Berisha-Ramës: Uroj të të vijë mendja, mos vrit veten

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje se Rama mund të vrasë veten, por nuk ikën nga karrigia e pushtetit. Ai ka kujtuar se në jetën e tij, Rama ka pasur disa tentativa për të vrarë veten dhe për këtë janë dëshmitë edhe në spitalet e vendit. Berisha ka paralajmëruar se beteja e lëvizjes popullore për votën e lirë është e vështirë, por se ajo nuk mund të ndalet deri në fitore.
“Beteja është e ashpër dhe ju ftoj të pyesë secili veten: a ikën Edi Rama? Ja u them unë këtu se Edi Rama më parë vret veten sesa ikën, sepse tentativa suiçide ai ka patur jo vetëm një herë gjatë jetës së tij. Por këto janë problemet e tij. Për të ikur ai nuk ikën. Për të dëgjuar zërin tonë, ai nuk e dëgjon, por e garantoj se ne do ta bëjmë që ai ta dëgjojë zërin tonë dhe do ta dëgjojë ju siguroj, por më mirë ta dëgjojë tani se sa kur t’ja këpusë vetes në dy tëmthat apo në njërën anë. Edhe një herë ja u them se ai më parë vret veten se sa ikën. Uroj që t’i vijë mendja dhe të pranojë zgjidhjen e ofruar, asgjë tjetër veçse votën e lirë. Vota e lirë për ne, për ju që jeni këtu, për shqiptarët, për opozitën është më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër”, tha Berisha.
Për ish-Kryeministrin vota e lirë është kushti i të gjitha kushteve për Shqipërinë europiane, është kushti i të gjitha kushteve për Shqipërinë e stabilitetit. Berisha e konsideroi Ramën një kriminel që beson vetëm për karrigen e tij.
“Ne kemi bindjen më të thellë se pa votën e lirë s’ka stabilitet. Edi Rama shpërndan si armiq shqiptarët nëpër Europë. Deri para pak kohësh në Gjermani ishin kryesorë, tani dalim në Francë në vendin e parë si azilkërkues, popull me një vend me pasuri të jashtëzakonshme shëtit sot si hebrenjtë në shkretëtirë sepse ka këtu një kryekriminel në pushtet që mendon vetëm për karrigen e tij”, tha Berisha.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që për asnjë moment të mos ndalen nga rruga e protestës dhe përballjes me një regjim kriminal. “Ndaj i bëj thirrje shqiptarëve që të vazhdojnë këtë rrugë. Rruga e vërtetë për një Shqipëri europiane është beteja për lirinë themelore. Ato janë detyrë e jona, ato janë mision i popullit opozitar, i çadrës së lirisë. Askush më shumë se ne nuk e do stabilitetin”, tha Berisha.
Për Berishën beteja për votën është betejë për ekzistencën e demokracisë dhe lirisë dhe ai paralajmëroi këdo që e prek atë. “Ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë. Beteja jonë është betejë e shenjtë, është betejë për më të çmuarën që ka një komb, është betejë për votën e lirisë, zemrën e lirisë. Mjerë ata që guxojnë t’ia prekin shqiptarëve atë! Edi Rama shporru, qërohu, largohu”, tha Berisha.

Nuk ka pushtet mbi votë të shtypur

Ish-Kryeministri Berisha ka deklaruar se Ramën e gënjen mendja se mund t’i rrëmbejë votën e lirë shqiptarëve. Ai deklaroi prerë se kjo nuk do të lejohet. Berisha deklaroi se vazhdimi i politikës për vjedhjen e votës së shqiptarëve do ta bëjë Ramën që ta paguajë mjaft shtrenjtë koston e këtij krimi. “Ky mision është një mision për të gjithë Shqipërinë, për çdo pëllëmbë të territorit të saj, për çdo pëllëmbë të saj që duan t’i besojnë vendit, që duan të jetojnë në Shqipëri, që duan të ndërtojnë këtu dhe jo rrugëve të botës të ardhmen që meriton.
Unë e kuptoj mirë se ia njoh psikologjinë. A të gënjen mendja se do të mund të na e rrëmbejë votën. Atë e gënjen mendja se do të mund të na rrëmbejë lirinë, atë e gënjen mendja se do të mund të vazhdojë pushtetin, karrigen mbi votën tonë të shtypur. Të gjitha këto, më duhet t’i them këtu se do i paguash, do t’i paguash aq shtrenjtë, por atëherë do të jetë tepër vonë se do i kesh rënë vetes në të dy tëmthat. E vret veten ai, pyesni spitalet se dihet kjo”, tha Berisha.

Exit mobile version