Berisha, takim me Kryetarin e BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti

Mbrëmë ish-Kryeministri Berisha priti në një takim Kryetarin e BDI-së në Maqedoni, zotin Ali Ahmeti, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorë të tij. Në këtë takim zoti Berisha përgëzoi kryetarin e BDI-së, Ahmeti, për zgjedhjet e përgjithshme dhe fitoren në këto zgjedhje të BDI, si parti politike me mbështetje më të gjerë nga shqiptarët në Maqedoni.
Zoti Berisha gjithashtu shprehu keqardhjen për humbjen e 9 vendeve në Parlament nga zgjedhësit me origjinë shqiptare për shkak të përcaktimeve ligjore në dëm të tyre.
Ai shprehu vlerësimet për të gjitha arritjet e BDI, shqiptarëve dhe kontributin e tyre thelbësor në zhvillimet në Maqedoni.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të përpjekjeve të forcave politike shqiptare në Maqedoni për një horizont të ri në zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe zhdukjes së çdo forme diskriminimi të shqiptarëve në Maqedoni, gjë që do ta bëjë këtë vend më të lirë dhe më stabël.
Në këtë takim u theksua gjithashtu domosdoshmëria e investigimit, dokumentimit të genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në të shkuarën ndaj shqiptarëve, pasi heshtja ndaj tyre nuk premton të ardhme të qartë. Takimi ishte i hapur dhe kaloi në frymë të plotë mirëkuptimi.

Artikulli paraprakStudio e Ramës 51N4E tek Sheshi me ofertën më të lartë
Artikulli tjetërNeranxi: Shtatë ligjet që vërtetojnë kapjen e shtetit