Berisha: Si Rama i humbi të gjitha ditët dhe orët e fundit

– Reforma në Drejtësi! Kundërshtitë e opozitës ishin vërtet për të mbrojtur “një grusht njerëzish të PD-së” siç thotë Kryeministri Rama apo qendresë për të ruajtur standardet, të cilat, le të themi të drejtën, qytetarët s’është se i kuptojnë kur bëhet fjalë për çështje teknike të ndërlikuara?
Absolutisht, qëndrimi ynë kishte vetëm një qëllim, mbrojtjen e standardeve dhe për definicion nuk kishte lidhje për të mbrojtur asnjë person. Duke thënë këtë dua të jem i sinqertë se, të vetmen gjë që s’kam pranuar është dekonstitucionalizimi i Presidentit të Republikës, pra heqjen e kompetencave për sa kohë ai është në detyrë dhe të garantoj se këtë do e bëja për çdo President Republike. Pra, i gjithë qëndrimi ynë nuk ka patur asnjë lidhje dhe nuk ka patur asnjë person, por ka patur parasysh strikt parimet e një drejtësie të pavarur, të pakapur, transparente dhe eficente. Ne s’mund të pranonim ndërprerjen e mandatit sepse Shqipëria ka patur këtë eksperiencë, Komisioni i Venecias, sa herë ka qenë koha për të ndërprerë mandatet, qoftë në qeverinë e tyre qoftë në qeverinë time, ka qenë kategorik kundër ndërprerjes së mandateve, cilido qofshin ata. Pra, ne s’kemi mbrojtur asnjë person, ne kemi mbrojtur vetëm parime themelore kushtetuese.
Po ju rikujtoj këtu. Kur është miratuar më 1978 Kushtetuta e re, ka patur një amandament tranzitor, i vendosur nga Komisioni i Venecias “mandatet ekzistuese vazhdojnë deri në përfundim”.

– Ju keni qenë një ndër aktorët kryesorë të reformës, pasi çdo herë që ambasadori Lu ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike ju ka takuar edhe ju në zyrën tuaj. A keni folur ndonjëherë mes jush për vija të kuqe që nuk duhet të kaloheshin, kryesisht për vetingun?
Së pari, dua t’ju siguroj se udhëheqjen e këtij procesi e ka bërë lidershipi i PD-së, e ka bërë Lulzim Basha dhe grupi që drejton PD. Pa diskutim, Sali Berisha ka një eksperiencë të gjatë si President dhe si Kryeministër dhe për kohë të tëra ka qenë Kushtetuta dhe kushtetutat librat më të lexuar nga unë, ma donte detyra. Mendoj se jam përpjekur, qoftë në PD dhe qoftë me partnerët, të jap ndihmesën dhe mendimet e mia në mbështetje të një reforme, e cila duhet të garantojë një sistem gjyqësor të pavarur, eficent, transparent e përgjegjës para ligjit. Ky ka qenë i gjithë angazhimi dhe përkushtimi im.

– Gjatë negociatave LSI-ja pati një qëndrim të ngjashëm me opozitën, duke i mëshuar miratimit me konsensus dhe sipas “Venecias” të Reformës në Drejtësi dhe duke kërcënuar edhe me qeveri teknike për zgjedhje të parakohshme, siç e ka kërkuar opozita apo edhe vetë ju. A është kjo një  premisë për bashkëpunim mes PD-së dhe LSI-së përpara ose pas zgjedhjeve të ardhshme?
Së pari, mendoj se për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, është me interes të shtrohet pyetja se kur ka ndryshuar qëndrimi i LSI. Padiskutim që ka ndryshuar. Qëndrimi i Ilir Metës dhe LSI ka ndryshuar thelbësisht pasi erdhi projekti i Venecias, i cili kishte rrëzuar në 38 nene projektin “Rama-Xhafa” dhe jo vetëm e kishte rrëzuar, por e kishte rrëzuar me akuzat më të rënda, duke faktuar se në disa nene synonte kapjen fatale të drejtësisë, se në nene të tjera shkelte Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën shqiptare përsa i përket lirive dhe të drejtave, se propozonte rol absurd për të huajt që s’mund ta kishin, se përjashtonte tërësisht opozitën. Dhe në fund, Gianni Buquicchio, presidenti i Komisionit të Venecias, kishte një rekomandim personal. Pasi shqyrtuan draftin “Rama-Xhafa” dhe oponencën e opozitës, e cila ishte në linja të plota me komisionin, ai sugjeron që të punohet me konsensus siç u punua me ligjin e dekriminalizimit sepse u pa që opozita kishte synime të drejta, kishte synime për një sistem drejtësie të pavarur.
Ilir Meta, veçanërisht në momentin kur ai dërgoi, krahas projektit “Rama-Xhafa” në Venecia, ai faktikisht bashkë me oponencën tonë e shkatërroi projektin e tyre, sepse i tha komisionit që qeveria është e ndarë në dysh, që një krah i saj do drejtësi të pavarur dhe një krah i saj do të kapë drejtësinë. A është kjo një prerogativë për të bashkëpunuar midis dy partive? Unë mendoj se të dy partitë kanë një trashëgimi bashkëpunimi dhe a do bashkëpunojnë apo jo, ajo varet nga rezultatet elektorale dhe faktorë të tjerë. Por s’mund të mohoj se ato kanë një traditë bashkëpunimi. Këtë e kam vlerësuar dhe e vlerësoj si një zhvillim që kontribuoi në mënyrë të qenësishme në konsensusin e datës 22 korrik.

– Pra, ju nuk përjashtoni mundësinë për një bashkëpunim me LSI?
Unë apriori nuk përjashtoj mundësi bashkëpunimi.
– Disa deputetë të opozitës deklaruan hapur se do të votonin pro reformës, pavarësisht vendimit të grupit parlamentar. A është kjo një dëshmi e kundërshtimit të lidershipit të PD-së apo duhet konsideruar thjesht si një qendrim parimor? Dhe a do të ketë pasoja për këta deputetë që dolën hapur kundër qëndrimit të partisë?
Ata që kanë deklaruar kështu unë mendoj se, zoti Selami nuk ka mohuar një gjë të tillë, nuk quaj një veprim të drejtë të jem i hapur. Por ka patur dhe një moment, të jemi të sinqertë, çështjet shkonin në nivele të larta dhe shumë të larta dhe nuk mund të them se ata kishin një informacion online. Nuk kishin pasi nuk ishte një informacion, i cili mund të bëhej publik nga kryetari i partisë pa patur rezultatin. Kështu që edhe kjo ka qenë një faktor që ka ndikuar.

– A do të ketë pasoja për këta deputetë?
Në asnjë problem organizativ të PD nuk ndërhyj, në asnjë diskutim nuk ndërhyj, unë jam një ish-kryetar i dorëhequr plotësisht.

– Dje në Parlament ju deklaruat se humbësi në gjithë këtë proces ishte Edi Rama. Vërtet besoni se ai që humbi në gjithë këtë reformë ishte kreu i qeverisë?
Absolutisht ai dhe vetëm ai, në radhë të parë flas. Koncepti Rama për drejtësinë ishte ministër i drejtësisë, anëtar në katër forumet kryesore të sistemit gjyqësor përfshi dhe tribunalin gjyqësor. Kushdo që do të lexojë projektin e shtatorit do të gjejë se ai është ministër i gjykatësve, i prokurorëve, i sistemit gjyqësor, shef ekzekutiv i tyre. Vetë Rama mori hetimin. Shqiptarët e kanë të qartë qëllimin e tij ndaj BKH-së, vendosjen e saj në Drejtorinë e Policisë. Të gjitha vendimet me 3/5, të kësaj mazhorance në emërime, gjë të cilën Venecia ia hodhi poshtë si kapje.
Pasi dështoi me të gjitha, luajti letrën e të huajve, më të turpshmen, që të huajt duhet të na emëronin vetorët, të huajt të vendosnin vetting-un, të emëronin gjykatësit dhe prokurorët. A mund të imagjinohet një qëndrim i tillë i Kryeministrit? Ai dështoi në secilën prej tyre dhe qytetarët duhet të dinë se opozita s’ka lëshuar asnjë milimetër nga parimet e Venecias. Vërtet është hedhur mbi opozitën një mal akuzash, se kjo është pengestarja, ajo s’do reformën, kur ne e donim më shumë se kushdo tjetër. Pse? Duhet të shuhej PD nëse s’do të donte reformën, sepse kjo është një reformë që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat njerëzore, PD është themeluar jo mbi solidaritetin siç është PS, por mbi liritë, të drejtat njerëzore dhe interesin kombëtar. Ja mbylli derën Edi Rama, s’ka konsensus tha. 6 javë e vonoi reformën vetëm për vetorët se donte t’i emëronin të huajt, jo i thamë, do i emërojmë ne. Për të huajt e ka përcaktuar Venecia. Opozita do të ketë përfaqësimin e duhur, e ka përcaktuar Venecia, 88-ta.
Pra, Rama ndërtoi në këtë proces me dhjetëra gropa duke besuar dhe shpresuar se do të hidhte PD në fakt ra vetë në secilën prej tyre. Në fakt çdo vijë e kuqe që ju tha shqiptarëve ju shndërrua në një vijë të kuqe për të dhe u thye. Çfarë i mbeti një Kryeministri, i cili nëse do të vendoste për të ndjekur parimet e Venecias do të udhëhiqte në mënyrë të padiskutueshme reformën dhe konsensusin dhe i takonte atij.
Do ju rrëfej diçka, edhe kur erdhi raporti Venecias që rrëzoi 38 nene, në atë vend aty u kam thënë partnerëve që më thanë ju do të drejtoni dhe i thashë që ta udhëheqë qeveria, kështu është rregulli, por tani të ulen me konsensus të bëjnë draftin e dytë dhe ta çojmë në Venecia. Dhe çfarë bënë? Fshehtas, si skile, u futën dhe brenda katër ditëve thanë e kemi bërë draftin. Po si e bëtë draftin? A e rrëzoi Venecia draftin? Ne nuk bëmë draft sepse donim të jepnim mesazhin që jemi për të punuar me konsensus, jo ne me draftin tonë e ju me draftin tuaj. Pra, thamë hajde të ulemi. E çuan në Venecia, Ilir Meta çoi draftin e vet dhe ne bëmë oponencën tonë. E rrëzuan përsëri dhe draftin e dytë.
Nëse ka njeri që groposi çdo pretendim që pati është Edi Rama, se shkonte në absurd, se nxirrte pretendime absurde, s’i jap në asnjë mënyrë opozitës vendet e rezervuara te vettingu thoshte, po ja që ja dha tek dy të tjerat, orët dhe ditën e fundit dhe humbi. Ky ishte konsensus i imponuar fund e krye nga opozita. LSI s’punoi për opozitën, por punoi për programin e vet. Njeriu që luftoi të bëhej kryeprokuror, kryegjykatës, kryehetues mori atë që meritonte.

(Marrë nga Tv Klan)

Exit mobile version