Besart Berisha e nis me gol sezonin e ri në futbollin australian. Sulmuesi shqiptar i hapi rrugën suksesit 3-1 të Melbourne Victory në fushën e Newcastle Jets, duke bërë që skuadra e tij të kualifikohet në raundit e 1/8-ve të Kupës së Australisë, trofe i të cilit ekipi nga Melbourne është kampioni në fuqi.
Berisha gjeti golin në minutën e pestë të sfidës, pasi devijoi saktë me kokë drejt rrjetës, pas harkimit të Ben Khalfallah. Por, sulmuesi shqiptar ishte i pafat, pasi për shkak të një dëmtimi u detyrua ta mbyllte ndeshjen përpara kohe, duke u zëvendësuar në të 28-ën.
Jets rikthyen barazpeshën me Wayne Brown sapo nisi fraksioni i dytë i sfidës, por festa e vendasve zgjati fare pak. Melbourne kaloi sërish në avantazh në të 54-ën, pas 11 metërshit të ekzekutuar nga Oliver Bozanic.
Rezultati përfundimtar 3-1 u vulos nga George Howard, tre minuta përpara fundit të ndeshjes. Përveç festës së fitores në radhët e Victory mbetet edhe ankthi për gjendjen e Besart Berishës.
Klubi është në pritje të ekzaminimeve më të detajuara rreth problemit muskulor të sulmuesit, që me formën e paraqitur prej ndeshjes së parë konfirmoi se do të jetë një prej protagonistëve të sezonit të ri, ku Melbourne Victory synon të mbrojë titullin e Kupës, por edhe të shpallet kampion i Australisë.