Besart Berisha i jep një pikë Melbourne-it në kampionatin australian. Sulmuesi shqiptar ishte autori i golit të barazimit për Victory në sfidën e Ammi Park ndaj Perth Glory që përfundoi me shifrat 1-1. Falë golit të tij të 5-të sezonal, 31-vjeçari nga Prishtina evitoi humbjen e Melbourne Victory që deri në momentin e finalizimit të Berishës po mposhtej nga Perth Glory me rezultatin 0-1. Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, i cili po zhvillon sezonin e tij të 3-të me skuadrën e trajnerit Kevin Muscat ishte përcaktues në minutën e 41-të të ndeshjes, kur shfrytëzoi një pasim të Rojas për të mposhtur portierin mik, Reddy.
Berisha u tregua gjakftohtë brenda zone, duke realizuar një gol të thjeshtë. Ky ishte finalizimi i 5-të i Besart Berishës në këtë sezon të A-League, 31-vjeçari për momentin pozicionohet në vendin e 3-t të listës së golashënuesve që kryesohet nga uruguiani Fornaroli dhe irlandezi Keogh me nga 7 gola. Pikërisht, ky i fundit ishte autori i golit të avantazhit për Perth Glory-in në sfidën e javës së 9-të të kampionatit ndaj Melbourne Victory. Përsa i përket Berishës, së fundmi 31-vjeçari nga Prishtina ka marrë dritën jeshile nga FIFA për t’u aktivizuar me përfaqësuesen e Kosovës, por tashmë gjithçka mbetet në dorë të sulmuesit, pasi largësia e madhe ndërmjet Australisë dhe Europës vazhdon të mbetet një problem për Berishën.