Berisha: Shfuqizimi i euros lidhet direkt me paratë e pista që vijnë nga droga dhe bixhozi

Ish-Kryeministri Berisha, në një intervistë për Tv Klan, është shprehur se paratë e drogës po godasin rëndë ekonominë dhe familjen shqiptare. Sipas tij shfuqizimi i euros, lidhet direkt me paratë e pista që vijnë nga droga dhe bixhozi, që po fuqizohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë.
Intervista
Duke dalë në treg në kundërshtim me të gjitha ligjet ato vrasin monedhën europiane, godasin eksportet e vendit, i bëjnë ndërmarrjet shqiptare jo kompetitive me ndërmarrjet e botës, godasin prodhimin, godasin punësimin!
PYETJE: Zoti Berisha ju flisni gjatë gjithë kohës me shqetësim për situatën në lidhje me krimin që po kalon vendi por po me të njëjtin shqetësim flisni dhe për situatën ekonomike që po kalon Shqipëria. Muajt e fundit ka patur një rënie të ndjeshme të euros. Si e komentoni këtë gjë?
BERISHA: Në çdo ekonomi monedha është truri i saj, po u sëmur monedha, sëmuret truri. Çfarë ka ndodhur, pse ekonomia shqiptare ndodhet në këtë gjendje? Sepse është pushtuar nga narkoeuro. Narkoeurot janë kamionat e miliarda e miliardave euro në duart e baronëve të drogës, të cilët duke dalë në treg, në kundërshtim me të gjitha ligjet vrasin monedhën europiane, eksportet e vendit, i bëjnë ndërmarrjet shqiptare krejtësisht jo kompetitive me ndërmarrjet e botës, por po të godasësh eksportet, ke goditur zemrën e prodhimit, po të godasësh prodhimin, ke goditur punësimin.

Sot numri një në punësim është bixhozi i APEX të Agron Xhafës dhe Olsi Ramës dhe apexave të tjerë. Narkoeurot po godasin rëndë gjendjen ekonomike të mijëra familjeve dhe pensionistëve shqiptarë që jetojnë me ato 100-200 euro që u vijnë nga familjarët e tyre nga jashtë.
Nëse 1 euro i kthenin me 1400 lekë, sot i kthejnë 15-20% më pak dhe kjo për shkak të baronëve të drogës, nga narkoeuro. Dhe unë i bëj thirrje bordit të Bankës së Shqipërisë dhe Guvernatorit të saj t’u thonë shqiptarëve të vërtetën se kjo që ndodh nga narkoeurot është një gjendje katastrofale. Narkoeurot që bajlozët dhe baronët e drogës derdhin në Shqipëri çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, prishin tërësisht garën dhe kompeticionin.
Ju duhet ta dini se këtë vit ka mbyllje ndërmarrjesh 43% më shumë se sa një vit më parë, janë me statistika të QKR. Kjo sepse ai që ka kamionat e sallat plot euro, ai ka për borxh të mos respektojë asnjë princip në çmime, në paga etj dhe ai viktimizon të gjithë bizneset e rrugicës dhe bizneset e vendit. Pra narkoeuro është shndërruar në një xhelat të vërtetë të ekonomisë shqiptare. Ata që mendojnë se mirë bëjnë se euro janë, ata gabojnë rëndë. Ato janë euro të sëmura, janë euro toksike, janë euro të cilat po shkatërrojnë çdo mundësi për konkurrencë të ndershme, për garë të lirë në ekonominë shqiptare, e cila është, në të gjitha kohërat ka qënë dhe mbetet promotori kryesor i përparimit, i rritjes, i zhvillimit ekonomik të një vendi.

Exit mobile version