Berisha solli Tap-in, Rama solli trapin…

Nga Agim XHAFKA

Në shifrat më të fundit të INSTAT thuhet se do të ketë ngadalësim të rritjes ekonomike. Si shkak përmendet mungesa e reshjeve dhe largimi i TAP.

Pra deri tani progresin nuk e kemi pasur nga politikat ekonomike të qeverisë, por nga Zoti në qiell dhe zoti Berisha në tokë që mundësoi sjelljen e investimeve të TAP-it në Shqipëri.

Janë të ardhurat nga investimi i këtij gjiganti ato që krijuan rritje ekonomike deri 4% në vit. E si çdo gjë edhe TAP e pati një fund.

Realizoi projektin e po mbledh ‘plaçkat’ për t’u zhvendosur diku tjetër.

Mbaj mend për disa vjet rresht qeveria e zotit Berisha u djersi me lobime, me konferenca, me kumtesa, me seminare e me vizita në shumë shtete që Europa të furnizohej nga shumë larg me gaz ama ato tuba të kalonin patjetër mes për mes atdheut tonë.

Se ishin tregues të një shteti të sigurt, të një klime të favorshme biznesi dhe një thes i madh të ardhurash. E ia arriti qeverisja e djeshme. Dhe buxheti u gëzua dhe u fry prej këtij investimi.

Më pas nisi lobimi për pasqyra. Qeveria nuk mendoi asnjë ditë të sillte investime. Ëndërronte ta shihte surratin në pasqyrat që i mbante para vetes me pyetjen: ‘Pasqyrë, moj pasqyrë, cili është më i bukur Macroni, apo Rama? Merkeli apo Rama? Ai apo Rama…?’

Dhe nuk prisnin përgjigje. Media dhe propaganda bënin sondazhe bukurish, benevrekësh, kollaresh, atletesh e dilnin në përfundim se lideri ynë ishte gati, gati global.

I paimagjinueshëm dhe i pagabueshëm.

Ndërkohë ekonomia po rrokullisej, ama dhe lideri rrokullisej nëpër glob. Cep më cep, gjoja për investime, gjoja për projekte. E tani në vitin e tij të shtatë Edi Rama ka sjellë në Shqipëri veç TRAP-in e propagandës.

Ca km autostrada të pambaruara ende nuk po mbyllen, borxhet e OSSHEE janë bërë të frikshëm, administrata nuk paguan dot as sigurimet e punonjësve të vet, borxhet na i kanë shaluar fatet tona të nesërme dhe PPP-të do na rrinë me kamxhik mbi zverk për 30-40 vitet që po vijnë.

Trap-i i investimeve nuk e fut në mendime qeverinë. Ajo ka si strategji mbajtjen e pasqyrës. Kaq halle e kaq drama nuk e mënjanojnë Ramën nga aventura. Pyet e pyet çdo çast: ‘Pasqyrë, moj pasqyrë, kush është më i zoti…’

E tregoi koha se Berisha qe më i zoti, tha pasqyra. Solli plot investitorë, bëri Rrugën e Kombit, autostradën e Vlorës, tunelin e Elbasanit, rrugën panoramike të Bregut e plot e plot të tjera dhe si diamant solli TAP-in.

Atë që na dha shtysë ekonomike dje dhe që nesër do na sjellë gaz në çdo rubinet shtëpie.

Ndërsa Rama e nisi me ca fasonë, me ca rregullime qendra fshatrash dhe pati si diamant 500 metër Lungomaren e Vlorës. Ah, harrova, edhe kullën në Korçë.

Më tej ngeli me sytë nga qielli me lutjen, bjerë shi se po ikim për lesh dhe me shpresë që mbase do vijë një ditë ndonjë babagjysh e do zbrazë diçka nga thesi i madh i tij.

Se lideri ynë josh, ka atlete të bukura, benevrekë të shtrenjtë dhe mjekër të bardhë. Pandeh se kaq mjafton të trokasin tek ne ata me para dhe me projekte.

Ndonjë TRAP edhe mund të gënjehet, edhe mund ta hajë.

Ndërkohë INSTAT parashikon mot të ftohtë deri në ngricë për ekonominë. Shenjë është largimi masiv i popullatës.

Alarm, ikja e shtresës së mesme.

Po na fluturon pa kthim truri i kombit, po na ikën inteligjenca.

Po ngelemi pa palcën tonë.

Qesh veç Ruçi, Ulsiu,Tualeti dhe Gjiknur Tërmeti…

Exit mobile version