata qytetarë, intelektualë, të cilët nuk ndajnë me ne të njëjtat bindje, por ndajnë me ne vlerën dhe besimin se vota e lirë është themeli i shoqërisë së lirë dhe kanë ardhur në këtë çadër”, tha Berisha. Berisha ka bërë mbrëmë edhe një paralajmërim për Ramën”, “të ka rënë hija e burgut në fytyrë”, është shprehur Berisha para mijëra protestuesve që vazhdojnë protestën sot në ditën e 26 të saj.
“Sot ju djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e çadrës së lirisë duhet të ndjeheni më krenarë se kurrë, sepse nga ky bulevard, nga kjo çadër ju po shkërrmoqni çdo ditë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e maskave. Ky pushtet i çadrës së lirisë, po rrezaton në mbarë vendin. Çadra është bërë e famshme në mbarë botën, çadra po e çon Edvinin edhe një herë në spital psikiatrik. A e vutë re mbrëmë kur thoshte se nuk kishte shkarkuar njeri, nuk dinte ç’fliste njësoj si njeriu që ka humbur çdo gjë? I them këtu para jush se të ka rënë hija e burgut në fytyrë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se Rama nuk do të mund t’i shpëtojë dot pushtetit të popullit, duke i kujtuar se vetëm për aferën e CEZ në bazë të ligjeve duhet të dënohet nga drejtësia me 35 vite burg.  “Para tre ditësh u tha ministrave se vetëm pushteti na shpëton nga burgu. Nga kjo çadër po i them se pushtetit të popullit s’ka forcë që i shpëton ndaj bëhu gati se vetëm për CEZ-in ke 35 vjet burg”.
Berisha tha se ditët e Ramës në pushtet janë të numëruara, ndërsa e ka konsideruar zëvendësimin e Tahirit me Xhafën si zëvendësimin e një plehre me një xhelat. “Edvin, i ke ditët e numëruara! Hoqe nga rendi një pleh dhe solle një xhelat. Po ku pyet populli, ku pyesin qytetarët e lirë për xhelatë si Fatmir Xhafa. Nga çadra ju bëj thirrje shqiptarëve, që vetëm për një moment të rikujtojnë skenat e Saje qorrit, këtij trafikanti, këtij vagabondi të këtij kontrabandisti në Drejtorinë e Tiranës. A e patë se si ka transformuar institucionin e shtetit në institucion gangsterësh dhe prostitutash politike. Policia e Shtetit e mbushur me kriminelë, me trafikantë, me militantë që i nxjerrin parulla një gangsteri më të lig se Emiljano Shullazi. I them edhe atyre që veprojnë në këtë mënyrë, se kohërat i keni të numëruara. Pas horrit, pas vagabondit, pas Saje qorrit do shkoni me radhë!”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri u shpreh se shqiptarët janë të gatshëm për çdo sakrificë në mbrojtje të votës së lirë. Dhe i bëri thirrje Ramës që të japë dorëheqjen. “Le t’i bëjmë thirrje Edvin Kristaq Ramës; thirri mendjes në të ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye, jep dorëheqjen, hape rrugën. Kjo e jona është betejë për votën, nuk është betejë për pushtetin. Pushtetin do ta vendosin shqiptarët me votën e lirë, por ne jemi të vendosur për çdo sakrificë për votën e lirë. I bindur të jesh se forcë në botë pa realizuar qëllimin tonë nuk do të mund të na pengojë. Mblidhi këtu në Kryeministri të gjithë vrasësit e Shqipërisë, të gjithë trafikantët e Shqipërisë, të gjithë pengmarrësit e Shqipërisë. Je i pashpresë”, u shpreh Berisha.
Nga çadra, Berisha i ka bërë thirrje Ramës të dorëzohet dhe të pranojë qeverinë teknike. “Më mirë dorëzohu, më mirë prano qeveri teknike, hapi rrugë vendit dhe të ecim përpara. Lëri përpjekjet. Ti je peng i krimit. A i dëgjuat akuzat që i bëri Saimir Tahirit të nesërmen? Tek Balili tha Tahiri, nuk jam i filmuar unë, por je ti Edi Rama, dhe absolutisht është e vërtetë. Prandaj thirri arsyes, çadra është çadër lirie, çadër paqeje dhe mesazhesh qytetare, ndaj dëgjoji dhe largohu. Largohu se do të krehin me lecka! Kundër qeverisë dhe Edi Mavrisë.
Edhe një herë ju përshëndes vllazërisht për fitoren që korrët. Natyrisht ky ishte vetëm hapi i parë. Shkërrmoqja e mazhorancës së qelbësirave, e mazhorancës së bazuar mbi drogën, mbi krimin dhe vjedhjen e qytetarëve është fat i pashmangshëm në ditët dhe javët që vijnë. Fitore, fitore, fitore!!”, u shpreh Berisha.

Erla Mëhilli

Artikulli paraprakGjoba që do t’i paguajnë Lojërat e Fatit vëlla Olsit
Artikulli tjetërShqiptarët, populli që beson më shumë tek NATO