Të gjithë në radhë për të bërë një foto me Etrit Berishën. Portieri i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet që ka bërë gjatë kësaj periudhe teksa falë edhe pritjeve të tij, Atalanta po fluturon në Serinë A, duke regjistruar 7 fitore dhe 1 barazim në 8 ndeshjet e fundit. Është një ecuri më e mirë edhe se e Juventusit ajo e skuadrës bergamaske në këto 8 javë, me Atalantën që ka gjetur te Berisha njeriun e duhur për t’i vënë kyçin portës. Vetëm 3 gola ka pësuar 27-vjeçari nga Prishtina në 8 ndeshjet e fundit. Ai është padiskutim njeriu i momentit te Atalanta dhe një nga futbollistët më të pëlqyer nga tifozët e skuadrës zikaltër. I ftuar në dyqanin zyrtar të Atalantës, Berisha kaloi 1 orë kohë në praninë e fansave bergamaskë, me këta të fundit që kishin mundësinë të takoheshin nga afër me portierin kuqezi, duke shkrepur foto të shumta dhe duke marrë autografe nga 27-vjeçari. Menjëherë më pas Berisha u intervistua nga kanali zyrtar i klubit bergamask. 8 pikë më pak se Juventusi që kryeson ka aktualisht Atalanta, por kuqeziu mendon vetëm për dy sfidat e ardhshme, duke mos preferuar të bëjë krahasime.
“Ne Leicester i Serisë A? Është një krahasim normal, duke parë ecurinë e shkëlqyer që kemi patur gjatë kësaj periudhe, por është shumë shpejt. Nuk i vendosim vetes limite, por dy sfidat e radhës ndaj Bolognas dhe Juventusit janë dy teste shumë decizive”.
Nga objektivat e Atalantës në këtë sezon te entuziazmi i tifozëve, në intervistën e tij Berisha u ndal edhe te këto dy tema:
“Eshtë herët për të thënë se cili do të jetë objektivi ynë në këtë sezon. Personalisht prisja të zhvilloja një kampionat të mirë. Megjithatë mendoj se, kemi nevojë për të tjera teste për të treguar se jemi ajo skuadër e fortë që u pa në fushë ndaj Romës. Bergamo është një qytet i bukur dhe entuziazmi i tifozëve në këto momente është i ligjshëm. Por në harkun e një apo 2 javëve gjithçka mund të ndryshojë”.