Bernard Berisha është zyrtarisht lojtar i Terek Groznit. Skuadra çeçene, që militon në Premierligën ruse fitoi garën për të siguruar shërbimet e mesfushorit të përfaqësueses së Kosovës. Klubi njoftoi zyrtarisht blerjen e 25-vjeçarit nga Peja. Vendimtare në ankandin e hapur për Berishën ishin shifrat marramendëse të ofruara nga Terek Grozni.
Klubi çeçen, ku militojnë edhe dy kuqezinjtë sulmuesi Bekim Balaj dhe mesfushori Odise Roshi pagoi 2,5 milionë euro te Anji Makhachkala, ndërsa përfitimet janë të rëndësishme edhe për vetë lojtarin. Nga kontrata prej 3 vjetësh e gjysmë, Bernard Berisha do të përfitojë 1 milion euro pagë në sezon, duke e bërë atë një prej lojtarëve më të paguar shqiptarë në qarkullim.
Në ditët në vazhdim, ish-lojtari i Skënderbeut do të udhëtojë edhe personalisht drejt Groznit, për të hedhur firmën në kontratë, ndërsa në mesin e muajit janar do të nisë fazën përgatitore me skuadrën e re. Bernard Berisha u transferua në elitën e futbollit rus vetëm një vit më parë, me Anji-n që pagoi 600 mijë euro te kampionët e Shqipërisë. Pas paraqitjeve të shkëlqyera me skuadrën, ai tërhoqi vëmendjen e mjaft klubeve, ku në garë për shërbimet e lojtarit ishte edhe një emër i rëndësishëm si Zenit Shën Petërsburgu.