Përfaqësuesi i SHBA’së në Këshillin e Sigurimit, Jonathan Cohen (foto), ka deklaruar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet gjatë vitit 2019. “Është momenti i duhur që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe kjo është e arritshme në vitin 2019″ tha përfaqësuesi i SHBA’së në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që ka fiskutuar çështjen e Kosovës. Por ai shtoi se “Për Kosovën kjo nënkupton anulimin e tarifave për Serbinë dhe Bosnjën”. Megjithëse publikisht edhe Gjermania nuk mund të dalë pro kësaj takse që është kundër parimeve të tregut të lirë, ambasadori i Berlinit në OKB ka treguar edhe anën tjetër të medajles duke përforcuar hipotezën se është Gjermania ajo që e mbështet kryeministrin Haredinaj në mbajtjen e taksës 100 përqind për produktet serbe, si një mjet për të penguar marrëveshjen përmes ndryshimit të kufijve.
Ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara Christoph Heusgen publikisht theksoi se nuk mund të mos lejohen produktet serbe të futen në Kosovë por shtoi ai: “të mos lejohen produktet e Kosovës në Serbi është gjithashtu kundër perspektives evropiane”.
Christoph Heusgen u tregua i prerë edhe kundër politikës së Beogradit për mos lejuar njohjen e Kosovës nga shtete të tjera të OKB.
“Daçiq vetë ka udhëtuar në shtetet të cilat kanë bërë tërheqjen e njohjeve. Nuk e kuptoj logjikën që qëndron prapa kësaj: Shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Njohja e Kosovës është e njëjta mënyrë për të futur në BE. Duke i shtyrë vendet që ta tërheqin njohjen e Kosovës, ju jeni duke e goditur vetën me duart tuaja dhe unë nuk e kuptoj këtë”, i tha Heusgenministrit të jashtëm serb Ivica Daçiç.
Pra edhe në këtë debat u pa qartë se mes ShBA dhe Gjermanisë ka divergjenca thelbësore për mënyrën se si do të arrihet marrëveshja shqiptaro serbe. Ndërsa Uashingtoni e ka kënë të hapur mundësinë e ndryshimit të kufinjve, Berlini zyryar e ka kundërshtuar fuqimisht atë. Madje ai e ka vënë si kusht për përparimin e vendeve tona drejt BE. Pikërishtë këtë gjë theksoi edhe kryeministri Haradinaj në intervistën e fundit në “T7”.
“Ne kemi interesa strategjike me disa vende të BE. Sot ideja e kufijve bie ndesh me interesat e këtyre vendeve…Nëse presidenti ynë flet për kufij, kjo nuk i vjen mirë Merkelit” tha ai.
Pra është e qartë se nëse të gjithë bien dakord me një zgjidhje përfundimtare të paqes mes Serbisë dhe Kosovës, palët ndahen lidhur me mënyrën se si do të bëhet ajo: përmes ndryshimit të kufijve apo jo. Dhe në një farë mënyre nga kjo do të vendoset edhe për afatet e saj. Nëse në ShBA mendohet se gjithçka mund të zgjidhet brenda 2019, disa nga vendet vendimmarrëse në BE nuk janë kaq optimistë.