Berisha: Të gjithë t’i bashkohen protestës

Ish-kryeministri Berisha u ka bërë thirrje dje të gjithë qytetarëve të bashkohen në protestën kundër importit të plehrave. “Kjo është protestë për mbrojtjen e jetës, shëndetit të fëmijëve dhe qytetarëve shqiptarë nga miliona ton plehra dhe helme që Edi Rama, pasi ka marrë 4 milionë euro, ka vendosur të importojë në Shqipëri. – Protestë kundër njeriut, që tre vjet më parë në fushatë elektorale shpalli importin e plehrave si akt tradhtie kombëtare dhe sapo erdhi në pushtet abrogoi ligjin përkatës. Në këtë aspekt, protesta e nesërme është protestë e të gjithë njerëzve të qytetëruar që nuk pranojnë kurrë të mashtrohen sikur të ishin qenie primitive nga kreu i qeverisë së tyre. – Protestë ndaj Kryeministrit, që pasi ka mashtruar në mënyrë të paskrupullt tallet me qytetarët dhe intelektin e tyre, duke ju thënë me cinizëm se mbeturinat që hidhni çdo ditë në kazanat e plehrave nuk janë plehra! – Protestë që të rikthejmë referendumin, të cilin Edi Rama, duke shkelmuar mbi firmat e 60 mijë qytetarëve e shkelmoi si të panevojshëm dhe tani kërkon që ta pengojë përsëri. Protestën e thërret Shoqëria Civile, por në interesin e çdo qytetari pavarësisht nga bindjet politike. Mbështetja juaj qytetare është jetike për suksesin e saj”, shprehet Berisha në reagimin e tij.

Exit mobile version