Berisha shkëlqen në Serinë A

Portierët kuqezi shkëlqejnë në Serinë A. Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha vazhdojnë të tregojnë një formë të shkëlqyer pikërisht në kampionatin që shquhet si një shkollë e pakonkurrueshme në prodhimin dhe formimin e portierëve cilësorë. Në javën e 13-të të Serisë A, “gardiani” i Atalantës u shndërrua në një mur të pakalueshëm për sulmuesit e Romës, veçanërisht për Salah, duke u dorëzuar vetëm në momentin e ekzekutimit të 11-metërshit nga Perotti në fitoren 2-1 të “bergamaskëve”. Nota 7 e dhënë nga specialistët e futbollit italian për 27-vjeçarin ishte ndër më të lartat për Atalantën, që falë edhe paraqitjeve të Berishës është surpriza e Serisë A në këtë fazë të parë.
Nga Etrit Berisha te Thomas Strakosha, një tjetër titullar kuqezi këtë radhë në portën e Lazios, që fitoi 3-1 në “Olimpico” me Genoan. Pas ndeshjes, trajneri i “bardhekaltërve” Simone Inzaghi edhe pse u mundua ta justifikonte mungesën e Marcchetit me një problem muskular, e pranoi se 21-vjeçari shqiptar është kërcënim serioz për pozicionin e italianit. Prania e Strakoshës në 11-shen bazë sipas Inzaghit është krejtësisht e merituar dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet e arritura me shqiptarin në fushë. Nuk është e rastësishme që drejtuesit e Lazios i kanë ofruar rinovimin Strakoshës, çka do të thotë se ai konsiderohet e ardhmja e lacialëve, me Marcchettin që nuk e ndihmon më as mosha në duelin me portierin e kombëtares kuqezi.
Strakosha i ka kaluar me sukses të gjitha etapat te Lazio, që kur mbërriti në kryeqytetin italian katër vite më parë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe në kombëtare, teksa së fundmi është grumbulluar nga De Biasi te kuqezinjtë, ku aktualisht konsiderohet portier i katërt, pas Berishës, Hoxhës dhe Shehit. Mosha e re dhe aktivizimi në vazhdimësi në një prej kampionateve më të forta në Europë, do t’i jepte përparësi ndaj kolegëve në përfaqësuese, ku sigurisht për momentin mbetet zgjedhje e parë Etrit Berisha.

Artikulli paraprakVjedhja në CEZ, vjen dëshmia e Berishës del blof Palla i Ramës
Artikulli tjetërMigjen Basha fiton mesfushën e Barit