Berisha thotë kur do të bashkohet Shqipëria me Kosovën

PYETJE: Janë bërë 10 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Si e shihni të ardhmen politike të Kosovës, rrugën që duhet të ndjekë?
SALI BERISHA: Të ardhmen politike të Kosovës, me gjithë vështirësitë që përjeton unë e shoh shumë të mirë. Kosova këto 10 vjet, megjithëse ka dalë nga lufta, megjithëse u rrënua mbi 120 mijë banesa dhe qendra publike u shkatërruan, Kosova në 10 vite ka ndërtuar shumë më tepër se Shqipëria në 10 vitet e para të diktaturës, pakrahasimisht më tepër. Po të jap një shembull. Në vitet 92-96 ku shqiptarët e filluan me 204$ në vit për frymë, ne arritëm të ndërtojmë gjithsej 5 ose 6 km autostradë ndërsa Kosova ndërtoi autostradën Ibrahim Rrugova, Kosova po ndërtohet, sot është ekonimia e vogël më vibrante në rajon me rritjen më të mirë. Mendoj që çështja e marrëveshjeve dhe negociatave në Bruksel uroj që të shtohet dhe prania amerikane dhe Kosova duhet ta marrë më gjerësisht. Duhet të them që praktika që u ndoq në Vjenë ishte një praktikë e shkëlqyer suksesi, ku delegacionet qenë të gjëra dhe u bënë hapa shumë të pjekur, dhe këtu në përfaqësim në këto negociata mund të përfshihet më shumë edhe opozita mendoj unë. Mund ti vonojë pak kjo si procedurë por i bën shumë më të qëndrueshme. Duke thënë këtë është Beogradi që spo respekton asnjë marrëveshje.

PYETJE: A mendoni se Kosova dhe Shqipëria një ditë mund të bashkohen?
SALI BERISHA: Mendoj se ideali i bashkimit kombëtar është i përjetshëm dhe i pavdekshëm, por mendoj se ajo mund të ndodhë kur Kosova dhe Shqipëria të jenë dy shtete sovrane dhe të zhvilluara e të pavarura dhe kur fqinjët përreth dhe i miqtë e parterët tanë.. se Kosova u shpall e pavarur mbi bazën e një projekti ndërkombëtar, mbi bazën e përpjekjeve mbinjerëzore të popullit të saj por dhe mbi bazën e një projekti ndërkombëtar, dokumentit Ahtisari, i cili nuk e lejon që të bashkohet as me Shqipërinë e as me Serbinë. Ne e kemi mbështetur atë dokument. Kështuqë në këtë kontekst kur dhe palët e tjera të binden se një komb shqiptar i bashkuar do të prodhojë edhe më shumë stabilitet në rajon dhe fqinjët tanë të çlirohen pak nga albanofobia primitive që kanë trashëguar në shekuj ndaj shqiptarëve, unë them se bashkimi është i pashmangshëm. Cdo përpjekje tjetër do të jetë jashtëzakonisht e dëmshme për territoret shqiptare, për materien shqiptare dhe do krijojë probleme të mëdha për ndërkombëtarët.

PYETJE: Urimi juaj për bashkim mund të merret si urim i juaj për kosovarët në këtë 10 vjetor të pavarësisë?
SALI BERISHA: Urimi im për kosovarët në këtë përvjetor të pavarësisë është që të kenë suksese gjithnjë e më të mëdha në ndërtimin e lirisë, ndërtimin e demokracisë, në konsolidimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo është rruga që shkon drejt realizimit të mëvonshëm të idealit të bashkimit kombëtar, i cili është një ideal që nuk vdes kurrë!/Kohavision/

Exit mobile version