Berisha rikthehet në 2017-ën

Etrit  Berisha do t’i drejtohet sallës së operacionit. Rezultoi më i rëndë sesa parashikohej dëmtimi i pësuar nga portieri shqiptar, i cili këtë të mërkurë do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të lënë pas problemet në gjurin e djathtë. Një lajm aspak i mirë ky për Atalantën, që do të humbasë shërbimet e Berishës për disa javë, në një moment që skuadra bergamaske kishte vërtetë shumë nevojë për 27-vjeçarin nga Prishtina, i cili me sigurinë që ka përcjellë mes shtyllave gjatë kësaj periudhe është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm për ekipin e Gasperinit. Ishte vetë klubi i Atalantës në profilin e tij në Twitter që bëri të ditur se portieri shqiptar do të operohet këtë të mërkurë në klinikën “Villa Stuart” në Romë nga Doktor Profesor Pier Paolo Mariani.
Berisha në ndeshjen mes Atalantës dhe Romës ka dëmtuar meniskun e gjurit të djathtë dhe ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale për të lënë pas problemet në këmbë. Për shkak të këtij lëndimi 27-vjeçari humbi ndeshjen e fundit të kampionatit mes Bolognas dhe Atalantës dhe tashmë do të mungojë edhe në disa takime të tjera shumë të rëndësishme të skuadrës bergamaske siç është sfida e kësaj fundjave ndaj Juventusit. Në 8 ndeshjet e fundit me Atalantën si titullar, Berisha  pësoi vetëm 3 gola, por tanimë vendin e tij në formacionin e skuadrës zikaltër do ta marrë Marco Sportiello. Nuk dihet me siguri sesa kohë do t’i duhet gardianit të kombëtares kuqezi për t’u rikthyer i gatshëm për të luajtur, por mediat italiane zbulojnë se Berisha do të qëndrojë për të paktën 3 javë larg fushave dhe me shumë gjasa do t’i vihet në dispozicion të trajnerit Gasperini në fillim të janarit.

Exit mobile version